fbpx

Aktualitet

Duke bllokuar negociatat, Macron çon më shumë azilkërkues në Francë





               Publikuar në : 10:37 - 17/10/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Është e qartë tashmë, e konfirmuar nga goja e presidentit francez Macron, se negociatat për Shqipërinë janë në teh, dhe mundësitë që ato të hapen janë minimale. Vetëm një mrekulli mund të bëjë që kjo të ndodhë, në atë samit që ka nisur sot në Bruksel.



Kreu i shtetit të dytë më të rëndësishëm në kontinent, tha se nuk ka se si të hapë negociatat me një vend që ka abuzuar me lëvizjen e lirë dhe e ka mbushur Francën me azilkërkues.


Nuk ka dyshim se Macron ka gjithë të drejtën e tij ta mbajë këtë qëndrim, qoftë edhe duke penalizuar një popull si ne, më pro-europiani në rajon.

Ai ka prioritet Francën dhe shqetësimet që sjell atje numri i lartë i azilkërkuesve dhe sidomos kostot që prodhon kjo.

Mirëpo ka një paradoks. Nëse Macron vendos të mos i çelë negociatat, e sigurtë është se më shumë shqiptarë do të braktisin vendin, dhe më shumë do të trokasin në dyert e vendit të tij.

Një vendim negativ për Shqipërinë do të asfiksojë çdo shpresë e besim në të ardhmen e vendit, dhe më shumë valixhe do mbushen e më shumë njerëz do dynden drejt aeroporteve.

Një mënyrë në fakt për të mbajtur qytetarët këtu dhe për të stimuluar edhe rikthimin e azilantëve është dhënia e një sinjali pozitiv, ndezja e një drite në fund të tunelit, siç mund të ishte nisja e bisedimeve, afrimi më tej i Shqipërisë me BE-në.

Rruga e sigurtë e zhvillimit, demokratizimit dhe e bërjes së atdheut tonë të jetueshëm, është jo izolimi më tej i vendit, por eksportimi këtu prej BE i standarteve dhe vlerave. Siç është në fakt, instrumenti gjerman.

Qasja gjermane është krejt tjetër gjë nga kjo franceze.

Gjermanët kanë treguar rrugën me stacione konkrete për ecjen e Shqipërisë përpara, në vend të një refuzimi. Kërkesat e Berlinit e ndihmojnë një vend dhe një popull si i yni, pasi rrisin presionin ndaj një qeverie të keqe, shtojnë trysninë ndaj një autokrati, tregojnë shtegun e daljes nga kriza e gjatë dhe krijojnë kushtet për përmirësimin e jetës së njerëzve.

Franca mund t’i ndalte azilantët duke përqafuar qëndrimin gjerman. Dhe nëse donte, patjetër që mund të shtonte aty kërkesa të tjera, pa fund kushte, si përshembull, kontroll më të mirë të kufinjve dhe të lëvizjes së qytetarëve.


Etiketa: , , , , ,

Pas