Aktualitet

Duar babai








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:30 - 19/10/20 |
mapo.al

Është një skenë që Gjyle Hilajt nuk i zbehet në kujtesë. Muharrem Hilajn e kishin sjellë në shtëpi për t’u treguar ku e kishte fshehur mallin me vlerë, por në mes të oborrit gjetën vajzën e tij katër apo pesë vjeçe që po shihte me sy të lemerisur babanë me duar lidhur që e mbanin nga krahët dy policë. Ajo e risjell atë paradite të largët në këtë pasazh të shkëputur nga libri i saj “Një derë e madhe në Malzi” duke kujtuar sesi i ati, megjithëse duart mund t’i ishin mpirë nga hekurat, sapo ia liruan e mori në krahë dhe e ngriti lart të bijën. Ato duar do të vazhdonin të ishin duar babai edhe kur ai shkoi në burg, ku kalonte normën për t’u siguruar të bijave veshjet dhe librat


Në regjistrimet e vitit 1930, rezulton Muharrem Shaqir Isufi, i datëlindjes 11 shtator 1919, beqar. Më pas Muharremit i është vënë vizë në këtë regjistër dhe shkruhet i shpërngulur, ndërsa në vitin 1943 është shënuar i ardhur për me bashkëjetu me familjen.


Në regjistrimet e vitit 1945, rezulton, Muharrem Shaqir Hilaj, me po atë datëlindje, i martuar me Fatime Fejz Hilaj, me dy fëmijë, dy vajza dhe një djalë i vdekur dhe si familje më vete. Muharremi në atë kohë kishte dugajen e vet dhe punonte në Shemri. Ai ka qenë ushtar në Jergucat dhe kanë marrë pjesë në luftën italo-greke 1940-1941.



Ai thoshte: “Kena ik nga lufta se ken tu na vra…dhe jam msheh në një familje. Familja m’ka majt t’mshehëm gati dy vjet”. Familja ka humbur çdo lidhje dhe e dinin të vdekur…pas dy vjetësh ka ardh një telegram prej Muharremit “jam shnosh e mirë”. Në vitin 1943, është kthyer prej andej…dy javë para se të martohej, është djegur në dugaje me vajguri dhe janë kujdesur disa mjek të huaj…Pasi është kthyer nga Jergucati, ka vazhduar të punojë me dugajen e vet, ku tregtonte mallra të ndryshme, shpesh edhe nga të ardhurat e shtëpisë dhe bënte tregti me shkodranët…Përveç tregtisë, ai kujdesej edhe për bletët në shtëpi…si dhe merrej me peshkim…Peshkimin e bënte me rrjeta siç u thoshte ai “perzivoj”…Ai ka marrë pjesë edhe në luftën kundër italianëve në Qafë- Mgullë në vitin 1943…Ai thoshte: “U dolëm në pritë se ata ishin t’u u largu”.


…Muharremi në vitin 1954, dhjetor, është arrestuar dhe ka qëndruar në burg deri në vitin 1958, dhjetor…. Mbaj mend një ditë kur e sollën babën me polic në shtëpi. Ishte paradite, duart i kishte të lidhura me hekura dhe dy policë e mbanin nga dy krahët mu në mes të oborrit…Unë mbaj mend se kisha qëndru përpara tyre (isha 4-5 vjeç ) dhe i shikoja e tmerruar, e befasuar, e çuditur, e lemeritur, mund të thuash çfarë të duash…Atëherë policët ia zgjidhën duart për një moment dhe e lejuan që të më përqafojë. Ai më ngriti lart, më përqafoi dhe këtë moment e mbaj shumë mirë mend dhe s’kam për ta harruar kurrë. Ata e kishin sjellë në shtëpi për të treguar ku e ka mallin, armet…Baba kishte shkuar në aksion në hidrocentralin e Ulzës, atje e kishin arrestuar. Ata mendonin për një grup të rrezikshëm…që ishin proamerikanë, që kishin krijuar grupe kundër shtetit, fshehë armë…


Në Kukës, ai kishte lypur fëmijët me i pa…Rrugën e kemi ba në kambë prej Shemrie në Kukës…mbaj mend se nuk munda me hec ma dhe më kanë hypur nuk di mirë në një kalw apo gomar dhe nuk mbaj mend nëse te burgu e takova babën, pasi nga lodhja e madhe më kishte zënë gjumi…Nana na thoshte se e kishin thirrë disa herë nëpër gjyqe…siç thoshte ajo. Ata i thoshin: “Ti nuk duhet ta tradhtosh Partinë, thuaj çfarë di për burrin”…Babën e kishin nisë për në burgun e Shkodrës dhe më vonë e dërguan në Bulqizë…Baba ishte dënuar 22 vjet për tentativë arratisjeje, mbajtje armësh e shumë probleme të tjera. Në Bulqizë, baba punonte shumë për të tejkaluar normën, e cila kuptohet që ishte shumë e lartë. Tepricat mbi normën, pasi ashtu ishte dhe ligji, na i dërgonte ne për veshje, libra…Nana na tregonte: “Në burgun e Shkodrës (këtu më duket se baba ishte në birucë), ne me zor e kemi pa Muharremin nëpër ni dallap (një si sportel i vogël fare). Ai ishte shumë i lodhur dhe me zor po rrike në kamë”… Nana kur po tregonte, syte iu mbushën me lot, ndërsa ne fëmijët u mpimë dhe në atë moment nuk ishim më të lumtur…Ajo vazhdon përsëri. –“Në oborrin e burgut vjen një makinë ushtrie me bostan, ndoshta për të burgosurit, por për një arsye që unë nuk e mbaj mend mirë nga ajo…polici urdhëron shkarkimin e bostanit dhe fillon ta qëllojë me këpucë ushtrie dhe i bën copa copa, pastaj u thotë ushtarëve t’i grumbullojnë dhe t’ua çojnë lopëve në fermë”…

Babës më pas ia ulën dënimin nga 22 vjet…bëri vetëm 4 vjet, ndoshta për punë dhe sjellje të mirë…këtë nuk e di…por nana…me lejën edhe të babës hyri në kooperativë menjëherë edhe si një kusht i kërkuar.

*Pasazhi është dërguar nga autorja, Gjyle Hilaj Cahani, për kujto.al.



Pas