20 italianë, mes të cilëve 3 shqiptarë, si dhe djali i kreut të një prej klaneve kriminale në Brindisi, janë arrestuar për trafik droge dhe arme nga Shqipëria drejt Italisë.
Sipas gazetës “Corriere della Sera”, bëhet fjalë për shqiptarët Kristo Janku, i cili njihej me nofkën “Daja”, Ilirian Gjonxha dhe Harrilla Helmi.
Pas hetimeve të kryera nga grupi hetimor për Krimin e Organizuar, ka patur prova të mjaftueshme se të prangosurit kanë trafikuar prej dy vitesh tonelata marijuanë, pistoleta dhe pushkë automatike drejt Italisë.
Policia ka sekuestruar për provë materiale asete të siguruara nga veprimtaria kriminale që kapin vlerën 1 milion euro, 10 pistoleta dhe dy kallashnikovë, si dhe 8 gomone që përdoreshin për transportimin e lëndës narkotike.
Guardia Di Finanza ka deklaruar se grupi kriminal, i cili vepronte në Bari dhe Brindisi, synonte të rriste dominimin e vet në një zonë pa një hierarki të qartë të organizatave kriminale, që njihet ndryshe si territor i “Sacra Corona Unita”.