Kryesore

DW: Shqipëria diktaturë mjekësore dhe elektronike pa konsulta?





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:09 - 06/05/20 |
mapo.al

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal të Shqipërisë u bënë pa dëgjesa publike. Sipas ekspertëve nëse do të kishte Gjykatë Kushtetuese funksionale, këto ndryshime me shumë gjasa do të shpalleshin antikushtetuese


Ndryshimet e fundit në Kodin Penal mes shumë debatesh dhe zërash pro e kundër, ngritën pretendimet se nuk u konsultuan me grupet e interesit dhe se opinioni publik u vu para një fakti të kryer. Gjatë viteve të fundit aktivistë të shoqërisë civile dhe ekspertë kanë vënë theksin tek mungesa e dëgjesave/konsultimeve publike në Shqipëri.


Ligji “Për konsultimin publik” hyri në fuqi në maj të vitit 2015 dhe parashikon që para miratimit të një projekt-akti, që mund të jetë ligj, strategji apo politika me interes të lartë publik, organet publike dhe kryesisht ministritë, duhet detyrimisht të zhvillojnë konsultimin publik.


Ndryshimet në Kodin Penal – fakt i kryer?


Dr. Irena Dule, avokate dhe eksperte ligjore pranë Qendrës “Res Publica” argumenton për Deutsche Welle se këto ndryshime nuk duhej të ishin miratuar me procedurë të përshpejtuar. “Ligji për konsultimin publik e përjashton detyrimin e organeve publike për të zhvilluar dëgjesa publike, për aktet që miratohen gjatë dhe në kushtet e emergjencës civile, në të cilën gjendemi. Nga ana tjetër, ndryshimet e Kodit Penal nuk duhet të bëheshin me procedurë të përshpejtuar, pasi Kushtetuta (neni 83, pika 3) nuk e lejon një gjë të tillë.

Procedura e përshpejtuar gjithashtu e shmang konsultimin publik. Nëse do të ishte respektuar Kushtetuta dhe do të ndiqej procedura e zakonshme, këto ndryshime do të kishin kaluar nga dëgjesat/konsultimet publike. Legjislacioni është dhe duhet zbatuar në harmoni, pasi vetëm kështu ruhen ekuilibrat.

Ligji për konsultimin publik vërtet ka përjashtuar nga fusha e zbatimit aktet që miratohen në situatë emergjente, por ligjvënësi ka bërë këtë rregullim duke pasur në vëmendje, që në këto situata nuk miratohen akte që për nga rëndësia janë të paprekshme lehtësisht, siç janë Kodet.”

Albanien Tirana | Rechtsexpertin | Irena Dule (privat)Irena Dule, avokate dhe eksperte ligjore pranë Qendrës “Res Publica”

Sipas Dr. Irena Dule një gjë të tillë nuk e morën në konsideratë.

“Nuk u kursye shkelja e Kushtetutës as, nga deputetët që e votuan, e për mendimin tim, njësoj nga ata që abstenuan dhe as nga Presidenti, si organi garant i Kushtetutës. Nëse do të kishim një Gjykatë Kushtetuese funksionale, ky ndryshim i Kodit me shumë gjasa do të ishte shpallur antikushtetues”.

Antikushtetuese i cilëson këto ndryshime në Kodin Penal edhe aktivisti i njohur i shoqërisë civile, Dr. Erion Kristo, njëkohësisht pedagog në Departamentin e Shkencave Politike në universitetin “Marin Barleti” dhe gazetar i televizionit “Scan”. “As ata që hiqen si dashnorë të Kushtetutës nuk mbajtën qëndrimin e duhur. Nëse deri dje ishin ulur në gjunjë duke ngritur popullin në këmbë për punë procedurash, kësaj radhe kishin harruar ta lexonin Kushtetutën dhe procedurat.

Ata e lexojnë Kushtetutën vetëm në ato pjesë që u interesojnë. Si ata që nuk duan të hanë spinaqin dhe hanë vetëm mishin në një gjellë. Jo vetëm që nuk pati dëgjesa publike, por u sajuan konsultime, të gjitha në kundërshtim me ligjin. Arsyetimi ishte vakumi. Por vakumin kush e krijoi? Dhe kështu miratuan dy nene qesharake, njëri prej të cilëve bie ndesh shprehimisht me Kushtetutën, sepse Kushtetuta e përcakton qartë, se askush nuk mund të dënohet me burg pa ligj. Ndërsa neni i ri të dënon dhe me akt nënligjor” – argumenton Kristo për DW.

Albanien Tirana | Professor und Aktivist | Erion Kristo (privat)Erion Kristo, aktivist i shoqërisë civile

Transparencë e mjaftueshme?

A pati mjaftueshëm transparencë deri në këtë fazë të pandemisë? “Ne sot jetojmë në një diktaturë mjekësore, apo në një diktaturë elektronike. Gjithë popullsia lëviz në bazë të një portali. Edhe pse mjekët nuk dinë shumë për koronavirusin, përsëri marrin atribute që cenojnë rëndë të drejtat e njeriut. Ka një komitet që është i formuar me drejtorë të ministrisë përkatëse.

Por në këtë komitet mungojnë figura të spikatura të jetës së vendit. Është një komitet pothuaj i panjohur. Ka disa që flasin në emër të tij, dhe disa të tjerë që flasin, por nuk janë pjesë e tij. Ky komitet nuk ka në përbërje të vet asnjë ekspert ekonomie, asnjë psikolog, asnjë sociolog” – thotë Kristo.

Nga ana tjetër, debati i përhershëm në Shqipëri që “ligjet janë të mira, por nuk zbatohen” ekziston edhe në rastin e dëgjesave/konsultimeve publike. Një vit më parë, në një monitorim të kryer nga Qendra Ligjore “Res Publica” dolën në pah shumë mangësi në zbatimin e ligjit “Për konsultimin publik”.

“Në përgjithësi mund të themi se konsultimi publik nuk duket se paraqet interes të çiltër për qeverinë, por as motivim për vetë publikun. Sipas monitorimeve të kryera nga Qendra ligjore “Res Publica” (i fundit në prill 2019), një numër i madh draftesh nuk konsultohen fare, ndërsa për një pjesë tjetër konsultimet kryhen sa për sy e faqe”.

Ekspertja Dule ka evidentuar gjatë këtij monitorimi se për ligjet me impakt të lartë në publik konsultimi publik nuk është efektiv. “Do të doja të theksoja se në procesin e konsultimit publik nuk angazhohen ekspertët dhe qarqet universitare, të cilat kanë kapacitete të jashtëzakonshme dhe mund të jepnin një kontribut me vlerë në hartimin e ligjeve” – shprehet Dr. Dule.

(Mos)Reagimi qytetar

Edhe pse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, dëgjesat publike kanë një rëndësi të veçantë për të drejtat e njeriut. “Dëgjesat publike nuk janë çështje e të drejtave të njeriut. Të paktën në mënyrë direkte ato nuk hyjnë te kjo fushë, por në mënyrë indirekte sigurisht ato ndihmojnë në garantimin e të drejtave të njeriut, pasi sigurojnë tërheqjen e opinioneve nga grupet e interesit, të cilët promovojnë edhe të drejtat e njeriut, në procese vendimarrëse” – thotë ekspertja Dule.

E kur flitet për të drejtat e njeriut dhe reagimin e qytetarëve shqiptarë, ka gjithmonë polemika. Sipas aktivistit Kristo, janë të rralla kombet që po heqin dorë nga liria e tyre sot në botë. “Gjermanët, amerikanët, ukrainasit, izraelitët, çekët, rumunët, së fundmi dhe italianët, dolën nëpër sheshe. Sepse ata dinë të reagojnë. Ne me zor u bëmë pesë vetë për të reaguar në fejsbuk.

Nëse mendoni se gjykimi im është i telekomanduar, ju vë në dijeni se vetë Kryetari i OKB-së është shprehur haptazi se po cenohen liritë dhe të drejtat e njeriut, se qeveritë po shfaqin autoritarizëm. Vetë gjykata çeke është shprehur kundër rregullave duke mos i gjetur në përputhje me parimet kushtetuese”.

Por pavarësisht situatës, Kristo shprehet optimist. “Bota po reagon. E rëndësishme është që në këtë botë ka dhe njerëz që nuk e hanë sapunin për djathë. Shqiptarët e kanë më kollaj ta shkelin ligjin, sesa të reagojnë së bashku kur ligji bëhet shtypës. Mungesa e korit dhe e tenorëve po ndihet.” Megjitatë në Shqipëri ka edhe protesta thotë Kristo, duke përmendur reagimet e banorëve të Beratit apo të punonjësve në Fier.

/DW.COM/


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas