Në një intervistë në ABC në mbrëmje, Grida Duma, teksa po analizonte situatën politike, rrëfeu një incident që sipas saj kishte ndodhur sot në Bulevard, që nuk e ka parë media dhe publiku. Teksa turma e protestuesve po i afrohej Kryesisë së Kuvendit, ku lidershipi i PD do të dorëzonte mandatet, një numër i madh makinash eskorte të gardës, me perde të zeza, të ndodhura pranë kryeministrisë, kishin reaguar duke u vënë në lëvizje, për t’u krijuar idenë protestuesve se aty ndodhej Edi Rama. Në fakt, sipas saj protestuesit u vunë menjëherë në lëvizje dhe pati një shpërthim sharjesh prej tyre dhe një përpjekje për t’u afruar.
Eskorta më pas iku. Duma tha se pak më vonë u mësua se makinat ishin bosh, dhe se Rama ishte larguar nga kryesia e Kuvendit ku gjendej në një takim me Ruçin, nga një drejtim tjetër, pak para se protestuesit të mbërrinin aty. Duma e quajti këtë një skenar të ulët të tipit të sigurimit të shtetit për të provokuar protestuesit. Çka sipas saj, tregon se sa pak serioz është ky shtet.
/Gazeta Mapo/