Editorial

Duam të dimë si është Brataj, boll me video selfi të Ramës dhe Ogertës





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:22 - 24/03/20 |
mapo.al

Lajmi se shefi i urgjencave, Skender Brataj, doli i prekur nga koronavirusi, është shqetësues në shumë drejtime. Së pari, e bën kaq të prekshme pandeminë, pasi kemi të bëjmë me një person që e kemi parë pothuajse cdo ditë në ekran.


Një mjek dhe drejtues që ka qënë cdo orë në vijën e parë të luftës, po edhe në frontin tjetër po aq të rëndësishëm, komunikimin me publikun.



Shqetësues shumë është lajmi, sepse tregon se rreziku më i madh të cilit i druheshim, prekja e mjekëve, është shumë konkret, shumë real.


Sidomos, kur kjo ndodh me shefin e urgjencës, apo me infeksionistët, të cilët janë disa dhjetra, dhe jo më shumë. Larg qoftë të bien ata, pra të detyrohen të lënë punën, për t’u izoluar, përfytyroni cfarë ndodh në vend.

Spitali infektiv dhe urgjenca, janë sot zemra e vendit, aty pulson cdo ditë jeta, fati ynë.

Shqetësues në kulm është fakti se pikërisht aty, nuk qenkan marrë masat e duhura mbrojtëse.

Ky sektor, duhej ruajtur në mënyrë fanatike, me cdo kosto. Dhe papritur, del se mjeku Allkja që bëri denoncimin, se skanë mbrojtjen e duhur, paska patur të drejtë.

Edi Rama përshembull dhe Ogerta e shendetësisë, në vend që të reflektonin herët, më parë nga të gjithë, morën kohë gjërë e gjatë për të bërë propagandë e sulmuar këdo që ngrinte në publik të tilla probleme.

Dhe vazhdojnë të bëjnë sërish një teatër aspak të hijshëm.

Ne sot duam të dimë si është shefi i urgjencave dhe kur mund të kthehet në punë. Duam të dimë a janë të mbrojtur si duhet mjekët e radhës së parë? A janë të sigurtë infeksionistët?

Fare nuk ua kemi ngenë as kujës vajtuese të Ramës, me arkivole e varre, apo shpotive që nuk harron të bëjë ndaj atyre që ankohen e kanë kritika. Dhe as fare, nuk ua kemi ngene atyre video-selfi që na sjell Ogerta, teksa shkëput cdo ditë nga puna mjekët për të ushqyer propagandën e rilindjes.

Kryeministri dhe ministrja e tij, duken me kilometra larg që janë më së shumti në merak për pushtetin e tyre. Ndryshe, pse nuk bëjnë atë që mundet e duhet të kryejnë, të kishin nisur me kohë ndihmën dhe mbështetjen për shtresat në nevojë e të pamundurit, që izolimi po i lë në frymën e fundit. Për cfarë është përndryshe qeveria në këto kohë të vështira. Vetëm për represion e masa shtrënguese, pa kryer ende asnjë stimulim konkret në ekonomi apo pa shkuar pranë të varfërve me ushqime apo gjëra të tjera të domosdoshme.

Se cfarë kanë bërë me shëndetësinë me koncesionet qindra milionë euroshe, kjo doli fare lakuriq këto ditë. Të paktën të na kursejnë shfaqjen e përditshme e të padurueshme në ekran.

Mapo.al


Etiketa:

Pas