Në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, këtë të premte përfaqësues nga 29 vende, që janë pjesë e kësaj organizate, do të mblidhen në Tiranë.
Në kujdesin e Ministrisë së Mbrojtjes, në kryeqytetin shqiptar do të zhvillohen një sërë aktivitetesh të nivelit të lartë, duke filluar që prej orës 11:00 në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Pjesë e aktivitetit do të jenë ministra të Mbrojtjes dhe shefa shtabesh të vendeve anëtare dhe komandave të NATO-s, ambasadorë, atashe të akredituar në vendit tone, parlamentarë, flamurtarë të vendeve anëtare të NATO etj.
Për të lajmëruar festimet, Ministria e Mbrojtjes ka përgatitur një spot që është shpërndarë me sponsorizim nëpër rrjetet sociale. Ajo që bie në sy është se teksa flitet për 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO, në spot nuk ka asnjë pamje apo referencë ndaj faktit që ky anëtarësim u mundësua gjatë qeverisjes së PD.
Disa komentues kanë ironizuar, duke thënë se të krijohet ideja sikur Shqipërinë në NATO e ka futur Edi Rama.
Qeverisja e këtij të fundit ka bërë pak përparim në arenën ndërkombëtare sa i përket integrimit apo çështjeve të tjera. Së fundmi është raportuar nga gazeta më e madhe holandeze se edhe një arritje e rëndësishme si heqja e vizave mund të kërcënohet.