Eshtë botërisht e pranuar se shemrinë më të madhe në vend në këto 3 dekada liri, pluralizëm, e tranzicion, e kanë sjellë në jetë, mëkuar e mbajtur gjallë dy partitë kryesore në vend, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.
3 dekada më pas, është rast i mirë për të bërë një bilanc. Afermendsh, temë më e dashur për studiuesit dhe politologët. Në një redaksionale si kjo e gazetës Mapo mund të bëhet një kqyrje e shpejtë.
Ky 30 vjetor flet për Partinë Socialiste më shumë, e cila e gjen veten në krye, duke vijuar mandatin e tretë, dhe e vetme si forcë politike, pa aleatë. Dikush mund të thotë se ky fakt e mbyll sakaq debatin. Synimi kryesor i një organizmi të tillë, është pushteti. Të tjerat janë dokrra hini.
Por PS është sot në këtë majë, e paçliruar nga një krizë morale, ngërç i cili herët a vonë do të prodhojë spazma prej të cilave socialistët do të vuajnë jo pak.
Dhe kjo është prishja e rregullave të lojës, braktisja e programit, e alternativës së majtë, zhdukja me dhunë dhe inat e çdo ideali, krijimi i një amalgame kaq laramane, ku janë rras e plasur strukturat e partisë, të shtetit, të krimit shpesh, të biznesit, me zgjatime deri tek drejtësia e media, me një objektiv të vetëm; zgjedhjet, rezultatin.
PS ka harruar shumë vlera për të cilat një parti qendron, ajo është shndërruar në një makineri brutale dhe arrogante votash.
Rrugës, ky mekanizëm nuk ka përcaktuar thjesht tiparet e brendshme të kësaj force politike, po ka bluar e bërë hi standardet, garancitë, rregullat, parimet e krejt shoqërisë e të bashkëjetesës, duke qënë se në të tillë atomosferë merren vendimet për jetën e 3 milionë shqiptarëve, prej vitit 2013.
Nëse shihni imazhet e transferimit nga Parti e Punës në Parti Socialiste, do të dalloni se edhe në ato minutat e para kjo krijesë kishte debat, kundërshti dhe demokraci të brendshme. Sende këto, që me Nanon arritën kulmin, e nisën të zbehen dhe u shndërruan në fosile me Edi Ramën.
I shohim dhe i jetojmë vetë në lëkurë çdo ditë, pa qënë nevoja të na i thotë Freedom House.
Kushdo që ka guxuar të sfidojë skenderbeun mavi, pushon sot jashtë Partisë Socialiste.
Eshtë paradoks i madh se si një forcë politike që bën kthim pas në vlera, arrin të shtojë votat e t’i ruajë ato. Por shpjegimi gjendet më lart, me përzierjen aspak morale dhe shpesh të paligjshme të shumë entiteteve që prodhojnë sasinë e duhur në kuti.
Populli i majtë është ndërkohë i lumtur, dhe s’ka ndërmend të thartojë trutë pse e vetmja garë në PS është se kush i thur më shumë ditirambe shefit të madh, dhe e largët duket vramendja e tyre, pse me rilindjen në pushtet, rruga drejt BE u bë gjithnjë e me më shumë pengesa.
Apo pse gjysma e njerëzve janë zhytur në varfëri teksa luksi i disave feks ngado.
Demokratët më anë tjetër, po jetojnë një makth. Rehatia e tyre është prishur rëndë. Ka nisur të zënë vend një psikozë fataliste, se për shkak se si bëhen zgjedhjet, Edi Rama nuk bie. Dhe sytë janë drejtuar herë me qëllim e herë me pafajësi, tek lidershipi. Aty ku këtë të dielë votohet për kreun e ri të partisë. Ku në fakt ka konkurencë, debat, flukse e karaktere, pra një kontrast dhe sipërani e thellë me socialistët.
E prapë PD po përjeton shumë trauma, çka ka bërë që arritjet e mëdha në qeverisjen e saj të kalojnë në arkivë gjithnjë e më shumë.
Epërsia morale që gëzon si forca më euro-atlantike në vend është relativizuar duke parë një mbështetje të paprecedent amerikane për Edi Ramën, e veçanërisht me aktin e fundit të Departamentit të Shtetit, ku lideri historik, vula e fortë e kësaj strukture, Sali Berisha, u shpall non-grata.
Miti i Sizifit përndjek, e u përjetua edhe në zgjedhjet e fundit të 25 prillit. U ngjit guri deri afër majës, shumë vetë besuan se u arrit, por sakaq, mori tatëpjetën.
Nuk ka dyshim se ajo, PD pra, është para një deformimi të fortë të demokracisë, para asaj makinerisë së përbindshme që ka kthyer në bërsi çdo normë, para krimit e bandave, dhe kjo vetvetiu i jep një aureolë dhe e bën të fisme, partinë që solli lirinë dhe rrëzoi diktaturën. Që futi Shqipërinë në NATO dhe që siguroi lëvizjen e lirë pa viza në BE. Që bashkoi kombin me projektin më të madh rrugor në histori.
Problemi është se populli i djathtë po kalon në frustrim nga distanca me pushtetin. Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë mpirje, neglizhencë, indiferencë mund të ketë.
PD sot i duhet një fabul e madhe për të mbajtur ndezur dëshirën e demokratëve për të qënë të aktivizuar. Dhe kjo bëhet më së pari me realizëm, duke pranuar çka nuk shkoi mirë, gabimet, llogaritë e pasakta, strategjitë pa efekt, miopinë shpesh, mendjemadhësinë, e shumë të tjera.
Projekti demokrat është i paqortueshëm. Nevoja për ta bërë atë të besueshëm, ulëritëse.
Idetë e forta, transformuese duhet të gëlojnë. Dhe teksa Rama tha dje në 30 vjetorin e PS që; duhet ta kalojmë stafetën nga etërit tek bijtë, PD lypset të realizojë sak të kundërtën. Të tregojë se është një parti e shoqërisë, e hapur, të pranojë sfidat e të rendë pas saj.
Kur këtë e ka bërë Kisha Katolike, institucioni me konservator në planet, s’ka pse mos ta bëjë PD.
Drejtuesit demokratë duhet të luftojnë me vërtetësi dhe full-time iluzionin që krijojnë shpesh disa muaj para zgjedhjeve, se qeverisja nesër është çështje e tyre. Përfshirja dhe garantimi se njerëzit, do të jenë pjesë, është një domosdoshmëri.
Asnjë klub simpatie s’mund të funksionojë më. Çdokush të ketë shansin dhe të marrë rolin e përgjegjësinë për shkak të zotësisë e meritës. Jo hapje e bashkim, rikthim e ftesa televizive e para kamerave. Por përmbledhtazi; hajde ta bëjmë bashkë.
Ky është ndoshta shtegu i vetëm për t’i shpëtuar moteve edhe më të vështira që mund vijnë për këtë parti, dhe udha drejt rikthimit në pushtet.