Sonte në darkë, rikthehet përballja mes dy futbollistëve më të mirë në botë, 2 vite e gjysëm pasi kjo ka ndodhur për herë të fundit.
Ndeshja mes Barcelonës dhe Juventusit, ka sonte të vetmen vlerë në këtë fazë të champions-league, duelin mes Mesit dhe Ronaldos.
Cristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi, janë sot perenditë e futbollit, rivalët e dekadës së fundit në çdo drejtim, për trofe për ekipet, për topin e artë, për plot çmime të tjera.
Por, po ashtu, të dy kanë kaq shumë ngjashmëri me njëri-tjetrin. Ngjashmëri fatale
Edhe Mesi, edhe Ronaldo vijnë nga fëmijëri e varfër, modeste, me prindër punëtorë.
Të dy, ikën nga qytetet e tyre, për të ndjekur ëndrrën e madhe, në moshën 12 vjeçare.
Ronaldo la qytetin e vogël Madeira në Portugali, dhe shkoi drejt Lisbonës ku shpesh e tallën në fillim për dialektin.
Ndërsa Mesi, la Argjentinën dhe u vendos në Barcelonë.
Ronaldo debutoi për herë të parë me Sportingun e Lisbonës, 17 vjeç e 8 muaj, ndërsa Mesi veshi zyrtarisht për herë të parë fanellën e Barcelonës, kur ishte 16 vjeç e 4 muaj, në një ndeshje miqësore me Porton e Mourinhos.
Që prej atij momenti, specialistët dhe futbollistët e mëdhenj, u shprehën se kemi të bëjmë me dy djem të artë, secili për t’u cilësuar, Geroge Best-i i ri.
Kur i thanë George Bestit, se po e krahasojnë Ronaldon me të, ai u shpreh se ky ishte komplimenti më i madh që kishte marrë ndonjëherë.
Ndërsa Ronaldinjo, më i famshmi në atë kohë kur debutoi Mesi, u shpreh se djaloshi do të bëhej shumë shpejt futbollisti më i mirë në botë.
Kur pyeten sot njohësit e futbollit dhe specialistët, se kush është më i miri në botë, Mesi apo Ronaldo, disa e kanë gjetur zgjidhjen e dilemës. Janë të dy; Mesi është lojtari më i mirë në botë, ndërsa Ronaldo është sulmuesi më i mirë në botë.
Përballja e fundit mes Mesit dhe Ronaldos në fushë, ka qënë në maj të vitit 2018.
Ata rikthehen sonte sërish përballë njëri-tjetri.