Aktualitet

DW: Protestë e gazetarëve kundër miratimit të Paketës Antishpifje








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:39 - 18/12/19 |
mapo.al

Protesta që po zhvillohen sot nga gazetarët para Parlamentit është e paralajmëruar. Këshilli Shqiptar i Medias, paralajmëroi një valë protestash, nëse qeveria Rama nuk tërheq dy projektligjet e Paketës Antishpifje.


Qeveria Rama nuk ka tërhequr projektligjet. Seanca e sotme plenare ku pritet të votohen dy projektligjet është e jashtëzakonshme. Pasi seanca e fundit e zakonshme për këtë vit do të zhvillohet nesër, më 19 dhjetor. Kryetari i Këshillit Shqiptar të Medias, Kolorero Cukalla tha për DW se protesta e sotme zhvillohet me sloganin “Mos na prek fjalën”, drejtuar kryeministrit Rama.


“Në protestë do të dalim me shami të zezë të lidhur në gojë. Policia nuk na dha leje për të zhvilluar protestën para Parlamentit për aq kohë sa do të zgjasë protesta, por ne do të dalim, pasi gëzojmë të drejtën e tubimit. U kemi bërë thirrje të bashkohen me ne qytetarëve, kufizimi i lirisë së shprehjes, që sjellin dy projektligjet cënon cdo qytetar”, tha Koloreto Cukalla.


Shqetësim vendas dhe ndërkombëtar


Të gjitha gjasat janë që dy projektligjet të miratohen nga maxhoranca socialiste, pavarësisht nga shqetësimet e ngritura nga gazetarët, faktori vendas dhe ndërkombëtar.


Presidenti Meta bëri thirrje të martën, (17.12.2019) që të meren parasysh shqetësimet e gazetarëve dhe ndërkombëtarëve pasi “pa një media të lirë, rruga e Shqipërisë drejt Europës është e pamundur.”

Kreu i PD dhe opozitës jashtë parlamentit, Lulzim Basha në një tryezë për liriunë e medias tha se “opozita do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme brenda dhe jashtë vendit për ta pezulluar, sprapsur dhe anuluar”. Basha i quajti 2 projektligjet e Paketës Antishpifje “masa arbitrare”.

Komisionerja e Lartë e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, i konsideroi të martën, (17.12. 2019)  dy projektligjet e Paketës Antishpifje “shkelje të standarteve europiane të të drejtave të njeriut, që kanë nevojë urgjente për përmirësim. Shumë nene nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe europiane të të drejtave të njeriut, të cilat mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias”.

Ajo shprehu në veçanti shqetësimin “për fuqinë që u jepet organeve rregullatore për të imponuar gjoba të tepërta dhe për të bllokuar faqe interneti pa urdhër gjykate si edhe për vendosjen e rregullimit shtetëror për median online, gjë që mund t’i japë një goditje të fortë lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në vend. Ka rëndësi të jashtëzakonshme që të sigurohemi që interneti të një forum publik dhe të mbizotërojë vetërregullimi në media, përfshirë edhe median on line”.

Dunja Mijatoviq i bëri thirrje Parlamentit të rishikojë draftet aktuale të Paketës Antishpifje dhe “t’i sjellë ato në përputhje me standardet e Këshillit të Europës dhe çështjet gjyqësore të vendosura në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut”.

Delegacioni i BE, bëri me dije të martën (17.12. 2019) se Komisioni Europian u ka bërë thirrje “autoriteteve të marrin parasysh komentet e OSBE dhe rekomandimet e Këshillit të Europës, që të sigurohet përputhshmëria me standardet europiane në fushën e medias”. Rekomandimet përfshijnë edhe me sigurimin e shqyrtimit të pavarur gjyqësor të ankesave lidhur me mediat dhe forcimin e trasparences së pronësisë së mediave në Shqipëri.

“Ligji është dakorduar…”

Kryeministri Rama në një postim në median sociale ka bërë me dije se dy projektligjet që përbëjnë Paketën Antishpifje do të miratohen sot në Parlament, “pas një pune pothuajse njëvjeçare me OSBE dhe i dakortësuar 100 përqind me ekspertët e Vjenës nën drejtimin e Harlem Desir, përfaqësues i OSBE për lirinë e shtypit, organizatës ku Shqipëria merr presidencën e radhës”. Në postimin e përmendur më lart,  Rama shpreh “keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë, për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat dhe për të gjithë bashkë që as nuk e kanë lexuar tekstin”.

Kundeërshtrimi kryesor për të cilin komuniteti i gazetarëve proteston sot janë kopetencat qe dy projektligjet i japin Autoritetit të Mediave Audio-Vizuale në një gjykatë që gjykon nëse një media, kryesisht portalet online ka shpifur ndaj individit dhe ka cënuar reputacionin e tij dhe kopetencat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për të gjykuar rastet kur një media apo portal online shpif apo cënon dinjitetin e individit dhe caktimin e për të vendosur gjoba apo mbyllur aksesin në territorin e Shqipërisë të faqeve të caktuara online. Këshilli Shqiptar i Medias është shprehur se Paketa Antishpifje drejtoihet kundër portaleve kritike ndaj qeverisë. Dw.com


Etiketa:

Pas