Nga Mark Brunga
Në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar, një skaf italian i ngarkuar në kalatën 0 të portit, sapo del jashtë basenit, përplaset në një objekt nënujor dhe i çahet pjesa e bashit, në krahun e djathtë. Hambari që ishte mbushur me cigare merr ujë dhe stekat me cigare të shumëllojshme dalin jashtë në sipërfaqe të detit. Era maister, siç i thonë detarët, i shpuri ngarkesat me cigare të çmuara drejt brigjeve të plazhit. I gjithë bregdeti i Durrësit u mbush me cigare, të cilat u mblodhën nga popullsia e zonës. Në breg u shfaq edhe ushtria për të mbledhur, por me pak vonesë. Popullsia mblodhi një sasi të madhe dhe për shumë kohë konsumoheshin lirshëm në qytet. Ishin cigare të rralla, që nuk ishin parë gjëkundi, por vetëm nëpër filma modernë hollivudianë të tipeve Marlboro, Chesterfield, Multifilter, Puro etj. Skafi u nxor në breg në ish-rajonin e kantierit të vjetër detar dhe u mor përsipër që të riparohej nga një ekip i këtij kantieri. Në atë kohë në këtë kantier punonin një ekip i shkëlqyer specialistësh, si: Tasim Balla, Stilo Pali, Muho Kacerja, Ron Zhura, Muhamet Tula, Ymer Karaboja etj., të cilët i bënë një riparim të shkëlqyer pjesës së çarë si rindërtim të sipërfaqes së dëmtuar tërësisht dhe ndërrim majere e veshje të jashtme të bashit të skafit prej druri. Më pas u krye kallafatimi, lidhja me bulona etj. Ndërkohë pjesëtarët e ekuipazhit të skafit rrinin në kantier krejtësisht të lirë duke pirë kafe me punëtorët në kafenenë e kantierit, një kafene mikse ngjitur me magazinat e vjetra dhe ish-drejtorinë e kantierit të asaj periudhe. Të gjithë e dinin se ata ishin kontrabandistë italianë. Një veprimtari sekrete që e dinin të gjithë se si zhvillohej dhe se ku zhvillohej me bekimin e shtetit komunist. Cigaret ishin të sjella në Shqipëri nga një kompani import-eksporti frankozvicerane “Vanawer Ltd”. Për t’i sjellë deri në Durrës në magazinat e Kodrës së Rrashbullit ku ishin dhe depo të rezervave të shtetit, vinin kamionët e TIR-it, me pas ato ngarkoheshin në skafe brenda portit me fuqi punëtore të përbërë nga ushtarë që kryenin shërbimin ushtarak pranë trupave të Ministrisë së Brendshme, por që nuk kishin uniformat klasike. Në vend të tyre ata ishin të veshur me kostume sportive. Të të huajt e ekuipazhit të skafit në kantier binte në sy që vinte shpesh oficeri i vjetër i shërbimeve sekrete Qazim Myftiu, padrinoja i kësaj kontrabande, i njohur si Sinjor Antonio. Drejtuesi fuqiplotë i Albtransit, që kishte marrë formën e një punto franko-je për magazinimin, manipulimin dhe livrimin e cigareve të kontrabandës ndërkombëtare që luhej në këtë periudhë. Kryesisht të markave: Marlboro red dhe Marlboro box të Philip Morris, si dhe Winston. Po ashtu, dhe markat dytësore Kim, Murati Ambasador, Lucky Strike, Dunhill, Chesterfield etj.
KONTRABANDA E CIGAREVE NË DURRËS
Për kontrabandën e zhvilluar të cigareve në Durrës është shkruar shumë. Kjo kontrabandë, e zhvilluar zyrtarisht nga shteti nëpërmjet një ndërmarrjeje të ngritur enkas që administrohej nga Sigurimi i Shtetit, ka nxjerrë në dritë shumë të dhëna, por edhe shumë legjenda, të cilat ende përfliten në rrethet qytetare të Durrësit. Mes të cilave thuhet se është zhvilluar edhe tregtimi i armëve automatike të prodhuara në uzinat sekrete të vendit në Poliçan e Gramsh. Skema se si funksiononte kjo kontrabandë shtetërore ishte sikurse është deklaruar: Në përpunimin e mjeteve detare që ngarkonin për llogarinë e Albtransit, në një bankinë të veçantë të Portit të Durrësit të njohur si kalata 0, merrnin pjesë entet portuale: Agjencia Detare Shtetërore e Portit Durrës, Kapiteneria e Portit, Interklubi dhe Kantieri Detar; pika e kontrollit të Kalimit të Kufirit; ushtarët e magazinës së Albtrans-it në dinamikën e tyre, të cilët merreshin me ngarkimshkarkimin nga batalioni i sigurimit, njësitë ushtarake të mbrojtjes bregdetare, pikat e kalimit të kufirit Hani i Hotit, QafëThanë, Kakavijë, Rinas etj. Jashtë shtetit e njihnin partnerët e biznesit, shoqëritë e transportit, që e transportonin mallin nga Europa Veriore dhe Qendrore në adresën e plotë: Rrashbull–Durrës–Albania. Kjo adresë njihej nga shoqëritë e sigurimeve të mallit etj. Peshkatari Pask Allkanjari tregonte se lëvizjet e skafeve ishin të dendura në një periudhë me drejtimin Durrës-Itali. Më pas me skafet u shtua transporti me anije. Transport për të cilin drejtuesi i kësaj veprimtarie pas daljes në pension të Myftiut, Lorenc Nënshati, në kujtimet e tij shkruan se një sasi malli shkonte edhe me anije. Sidomos ato që i adresoheshin Spanjës.
KONTRABANDA DHE NËNKATET E SAJ
Kontrabanda është zhvilluar për një kohë të gjatë. Nga viti 1967 deri në vitin 1991. Gjatë kësaj periudhe, duke qenë se fluksi i stekave të duhanit që qarkullonin ishte i madh, kishte edhe rrjedhje të këtij artikulli. Kryesisht nga ushtarët që përdoreshin për ngarkim-shkarkim në maunet e transportit, si dhe në skafet që i kontrabandonin në Itali. Po ky artikull binte kryesisht në duar të marinarëve të anijeve tregtare, të cilët i shkëmbenin më pas në tregjet e huaja me mallra të tjera deficitare në Shqipëri duke siguruar të ardhura të konsiderueshme. Një lloj varianti i kontrabandës që ishte transferuar gradualisht nga shteti tek individë të veçantë që guxonin ta sfidonin atë. Ishte një nënkat i kontrabandës. Në vitin 1988, ka qenë një natë me lagështirë vjeshtore, në Durrës pati reprezalje policore në port dhe jashtë tij. Gjatë kësaj nate një numër personash kishin përfunduar në qelitë e Degës së Punëve të Brendshme. Ndërkohë u kryen edhe kontrolle në banesat e tyre ku u sekuestruan një sasi e madhe materialesh importi duke përfshirë rroba, orë, magnetofonë dhe valutë. Deri dhe cigare Marlboro, të cilat përdoreshin ashtu si valuta, për shkëmbime me mallra me marinarët e huaj në hambarët e anijeve që ngarkoheshin në port, ose merreshin prej marinarëve të anijeve shqiptare dhe shkëmbeheshin në Itali me materiale të tjera. Për rastin në fjalë shkëmbimet ishin kryer në një anije vietnameze. Cigaret Marlboro po përdoreshin nga kontrabandistet si një lloj kleringu. Ndërsa oficerët madhorë të shërbimeve sekrete shiheshin më shpesh në interklubin e portit dhe në hotel “Vollga” e “Dajti” duke konsumuar cigare elite origjinale të markave më prestigjioze amerikane. Po ata nuk bënin kontrabandë në këtë rast, por kishin lidhje shumëplanëshe me këtë veprimtari me origjinë burimi depot e Rrashbullit, në kodrat periferike të qytetit të Durrësit. Po nga buronte kjo “kontrabandë e vogël”? Nenshati shkruan në kujtimet e tij se malli kishte dhe firot e veta. Në vitet e fundit magazinieret ia hidhnin sy më sy për një ose 2 kasa cigaresh më pak kur malli ngarkohej në mjetet detare. Të gjithë punonjësit pinin cigare Marlboro, të cilat i merrnin nga magazina, por edhe nga mjetet detare kur lëvronin mallin. Marinarët e huaj dorovitnin cigare, edhe ata kishin një buxhet cigaresh për të stimuluar marrëdhënie të mira me punonjësit e Albtrans-it. Në vitin 1991, fenomenet e vjedhjes, sikurse tregon Nenshati, u bënë shqetësuese. Ushtarët filluan të vjedhin aq shumë sa krijuan deficite inventari. .. “Një herë shkuam ne vetë në batalion dhe i zgjodhëm. Po të nesërmen konstatuam”, vijon Nënshati, “se nuk ishin të gjithë të zgjedhurit tanë, midis tyre na kishin sjellë hajdutërinë e batalionit të Sigurimit, të instruktuar apostafat për të vjedhur cigare… Kjo nuk ishte punë ushtarësh, ishin oficerët që i kurdisnin vjedhjet nëpërmjet ushtarëve …”.
PERSONELI I HUAJ QË OPERONTE NË TRANSPORT
Sipas drejtuesit të viteve të fundit të veprimtarisë së Albtrans-it, Lorenc Nënshati, kontrabandistët kishin nivel shumë të ulët edukues dhe shkollor. Asnjëri prej tyre nuk e kishte kryer shkollën e mesme “inferiore” të detyrueshme, sipas ligjeve të vendit të origjinës, madje dominonin gjysmanalfabetët. Puna individualiste që bënin i kishte shkëputur pothuajse nga ndjenjat e vërteta njerëzore. Që të vegjël hynin në rrethin e kontrabandës së cigareve, trashëguar nga gjyshi e babai. Nga edukimi i dobët ata kishin edhe plot të meta në karakter. Si kontingjent pune spiunllëku, thekson Nënshati, ata ishin të përshtatshëm për forcat speciale të Rojeve të Financës italiane, të cilët e kontrollonin kontrabandën e cigareve nëpërmjet kontingjentit kontrabandist. Për asnjërin prej tyre nuk mund të vihej dora në zjarr se nuk ishte agjent i asaj arme të fuqishme në det dhe në tokë. Parimi i skafistëve ishte përdorimi i lojës së dyfishtë: denonconin kolegët e tyre, për të privilegjuar realizimin e punës së vet. Puna e tyre ishte të ngarkonin mallin nga bankina apo nga anijet “mëma” në det të hapur dhe të gjenin rastin, me çdo kusht, ta dorëzonin atë në tokën italiane pa u diktuar, me dredhi apo duke rrezikuar edhe jetën në çdo kohë. Kjo punë u jepte të ardhura të mira.
SI NDIQESHIN ANIJET E KONTABANDËS NGA VROJTUESIT E REGJIMENTIT
Në atë kohë dihej se në Port zhvillohej kontrabanda e cigareve nën kujdesin e seksioneve të veçanta të Sigurimit të Shtetit. Ardhja dhe largimi i tyre ndiqej me vëmendje nga zbulimi i Regjimentit të 4-t të Artilerisë Bregdetare të Durrësit. Sipas ish-Shefit të Shtabit të këtij regjimenti, Vladimir Duda, për ardhjen e anijeve të kontrabandës në Durrës, përgjegjësi i grupit të drejtimit merrte njoftim 24 orë më parë. Në këtë njoftim paraprak merreshin të dhënat specifike të çdo skafi ose mjeti tjetër që do të hynte ose do të dilte nga porti i Durrësit. Më pas përgjegjësi i grupit të drejtimit do të njoftonte të gjitha pikat e zbulimit për numrin e anijeve të kontrabandës që do të lëviznin, drejtimin, kuadratin e sektorit detar ku do të kalonin, si dhe orën e saktë. Zbuluesit me t’i pikasur në thellësi raportonin menjëherë dhe i ndiqnin deri në hyrjen e tyre në port.
FUNDI I “ALBTRANS-it”
Në vitin 1991 veprimtarisë së kontrabandës i erdhi fundi. Albtrans kishte filluar me një saldo pozitive fitimi prej 1 milion dollarësh dhe kishte arritur në një fitim prej 40 milionësh në vitin 1991. Albtrans, sipas drejtuesve të saj, ishte një ndërmarrje kapitaliste që e tregoi superioritetin brenda ekonomisë së atrofizuar të shtetit komunist pasi 3-4 vite para tranzicionit në bankë nuk hynte asnjë valutë e huaj. Tregtia e Jashtme ishte e bllokuar në llogaritë bankare nga borxhet. Të vetmet burime ekonomike në valutë për shtetin ishin të ardhurat e Albtrans, që kishin arritur në 40 milionë dollarë në vit.