Zakonisht kur flitet për njerëzit e sportit, i mendojmë ata si persona të lumtur dhe në formë fizike dhe mendore. Por depresioni, sëmundja e shekullit, është një problem i madh për ta.
Të shumtë janë ata që po flasin hapur për këtë problem. Andres Iniesta tregoi në biografinë e tij tmerrin e përjetuar nga depresioni.
Tani është një tjetër yll i futbollit që flet hapur. Anglezi Stan Collymore pushtoi faqet e para të mediave britanike pas disa postimeve në Twitter. Ish-futbollisti anglez, 48 vjeç, tha se është zhytur kaq thellë në depresion, sa ka një dëshirë të madhe që të mos zgjohet asnjëherë nga gjumi.
Ish-lojtari i Liverpulit dhe Aston Vilës ka marrë mbështetjen e shumë personave të famshëm në Angli, mes tyre edhe të Gary Lineker.
“Gjatë tre javëve të fundit kam fjetur për 20 orë në krevat. Më vinte erë, qelbesha deri në qiell, por nuk mund të lahesha. Kisha një dëshirë të madhe të mos zgjohesha më”.
“Sot kam vendosur të shkoj në palestër. Dua të luftoj. Nëse edhe ju po vuani, nuk jeni të vetëm. Do të kalojë. Thjesht luftoni”.
Pas tij reagoi edhe princi William, duke iu bërë thirrje klubeve të futbollit që të tregojnë kujdes me lojtarët. Ai tha se nuk duhet t’i shohin vetëm si asete fizike, por edhe si njerëz me ndjenja.