Mapo Letrare

Duke ndjekur jetën e Xhanfise Kekos





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:32 - 02/06/20 |
Nga Meri Lalaj

Kur isha studente shkoja shpesh tek shtëpia e kushëririt tim Petro Lalaj, që ndodhej përballë Urës së Tabakëve matanë lumit të Lanës. Në atë shtëpi rrethuar prej lloj lloj pemëve jetonte edhe familja Keko, Endri dhe Xhanfise me djemtë e tyre: Ilirin dhe Dorin. Vite më vonë kur ndiqja filmat shqiptarë për fëmijë të realizuar nga Xhanfiseja ndihesha e gëzuar, që e njihja atë familje. Në vitet e para të pasluftës për të ndihmuar familjen, Xhanfisesë i duhej që të punonte si shitëse biletash tek kinema „Republika“. Për vajzën e re gjirokastrite ky ishte kontakti i parë me filmin. A mund ta përfytyronte ajo asokohe se do të vinte një ditë kur sallat do të mbusheshin plot me njerëz për të parë filmat e saj?


Xhanfise dhe Endri Keko ishin ndër kuadrot e para shqiptare, që vajtën në Moskë për të studiuar kinematografi dhe ata ishin të parët që filluan punë në Kinostudion „Shqipëria e Re“ e sapondërtuar në vitin 1952. Veç të tjerash Kinostudio ka qenë një shkollë e vërtetë për të gjithë operatorët, regjisorët, montazhierët që u përgatitën me përkushtim nga puna e palodhur e regjisorëve të parë si: Viktor Gjika, Kristaq Dhamo, Ata gjithçka që dinin ua jepnin të tjerëve pa ngurrim sepse arti bëhet vetëm me dashuri.


Në fillim Xhanfiseja punoi montazhiere, më vonë xhiroi dokumentarë, pastaj punoi si regjisore montazhi për filmat artistikë dhe më tej iu përvesh vetë punës duke xhiruar filma artistikë me temën e fëmijëve. Një jetë e tërë midis fëmijëve duke i përzgjedhur nëpër shkolla e kopshte dhe kështu do të bëheshin aktorë: Herion Mustafaraj, Genci Mosho, Adrian Laperi, Gentian Basha, Selma Sotirllari, (Tullumbacja)  Zhaklina Dhimojani, Anila Kardhashi, e plot të tjerë. Xhanfiseja mbante lidhje të vazhdueshme me shumë mësues dhe mësuese në disa qytete të Shqipërisë, ata i shkruanin për gjëra të veçanta, që vërenin tek nxënësit e tyre dhe këto vëzhgime regjisorja i përpunonte më tej në mënyrë artistike duke i futur si elementë të natyrshëm në filmat e saj.


Në punën  e saj, Xhanfiseja, gjithnjë ka patur ndihmën e paçmuar të shokut të saj të jetës, regjisorit Endri Keko, i cili e porosiste ngahera: “Aty qëndro tek filmat për fëmijë se aty e ke zemrën!” Po ashtu Xhanfiseja ka patur një bashkëpunim të ngushtë me shkrimtarë  si Nasho Jorgaqi, Bedri Dedja, Bashkim Hoxha dhe sidomos me Natasha Lakon, që ishte edhe  skenariste e Kinostudios. Artistë të shquar të skenës dhe ekranit kanë luajtur pëerkrah aktorëve të vegjël në filmat e regjisores Xhanfise, këtu mund të përmendim: Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Dhorkë Orgocka, Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Marjeta Ljarja e të tjerë.  Vlen të përmendet edhe bashkëpunimi me kompozitorët si Robert Radoja, Aleksandër Peçi, Aleksandër Lalo etj. Me thjeshtësinë e saj Xhanfiseja tregon se asgjë nuk do të kishte arritur vetëm me punën e saj pa patur mirëkuptimin e autorëve të skenareve, muzikën e kompozitorëve, interpretimin e aktorëve të mëdhenj e të vegjël dhe sakrificat e pafund të operatorëve, që kanë punuar me të: Ilia Tërpini, Petraq Lubonja, Saim Kokona, Pëllumb Kallfa, Faruk Basha.


Ndër filmat më të spikatur të regjisores Xhanfise Keko mund të përmendim: „Beni ecën vetë“, „Pas gjurmëve“, „Tomka dhe shokët e tij“, „Kur xhirohej një film“, „Një vonesë e vogël“, „Taulanti kërkon një motër“. Në vitin 1976 u organizua    Festivali i parë i Filmit Shqiptar dhe filmi „Beni ecën vetë“ fitoi çmimin e parë, po në këtë vit në Festivalin e Filmit në Beograd fiton çmimin e Organizatës së Pionierit. Në vitin 1978 në Festivalin e Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Xhifone të Italisë fiton çmimin special. Në vitin 1979 filmi „Pas gjurmëve“ fiton Medaljen e Presidentit të Republikës Italiane. Filmi „Kur po xhirohej një film“ në vitin 1983 në Festivalin e Pestë të Filmit Shqiptar fiton çmimin e tretë dhe po këtë vit medaljen e argjendtë në Xhifone – Itali.

Regjisorja Xhanfise Keko rrëfehet se nuk ka punuar për të marrë tituj, „por për të bërë art, për të dhënë diçka nga shpirti im për popullin tim dhe ndihem tepër e nderuar dhe e vlerësuar kur njerëz të thjeshtë të panjohur më ndalin dhe më falenderojnë për kënaqësinë që kanë marrë prej filmave të mi“.

Ajo është nderuar me disa tituj: Çmimi i Republikës në vitin 1979, po në këtë vit merr titullin „Artiste e Merituar“, në vitin 1984 merr titullin e lartë „Artiste e Popullit“, ndërsa në vitin 1998 fiton „Çmimin e Karrierës“ në Festivalin e Filmit në Çekosllovaki.  Siç ka treguar operatori Petraq Lubonja, kur në Greqi (para viteve 90-të) shfaqej një film i Xhanfise Kekos dhe pyetën për emrin e regjisorit të filmit u habitën shumë kur morrën vesh se ishte një grua. „Ju në Shqipëri paskeni grua regjisore ndërsa ne nuk kemi!“

Në ato vite që Xhanfiseja ishte larguar nga xhirimi i filmave pati një brengë të madhe sepse askush në Shqipëri nuk po realizonte më një film për fëmijë në njëzetë e më shumë vitet e fundit. Po kështu regjisorja ka ikur nga jeta me mallin për dy djemtë e Dorit: Martinin dhe Elion si edhe për Denisën, vajzën e Ilirit, të cilët studiojnë jashtë shtetit dhe ka pritur gjatë për ardhjen e tyre me pushime verore apo për të dëgjuar zërin e tyre në telefon siç bëjnë mijëra gjyshër dhe gjyshe në vendin tonë.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas