fbpx

Aktualitet

Zekthi: Me bashkitë, opozita i shkatërroi legjitimitetin Ramës






               Publikuar në : 10:50 - 21/09/19 |
mapo.al

Flet Fitim Zekthi, pedagog i shkencave politike


Situata politike në vend vijon të jetë në krizë, ndërsa duket se palët kanë lënë disi pas akuzat e ashpra dhe po diskutohet gjithnjë e më shumë një tryezë politike. A mendoni se mund të ketë një zgjidhje të krizës nën imponimin e faktorit ndërkombëtar, apo palët në vend janë “ndërgjegjësuar” dhe mund të shkojnë vetë drejt tentativës për një zgjidhje?



Kriza është shumë e rëndë dhe i ka kaluar me kohë përmasat e një krize politike. Kemi të bëjmë me një krizë organike, krizë të gjithanshme, e cila nuk ka lënë institucion dhe fushë të jetës së vendit pa kapur. Kriza ka në thelb të sajin politikën, ka qeverinë dhe mënyrën se si ajo kupton pushtetin dhe ligjin, se si ajo e kupton interesin publik, demokracinë dhe të drejtën. Qeveria dhe kryeministri Rama kanë shkuar aq larg në tëhuajësimin e parimeve bazë të demokracisë, respektit për ligjin dhe ndarjen e pushteteve, paranë publike dhe zgjedhjet sa nuk ka asnjë mundësi që palët vetë të shkojnë drejt zgjidhjes së krizës. Nuk ka asnjë mundësi që të kemi ndërgjegjësim të palëve. Madje unë nuk shoh fare palë. Unë shoh një pushtet autoritarist të qeverisë dhe kryeministrit i cili ka përballë një masë njerëzish, një trupë politike, një entitet publik që përpiqet të kthehet në një digë në mënyrë që ky pushtete të mos i përpijë. Pra kemi një palë dhe një digë. Nëse do të kemi zgjidhje dhe do të kemi padyshim, zgjidhja do të vijë nga presioni e ndërkombëtarëve dhe nga ngecja që do të ketë dhe që ka ky pushtet në digë.

Mbetet një nga krizat me shumë të panjohura, pasi në diskutim nuk është një çështje e vetme, por një mori problemesh. Cilat mendoni se duhet të jenë bazat e një marrëveshjeje të mundshme të qëndrueshme, pasi klasa politike ka treguar se është në gjendje të prodhojë konflikte, pavarësisht se ka pasur ndryshime kushtetuese, ndryshime të Kodit Zgjedhor me dakordësi etj., por sërish risjellin kriza, që këtë herë nuk është më vetëm politike, por edhe institucionale dhe sociale?

Që të jemi të drejtë duhet të themi se kriza jonë i ka rrënjët shumë kohë më parë por pavarësisht se rrënjët janë shumë kohë më parë këto rrënjë nuk janë ushqyer kurrë aq sa të na çojnë në këtë gjendje dramatike politike dhe sociale apo ekonomike. Madje ka qenë e mundur të paktën që prej vitit 2000 deri në vitin 2011 apo edhe 2013, që vendi të ecë përpara në mënyrë domethënëse në disa fusha. Kemi patur gjithnjë një qeveri që kishte vështirësi në kontrollin e kuvendit, një qeveri që ishte në konflikt me disa institucione, kemi patur një ekonomi që është rritur edhe deri në 8%, kemi patur investime të huaja, kemi patur gjykatë kushtetuese që rrëzonte vazhdimisht vendime të qeverive apo ligje të kuvendit, kemi patur zgjedhje të mira që kanë lejuar ndërrim pushteti dhe gara konkurruese si ato lokale të vitit të ë vitit 2003 apo 2007 dhe kemi patur sidomos zgjedhje politike që kanë prodhuar ndryshim qeverish dhe marrje të pushtetit nga opozita si ato të vitit 2005 dhe 2013.

Nga ajo kohë të gjithë këta tregues janë përkeqësuar deri sa kemi mbërritur në një qeverisje që vetëm legjitimon formalisht veten përmes vjedhjeve, manipulimeve dhe bashkëjetesës me entitete të krimit dhe korrupsionit. Duke qenë kështu marrëveshja duhet të kërkojë gjetjen e mundësive që kjo formë autoritariste e kontrollit të institucioneve dhe e bashkëjetesës me krimin të mos pengojë zgjedhjet e lira. Çdo gjë tjetër nuk do të ishte marrëveshje por mjet i thellimit të krizës. Opozita thotë se kjo bëhet vetëm nga një qeveri kalimtare. Opozita e ka rrokur drejt thelbin. Kjo krizë nuk zgjidhet kurrë me asnjë mjet pa gjetur mundësinë e çlirimit të institucioneve dhe të këputjes së mekanizmit që i zhvillon zgjedhjet nën tutoriatin e përzierjes pushtet-autoritar-krim i organizuar-para e pistë dhe nxjerr rezultatin që kërkon kjo treshe.

Deri më tani të paktën publikisht kryeministri Edi Rama vijon të mbajë qëndrimin se nuk do ketë zgjedhje të parakohshme dhe nuk e pranon që në vend ka krizë, nga ana tjetër, lideri i opozitës vijon me denoncimet, një lloj “fushate të parakohshme” në takime me qytetarë. A po përgatiten palët për zgjedhje të parakohshme dhe nëse ndodh, a ka garanci që qeveritë që do vijnë në të ardhmen të mos sjellin kriza të rënda siç ajo aktuale që po kalojmë?

Është e qartë se qeveria dhe opozita janë nën ethet e zgjedhjeve të reja. Kryeministri e kupton se ajo që ka bërë opozita ndonëse i ka dhënë atij përkohësisht më shumë pushtet duke i dhënë të gjitha bashkitë dhe të gjithë parlamentin, në të vërtetë i ka shkatërruar legjitimitetin për të vazhduar të qeverisë. Kryeministri është në kërkim në mënyrë të dëshpëruar për të gjetur një mënyrë legjitimimi që janë vetëm zgjedhjet. Kryeministri sigurisht që kërkon t’i mbajë zgjedhjet me kushtet e tij. Pavarësisht se ai thotë se do të vazhdojë të qeverisë deri më 2021 pa hyrë në zgjedhje të parakohshme ai këtë e përdor vetëm për retorikë. Para dy vitesh e disa muaj, kryeministri Rama doli në fushatë dhe thoshte se nuk kishte patur sukses gjatë katër viteve 2013-2017 sepse nuk kishte patur timon dhe tepsinë. Ai kërkonte timonin dhe tepsinë për të patur sukses. Tani ai ka dy vite që i ka edhe timon edhe tepsinë. Në fakt këto vite ai është thellë në krizë dhe në paqeverisje. Në këto vite ka shpërthyer skandali Tahiri, skandali Xhafaj, skandali Unazë e Re, skandali i koncesioneve ku dha dorëheqjen drejtoresha e rrugëve, nuk ka marrë çeljen e negociatave, opozita ka lënë parlamentin, ka mbajtur zgjedhje pa opozitën etj. Pra, ai është një zombie që nuk qeveris, është një zombie që ecën në këmbë i vdekur politikisht.


Etiketa: , , , ,

Pas