Editorial

Dy fjalë para se të kalojmë nga llumokracia në idiokraci






               Publikuar në : 09:40 - 29/06/19 |
Nga Enton Palushi

Nga Enton Palushi


Shqipëria do të shkojë të dielën në zgjedhjet e para paskomuniste pa opozitën. Historia është e thjeshtë: pas 30 vitesh, vendi ynë është i vetmi në Europë që nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita nuk pranon të futet në një proces ku garancitë duhet t’i japë një qeveri e kapur me ‘presh në duar’ nga përgjimet e publikuara prej gazetës më të madhe në Europë.



Megjithatë Edi Rama dhe qeveria e tij duken të vendosur në rrugën e nisur drejt zgjedhjeve pa rival. Interesant është se këto ditë, një kolege ka publikuar një fjalim të kryeministrit Edi Rama, të mbajtur në vitin 2009, kur ai ishte në opozitë. Fjalimi i titulluar ‘Llumokracia’ mund të duket shumë aktual. Rama ankohet se si pushteti e quan opozitën si të keqen më të madhe në vend; se si disa ndërkombëtarë, mes tyre edhe KE, po favorizojnë një qeverisje të korruptuar, e cila prek zgjedhjet; se si një dorë biznesmenësh të babëzitur po marrin gjithçka; se si mediat kryesore televizive janë kthyer në banjo publike etj. Pyetja që lind është se përse pas një dekade, Shqipëria jo vetëm duket se ka mbetur vendnumëro, por llumokracia është bërë kapicë dhe po i merr frymën vendit? Arsyeja është më e thjeshtë nga sa mendohet: Shqiptarëve duket se u mungon dimensioni historik i të menduarit. Ky nuk është një problem vetëm shqiptar. Filozofi gjerman Hegel shkruante para më shumë se dy shekujsh se “i vetmi leksion që na mëson historia është se askush nuk ka mësuar gjë nga historia”. Por teksa Hegel shkruan se kur bie fjala te historia, ne jemi produkt i vetes sonë, atëherë ajo që kemi krijuar si shqiptarë deri më tani, ka qenë një lemeri. Edhe një nga mendjet më brilante të kohës sonë, profesori James Flynn thotë se problemi i madh sot është se njerëzit nuk janë të përfshirë seriozisht në analizën komplekse të së shkuarës. “Ata nuk janë më ndryshe nga fshatarët mesjetarë, që janë të ankoruar në botën e tyre të vogël, pa një dimension historik”, thotë ai. Si rezultat, kemi krijuar një model që ngjan si idiokraci, ku njerëzit kanë pikëpamje krejt të thjeshta për botën, duke na lënë të hapur për manipulim nga politikanët dhe mediat.

Nuk është çudi që jo vetëm nuk lexojmë libra, por kemi ngritur në piedestalin e medias gazetarinë me dembele, më të lirë dhe më relativizuese të së keqes, atë të talk show-ve.

Nuk është për t’u habitur që kryeministri ynë, edhe pse pa bilanc ekonomik e social, madje i zhytur deri në grykë në llumokracinë e tij, mendon se ua ka gjetur anën shqiptarëve mendjelehtë duke i mbajtur me llafe për tepsinë, kazanin, legenin, poturet, filxhanin.

Pastaj janë ata që e mbajnë veten me të madhe, që thonë se ky sistem nuk bën dhe duhet ndërruar. Cili sistem o të marrë? Historia e botës njeh vetëm dy sisteme: i pari, me disa forma, që nuk e pranon garën dhe ky tjetri, që Perëndimi thotë se është më i miri vetëm sepse njeh konkurrencën e ndershme.

Pikërisht këtu nis e përfundon drama e shqiptarëve, sepse nuk kemi krijuar akoma garë. Prandaj nisma dhe protesta e opozitës ishte e drejtë dhe duhej përkrahur.

Para disa ditësh kam shkruar se kjo qeveri nuk është as e ardhmja dhe as e shkuara e vendit. Për këtë të fundit, i referohesha të shkuarës së afërt. Por votimet e 30 qershorit mund të na kthejnë në të shkuarën e largët.

Ndaj të dielën, refuzojini masivisht këto palo votime duke shkuar në plazh. Kurse të gjithë ju që jeni të detyruar të votoni për shkak të punës, shkoni dhe shkarraviteni atë fletë.

Vetëm kështu mund t’i tregojmë vetes dhe botës se kemi mësuar diçka nga historia. Të tregojmë se mund të jemi të zhytur në llumë, por nuk jemi akoma në idiokraci.


Etiketa: , , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas