Po bëhen dy muaj e gjysëm që prej pasdites së vonë të 9 Shtatorit, kur Lulzim Basha komunikoi vendimin e tij si kryetar, për të përjashtuar nga Grupi Parlamentar, Sali Berishën, të shpallur non-grata nga Departamenti amerikan i Shtetit, me 19 maj.
Të nesërmen, nisi sezoni i ri parlamentar, që do të ishte i pari pas 2 dekadash e gjysëm pa Sali Berishën prezent, në njërën nga cilësitë, ose si Kryeministër, ose si deputet.
Po atë ditë, lideri historik filloi lëvizjen brenda PD, që e quajti Foltorja. Akuzat ndaj Lulzim Bashës nuk munguan që në krye. Shkelës i statutit, humbës, nëpërkëmbës i mundit dhe votës së demokratëve, i pabesë, judë, e shumë cilësime të tjera. Mbi të gjitha, i marrë peng nga Rama.
Sot, dy muaj e gjysëm pas përplasjes në PD, jemi në ditën kur qartazi janë konfiguruar dy blloqe. Dy palë. Dhe ndarja zyrtare mes demokratëve duket se do të ndodhë në Dhjetor, derisa do të kemi dy momentet kulminante në një forcë politike, që janë Kuvendet.
Herët është kuptuar se mes grupimeve po binin një e nga një urat që mund të mbanin gjallë një marrdhënie. Dhe se shemria po shkonte shumë larg me akuza e denoncime.
Por pas 11 Dhjetorit, dhe pas 18 Dhjetorit, është evidente se do të kemi dy PD. Njërën që pretendon se është legjitime sipas statutit, tjetrën që pretendon se ka legjitimitetin që buron nga anëtarësia.
Me gjasë, të dy palët do të mbledhin njerëz e mbështetës në Kuvendet e tyre, edhe pse diferencat do të jenë të dukshme, sërish secili mund të shpallë numrin që dëshiron më pas.
Dhe po ashtu, të deklarojë PD-në e tij.
Siç po tregojnë zhvillimet e përditshme, demokratët janë të shumtë. Dhe interesi rreth tyre në maksimum. Ajo për të cilën duket se nuk ka ende një ndërgjegjësim, është se pas dhjetorit, do të jenë të ndarë në dy pjesë. Dhe të përçarë, sado të panumërt të jenë, nuk mjaftojnë për të ardhur në pushtet.
Kriza e kësaj shizme padyshim se do të vijojë gjatë. Dhe siç ndodh rëndom në politikë e kudo në shoqëri, lufta brenda llojit do të jetë e përgjakshme. S’do të kursejë asgjë e askënd. Shenjat janë dhënë. Po flitet për dosje, për afera, e për lidhje me krimin. Retorikë që zakonisht është përdorur për kundërshtarin dhe anasjelltas.
Foltorja e Berishës u kthye në një fenomen. Kamera dhe mikrofoni zbuluan para publikut shumë cilësi dhe potencial që demokratët kanë në bazë. Fuqia dhe karizma e ish-kryeministrit u konfirmua në çdo takim, teksa kanë ngelur mesa duket edhe dy të tilla. Një në Burrel dhe një në Kurbin.
Me kalimin e kohës, Berisha e pasuroi objektin e kësaj lëvizje. Në krye u tha për të rivendosur statutin, për të hapur garën, për të larguar Lulzim Bashën. Më tej, lideri historik pohoi se do të vinte vetë në drejtim të PD. E pak më vonë, se do të ishte edhe Kryeministër. Madje ka nisur të tregojë se si do të qeverisë.
Kjo e ka kompromentuar pak anën parimore me të cilën foltorja u ngrit, duke sjellë aty hije të betejës për pushtet.
Askush nuk mund të thotë ama se mungon argumenti, stili, entuziasmi dhe mbështetja.
Në anën tjetër, Lulzim Basha ka treguar edhe ai një lloj force të panjohur më parë. Jo vetëm mori vendimin për përjashtimin e Sali Berishës, por edhe po i reziston stuhisë që nuk pritej të ishte në këto përmasa. Duke u etiketuar dhe duke u shfaqur jo në terren, pra jo me njerëz, por në godinë, dhe duke marrë çdo ditë ai dhe mbështetësit e tij akuza e fyerje, sërish ngjan se qëndresa do të jetë e fortë dhe deri në fund.
Ka rënë sidomos në sy lufta që ka bërë Sekretari i Përgjithshëm, që me analizën e ftohtë dhe pa komplekse, ka futur në ngërç mekanizmin e 4200 firmave, duke e krijuar një ide në publik se ato nuk janë dorëzuar siç duhet, dhe se aty fshihet diçka.
Lulzim Basha po provon për herë të parë se çdo të thotë ta kesh Sali Berishën kundërshtar. Komunikimi i tij është efikas, dhe ish-kryeministri ngelet një përbindësh i fushatave. Mjafton të përmendim këtu atë që tha dje në foltorën me gratë demokrate, kur shpalli se do të vendoset një nen në statut, që e bën automatik largimin e Kryetarit kur humb zgjedhjet, dhe se ky do të emërtohej “Neni Basha”, për të kuptuar fuqinë e fjalës dhe batutës së liderit historik.
Por Basha po përgjigjet dhe po reagon në çdo rast. Duke krijuar bindjen se ndoshta për herë të parë, Sali Berisha mund të rrezikojë të mos e marrë dot, e të mos e kontrollojë dot, partinë ku ishte themelues e që e drejtoi për 3 dekada.
Përtej mërzisë që ka krijuar tek demokratët kjo gjendje, dhe rehatisë ekzotike për Edi Ramën, një gjë duhet pranuar. PD është sot e vetmja gjë që po ndodh. I vetmi zhvillim. I vetmi lajm.