Paraditen e sotme deputeti socialist Petro Koçi ka ngjitur shkallët e SPAK-ut, pasi prokuroria nisi verifikimet për denoncimet publike të tij, i cili deklaroi se në Fier duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike.
Sipas burimeve zyrtare të SPAK pas këtyre deklarimeve janë duke u kryer verifikime për tenderët dhe menaxhimin e financave publike të bashkisë, ndërsa sot do të merret dëshmia e Koçit mbi dijeninë dhe informacionet që ka në lidhje me këtë denoncim që bëri.
Por çfarë tha Petro Koçi?
Në datë 19 Korrik, deputeti i zgjedhur i PS më 25 Prill denoncoi se duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike të bashkisë së Fierit. Koçi u shpreh se protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publikë.
“Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Reforma në Drejtesi është meritë shembullore e PS. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publikë.
Këtë e realizojnë; nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh, nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojmë prokurorimet, nëpërmjet eleminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit,
Të fuqizuar, sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit, ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar. Partia Socialiste nuk bën asnjë hap pas në luftën ndaj se keqes” – tha ai.
Deklarata solli reagime të forta, ndërsa SPAK nisi verifikimet.