Të dhënat: Në vendin tonë prevalenca ditore e duhanpirësve është rreth 48% te meshkujt mbi 15 vjeç, por vihet re një tendencë uljeje. Ndërsa te gratë, ka një tendencë rritjeje nga 5 në 10%.
Në Ditën Botërore Kundër Duhanit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi në një konferencë për shtyp se janë intensifikuar kontrollet për konsumimin e duhanit në ambiente publike. “Vetëm në muajt e parë të këtij viti, u realizuan 15.761 kontrolle nga inspektorët e shëndetësisë, aq sa janë kryer gjatë gjithë vitit 2017. Janë marrë 134 masa administrative, çka tregon për një zbatueshmëri të mirë të ligjit anti-duhan”, tha Manastirliu. Sipas raportit të vitit 2017 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria renditet në vendet që ka pasur arritjet më të larta lidhur me rritjen e ndërgjegjësimit dhe zbatimin e legjislacionit kundër duhanit dhe zbatimin e penaliteteve për reklamimin e duhanit.
Masat
Qeveria shqiptare, në paketën e re fiskale rriti akcizën për duhanin me 117 lekë/paketë në krahasim me 110 lekë/paketë që ishte më parë, si një masë për të frenuar duhanpirjen. “Por- tha Manastirliu- ne do të propozojmë disa ndryshime ligjore për të përmirësuar akoma më shumë ligjin që ndalon duhanin në ambientet publike”. “Kemi mbledhur komitetin ndërministror për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit dhe tashmë kemi propozime konkrete për ta bërë më efikas ligjin që ndalon duhanpirjen, edhe për ta përshtatur atë me fenomene të reja që deri tani nuk janë adresuar, si përdorimi i cigares elektronike apo shisha-barit. Gjithashtu, do të propozojmë që për ato subjekte që gjobiten mbi 3 herë për një periudhë të shkurtër kohe, të bëhet mbyllja e aktivitetit”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Një hap tjetër i rëndësishëm që po ndërmarrim lidhet me imazhet fotografike që do të kenë paketat e duhanit edhe në Shqipëri. Brenda muajit qershor, do të miratohen imazhet e “sëmundjeve të tmerrshme” që do të vendosen në paketat e duhanit dhe brenda vitit nga miratimi, edhe në Shqipëri, si në vendet e BE, imazhet e sëmundjeve të tmerrshme që shkakton duhanpirja do të jenë në çdo paketë që konsumohet në vendin tonë.
Duhanpirja
Dita Botërore Kundër Duhanit, është një ditë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për dëmet e shumta që shkakton duhanpirja, që i merr jetën 7 milionë njerëzve në botë çdo vit. Në Shqipëri tre faktorët e rrezikut të vlerësuar si më të rëndësishëm që kanë ndikimin më të madh në barrën e sëmundjeve janë dieta e pashëndetshme, presioni i lartë i gjakut dhe duhanpirja. Vetëm duhanpirja është përgjegjëse për rreth 1 në 4 vdekje nga sëmundjet kronike. Gjithashtu 1 në 4 vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare ka në bazë duhanpirjen. Për tumoret ky ndikim është edhe më i lartë, duke arritur në mbi 83% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive. Në vendin tonë prevalenca ditore e duhanpirësve është rreth 48% te meshkujt mbi 15 vjeç, por vihet re një tendencë uljeje. Ndërsa te gratë, ka një tendencë rritjeje nga 5 në 10%.
Duhanpirës
Përdorimi i duhanit është një faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve koronare të zemrës, për goditjet në tru dhe për sëmundjet vaskulare periferike. Pavarësisht dëmeve të njohura të duhanit në shëndetin e zemrës, njohuritë e grupeve të caktuara të popullatës mbi duhanin, si një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare, janë të pakta. Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë botën. Përdorimi i duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij kontribuojnë në rreth 12% të të gjitha vdekjeve nga sëmundjet e zemrës. Përdorimi i duhanit është shkaku i dytë kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, pas presionit të lartë të gjakut. Në mbarë botën, përdorimi i duhanit vret më shumë se 7 milionë njerëz çdo vit, nga të cilat rreth 900 000 janë joduhanpirës që vdesin nga thithja pasive e tymit të duhanit. Përafërsisht 80% ose më shumë se 1 miliard duhanpirës në mbarë botën jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Masat e OBSH-së janë në përputhje me Konventën Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit (WHO FCTC) dhe mund të përdoren nga qeveritë për të zvogëluar përdorimin e duhanit dhe për të mbrojtur njerëzit.
Duhanpirja në vend, të dhënat
- Në vendin tonë prevalenca ditore e duhanpirësve është rreth 48% te meshkujt mbi 15 vjeç, por vihet re një tendencë uljeje. Ndërsa te gratë, ka një tendencë rritjeje nga 5 në 10%.
- Përdorimi i duhanit është një faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve koronare të zemrës, për goditjet në tru dhe për sëmundjet vaskulare periferike
- Në mbarë botën, përdorimi i duhanit vret më shumë se 7 milionë njerëz çdo vit, nga të cilat rreth 900 000 janë joduhanpirës që vdesin nga thithja pasive e tymit të duhanit
- Përafërsisht 80% ose më shumë se 1 miliard duhanpirës në mbarë botën jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.