Mjeshtri Bujar Kapexhiu ka sjellë sipas stilit të tij, duelin e fundit që po zhvillohet mes Presidentit dhe Kryeministrit. Gjasat janë, që ky të jetë edhe dueli i fundit në kuptimin se njëri nga aktorët do të dalë i dëmtuar rëndë nga kjo përplasje që duket asgjësuese në sensin politik. Palët po hedhin në lojë të gjithë kartat, dhe fjalët më kërcënuese e paralajmëruese të pasojave, janë thënë.
Koha ka ardhur tek aktet. Kryeministri mesa duket ka riaktivizuar me ritëm të lartë komisionin hetimor dhe po shkon drejt shkarkimit të Presidentit. Po nga ata tjetër, nuk dihet se si, dhe ku e gjen Ilir Meta bindjen, por ai thotë se do të dalë nga ajo zyrë vetëm në korrik të vitit 2022.
Mesazhet e Metës kanë qënë edhe ushtarake. Ai ka thënë se do të jetë ushtari i parë në luftën për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Republikës. Ndërkohë të nesërmen e kësaj deklarate, postoi një foto duke kryer gjeste betimi dhe nderimi ushtarak, përpara një efektivi në uniformë të gardës. Sigurisht, këto janë kode të drejtpërdrejta që Meta ia dërgon Ramës. Ata njihen fort mirë me njëri-tjetrin.
Dhe Meta, mesa duket kërkon t’i thotë kryeministrit, se ti e di që unë jam njeri i aksionit dhe i akteve të forta. Pra po kërkon t’i freskojë memorien, duke e ndërgjegjësuar se nuk do të qendrojë duarkryq nëse Rama do të tentojë shkarkimin e tij, apo siç po ndodh, moslejimin e ushtrimit të kompetencave, rasti më i fundit ai emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që i takojnë kreut të shtetit. Sa i çartur dhe i vendosur është Meta në kursin e tij, Rama ndoshta e di më mirë se askush tjetër në politikën tonë.
Dukshëm, ish-kreu i LSI-së, po dërgon një mesazh për të gjithë aktorët e politikës, por edhe për faktorët e rëndësishëm. Ai kërkon mesa duket t’u bëjë të ditur, se kushdo të jetë nesër në pushtet, kushdo të jetë nesër ambasador, kushdo të jetë diku që ka diçka në dorë, llogaritë nuk mund t’i bëjë pa të.