Një person u përplas për vdekje nga një makinë pasditen e sotme në Durrës.
Sipas njoftimit të policisë, viktima nuk është identifikuar ende. Ai u përplas në lagjen nr.17 të qytetit rreth orës 17:45, teksa po udhëtonte me biçikletë. Ai ndërroi jetë rrugës për në spital.
Drejtuesi i makinës, shtetasi me iniciale D.K. u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë në Durrës.
Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes nga Policia e Durrësit, ora shënonte rreth 17:45, kur pranë drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore (në lagjen 17), një mjet me targa “AA 787 RZ” me drejtues D.K. ka aksidentuar një shtetas i cili udhëtonte me biçikletë.
Ky i fundit ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
“Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës për kryerjen e veprimeve të mëtejshëm procedurale”, njofton Policia, ndërsa në vendngjarje ndodhen efektivë të Policisë, të cilët po punojnë për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Automjeti tip “Volksvagen”, pasi ka përplasur personin me biçikletë, ka përfunduar brenda ambienteve të një biznesi.