Aktualitet

Dy mësueset e sulmuara nga Veliaj, reagojnë: Mos përgojoni, mos shkelni mbi punën e dinjitetin e njerëzve








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:27 - 15/09/20 |
mapo.al

Dy mësuese të respektuara, Brunilda dhe Mirela Çërraga, që janë edhe motra, janë sulmuar nga Kryetari i Bashkisë së Turanës, Erion Veliaj. Rrethanat janë këto. Të dielën që kaloi, Veliaj do të bënte inaugurimin e punimeve në shkollën Jeronim De Rada. Meqënëse aty, rezultoi se 9 mësuese kishin dalë të prekura me Covid, Veliaj, pa asnjë tagër në këtë drejtim, urdhëroi që asnjë prej mësimdhënësve të këtij institucioni të mos ishte prezent gjatë aktivitetit.


Ndërkohë, kur doli se disa mësues ishin prekur, testin e bëri gjithë stafi. Dhe pjesa tjetër, përveç 9 të prekurve, doli negativë.


Por Veliaj nuk i donte aty. Ndaloi të ishin prezent edhe mësuesit që tamponët i nxorën në rregull. Për këtë shmangie, reagoi në media, mësuesja Brunilda Çërraga.



Veliaj, nuk e pëlqeu deklaratën e saj, dhe e sulmoi personalisht. E para e etiketoi si të prekur nga koronavirusi, përkundër sa thoshte analiza dhe testi, dhe e dyta e sulmpoi sërish duke i kujtuar lidhjen me Mierela Karabinën (Çërraga), që ka qënë Ministre e Arsimit për 3 muaj, në qeverinë para zgjedhjeve të vitit 2017.


Brunilda është motra e Mirelës, dhe të dyja janë në profesion mësuese. Me përvojë dhe të vlerësuara nga komuniteti.


Edhe Brunilda, edhe Mirela, kanë reaguar dje publikisht pas sulmeve që kreu ndaj tyre kryetari i Bashkisë së Turanës.

Më poshtë, gjeni letrën e hapur të Brunilda Çërragës, dhe shënimin në Facebook, të Mirela Kabarina Çërragës.

 

Nga Brunilda Çërraga

Letër e hapur:

Zoti Veliaj, Ju lutem mos më përfshini në politikën e askujt. Unë, Brunilda Çërraga, mësuese prej 26 vitesh në shkollën “Jeronim de Rada” fola ashtu siç mendoj se duhet të flasë një njeri që edukon fëmijët e së ardhmes, që t’u tregojë atyre se sa e rëndësishme është e vërteta. Unë shpreha në qëndrimin tim edhe ndjesinë e çdo kolegu e me dëshirën dhe lejen e tyre shkrova një status për të treguar indinjatën tonë për atë injorim publik që na u bë pas një përdorimi për interesat tuaj personalë dhe të atyre që qëndrojnë pranë jush. E shkrova statusin tim me të drejtën e fjalës së lirë, të drejtë që e gëzoj nga Konventa e të Drejtave të Njeriut. Si njeri i fjalës për fëmijët dhe e ngarkuar me përgjegjësinë që kemi përpara atyre prindërve që na besojnë fëmijët e tyre, ia dhashë të drejtën vetes të them mendimin tim. E kam menduar veten gjatë gjithë kohës përballë nxënësve se duhet të kontribuoj në formimin e qytetarit të së nesërmes, ndaj nuk lejoj askënd të më përgojojë e nëpërkëmbë kur marr përsipër që të them të vërtetën e asaj që ndodhi me mua dhe kolegët e mi. Zoti Veliaj, Ndoshta në përditshmërinë tuaj jeni mësuar të përfshini gjithkënd në politikë dhe përmes saj të linçoni këdo që nuk pëlqen natyrën e punëve të tua. Por kjo nuk ju jep të drejtën të përgojoni familjarët e mi, e aq më pak bindjet e tyre politike. Unë e dashuroj profesionin tim dhe ndjej përgjegjësi për çdo fëmijë që kam përballë në punën time, duke parë këdo prej tyre si një qytetar me dinjitet të së nesërmes, dhe jo si një lodër interesash. Ajo që ju përfolët është njëlloj sikur unë t’ju konsideroj gjithnjë si “djali i fiqve”, por, në fakt, pavarësisht zgjedhjes sime, ju për mua jeni Kryetari i Bashkisë, dhe unë do të dëshiroja që nën këtë mision të rëndësishëm për këdo që do të ishte në pozitën tuaj, ju t’i shihnit mësuesit dhe nxënësit si qytetarë me dinjitet dhe jo duke i përgojuar apo duke i ndarë në gardhe politike për interesat tuaja të ditës. Përse nuk pyetët se pse isha kundër vendimit apo veprimit tuaj? Pse harxhuat kohën dhe nuk u skuqët aspak kur shumica e gjërave që folët nuk ishin të vërteta? Së pari, drejtoresha e shkollës me të cilën filluat punimet e rikonstruksionit nuk është në Shqipëri, pasi ka emigruar për një jetë më të mirë. Së dyti, shkolla jonë nuk u dëmtua nga tërmeti, por ishte në projekt rikonstruksioni përpara se të ndodhte tërmeti. Ju gënjyet edhe përpara nxënësve të mi që i kishit pritur në zyrën tuaj dy vjet më parë dhe ata kanë të drejtë të ndjehen të zhgënjyer nga njeriu që duhet të jetë kryeshembulli i qytetit. Zoti Veliaj, Ju mund të jeni kryetari i Bashkisë, por nuk mund të jeni Zoti i askujt dhe s’keni të drejtë të vendosni diagnoza të kota. Unë kam rezultuar negative në testin për Covid- 19, por po qëndroj në shtëpi pasi për fajin tuaj e të inspektorëve tuaj ne, stafi i mësuesve të shkollës, ndenjëm aty edhe pas kryerjes së tamponit, pa pritur përgjigjet e tij, dhe për këtë duhet të ndëshkohet ai që urdhëroi që ne të ishim aty të premten, por sidomos të shtunën, kur dihej se disa prej mësuesve kishin dalë pozitivë ndaj Covit-19. Ne si mësues, duke menduar që është fillimi i shkollës treguam gatishmërinë dhe nuk kundërshtuam, por ishte qesharake se për çfarë rrinim ne në punë (?!), për të larë dyert apo për të vënë dezifektantët në qendër të tavolinës së nxënësve dhe jo në cep të saj. Ne ishim në shkollë sepse duhet të zbatonim urdhrat e inspektorëve tuaj, për të cilët, bashkë me kolegët e mi, sugjerojmë t’i dërgoni për trajnime lidhur me etikën në komunikim. Ndërkohë, kolegët e mi të shëndetshëm ishin aty deri në minutat e fundit të inaugurimit. Ishin aty për të parë edhe rikujtuar aktrimin e aktorit të e madh Fadil Hasa me filmin me “Mao Ce Dun” të cilët asistuan në teatrin tuaj për të vendosur lulet që ia morët një tjetër institucioni dhe më pas këtyre kolegëve të mi, bashkë me personelin e pastrimit, i treguat derën se nuk duhet të ishin aty për inaugurimin. Ju menduat se kolegët e mi të pranishëm ishin të padenjë edhe për të qenë në inaugurim?! Nëse keni menduar kështu, me keqardhje po ju them se, kjo është për turpin tuaj. Z.Veliaj, Unë jam një qytetare, kam nderin të jem mësuese dhe kam të drejtën e fjalës, dhe do të flas, do të shkruaj sa herë e ndjej që duhet të flitet për të ardhmen e nxënësve të mi. Unë mbahem mbi forcat e mia, jap kontributin tim qytetar duke u përpjekur të bëj më të mirën që mundem dhe nuk pres shpërblim nga asnjë lloj force politike. Ndaj, lutem mos përgojoni mësuesit e thjeshtë, lërini të punojnë të qetë, e përpiquni të nxirrni mësim nga kjo histori. Ju u kujdesët për kontribuuesit e shkollës, për personelin tuaj, për veten tuaj të mos prekeshit, e ua pretë mësuesve të drejtën dje. Por, a keni pyetur se ç’ndodhi sot me ata që përzutë dje për sigurinë e shëndetit tuaj?

Trishtueshëm e me sinqeritet, mësuese Brunilda Çërraga

 

Reagim nga Mirela Kabarina

Për Erion Veliajn, këtë zdroms pa din e pa iman!

Erion Veliaj, i ftohtë në gënjeshtra, i pamasë në mashtrim dhe me arrogancën që e karakterizon është prototip i njeriut, që i mençuri popull i quan, pa din e pa iman. Sot ka përmendur në media ish-Minstrin teknik të Arsimit. Shkak është bërë prononcimi i një mësueseje të shkollës “Jorenim De Rada”. Më drejtë mësuesja ka denoncuar situatën e rëndë në shkollë, injorimin dhe përjashtimin e mësuesve nga ceremonia e inagurimit të shkollës si dhe mungesën e sigurimit të jetës së tyre nga pushteti i Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Mësuesja është dhe motra e ish-ministrit.

Kaq ka mjaftuar që ky lëpirës të reagojë ashtu siç vetëm ai di, pa pikë turpi.

Mbrëmë në darkë, disa orë para fillimit të vitit shkollor, pushteti i tij ka udhëruar që disa nga mësuesit e kësaj shkolle të qëndrojnë dy javë në shtëpi, për arsye te situtatës së krijuar, edhe pse rezultojnë negativ nga testimi i kryer.

Pra, u kujtua për mësuesit, kur ato prej ditësh kanë vazhduar punën në shkollë edhe pas testimin!

Ky kameleon, nxorri zbuluar fytyrën e vërtetë të këtij pushteti. Jeta e mësuesve, jo vetëm nuk paska pikë vlere, por është e rrezikuar.

Dhe sot, i deklaron mësueset të sëmura duke mashtruar opinionin publik.

Gënjeshtar i paskrupullt!

Përtej logjikës normale është gjithçka bën ky i neveritshëm!

Paturpësisht ai i vodhi shkollën mësuesve gjatë inagurimit, që në krye të detyrës dhe në harresën e pushtetit të këtij gënjeshtari profesionist, janë infektuar me COVId-19 dhe nuk dinë se si do të mbrohen nesër. Asnjë fjalë nuk tha për to, punën dhe kujdesin ndaj tyre, thua nuk ekzistonin fare, pasi halli nuk është jeta e tyre por kuleta e tij.

Alarmante!

Filozofia e tij, hidh lekë sot e shkatërro mot, ka kthyer në gërmadha shkolla 60 vjeçare në Tiranë dhe ka lënë rrugëve, në kohë epidemie, mijëra nxënës.

Dhe sot, ky lëpirës i pështirë prej xhelatine që merr formën e të zotit është tejet i rrezikshëm për jetën e mësuesve, nxënësve dhe prindërve.

Kjo shfaqje e paprecedentë e ndodhur në shkollën “Jorenim De Rada” është Turpi i Qytetit.

Por,dukshëm, ky njeri ka një hall të madh!

Mashtroi se do t’i kthente shkollat e kryeqytetit në një turn, por sot i ka kthyer ato në 4 apo 5 turne mësimi. Paturpësisht gënjen duke deklaruar 17 shkolla të reja të ndërtuara në Tiranë, ndërkohë rezulton të jetë e re vetëm shkolla “Ardian Klosi”, ndërsa të tjerat janë ngritur mbi gërmadhat e shkollave ekzistuese, duke shtuar vetëm disa klasa.

Inertet e shkollës “Sami Frashëri”, dhunuar barabarisht në 24 prill nga Edi Rama e Erion Veliaj dëshmojnë babëzinë e këtij njeriu dhe pushtetit të tij që nuk ndalet dhe nuk kursen askënd. Premtoi se do fillonte ndërtimin e kësaj shkolle në qershor, por sot 1700 nxënës të saj janë rrugëve në kërkim të klasave për të zhvillua mësim.

E pra, hallin e ka të madh Erion Veliaj ndaj kërcen dhe nxjerr dhëmbët për çdokënd që nxjerr zbuluar gënjeshtrat e mashtrimet e tij.

Situata tejet e rëndë e krijuar nuk e shpëton dot, të ziun kryetar, nga llumi ku është zhytur.

Mësues të rrezikuar dhe të pasiguruar në shkolla, nxënës pa ambjente, shkolla të rrënuara, shkolla me mësim me shumë turne, buxhet i paplanifikuar për mësuesit dhe nxënësit për të përballuar këtë situatë epidemie si dhe shumë e shumë të tjera, e ngarkojnë me përgjegjësi penale.

Ndaj përdor shantazhin, gënjeshtrën dhe arrogancën e pushtetit, pasi është i frikësur.

Njeriu që shemb shkolla e teatro, shpërfill mësues dhe injoron qytetarët e tij meriton veç përçmim dhe ndërshkim.

Pasi një maskaradë të tillë, veç një i paudhë mund ta bëj, një njeri pa din e pa iman…

 

 


Etiketa: , , , , ,

Pas