Zhvillimet e fundit politike kanë nxjerrë në pah një thellim të kontrastit dhe kurseve të ndryshme që po ndjekin dy rivalët kryesorë të politikës, Kryeministri dhe Kryetari i Opozitës. Teksa kemi përpara muaj të nxehtë elektoral, dhe pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, me gjasë do të kemi edhe një dekretim të datës së zgjedhjeve nga Presidenti, të dyja palët kanë zbritur në terren po në mënyra të ndryshme.
Dallimet bien në sy, së pari, me strukturat dhe anëtarësinë. Duket se Lulzim Basha në këtë drejtim ka një avantazh. Ndërsa Edi Ramës i duhet të menaxhojë pakënaqësitë që kanë lindur nga qeverisja e mbyllur, pa përfshirjen e ndjekësve në 7 vite, të kundërtën duket se po bën kryetari i PD. Me një udhëzim të dalë së fundmi, gjasat janë që hapja të bëhet reale dhe demokratët të jenë më të gjallëruar dhe më të motivuar politikisht se asnjëherë tjetër. Te PD premisat janë që do të kenë garë të brendshme për përzgjedhjen e kandidatëve për përfaqësim politik, si për Kuvendin ashtu edhe për Bashkitë.
Një angazhim entuziast i anëtarësisë së PD në këtë proces, do të ishte gjysma e punës në ngritjen e frymës dhe ardhjen e opozitës në pushtet.
Besohet se energjia dhe motivimi i anëtarësisë së PS më anë tjetër është në kuota minimale. Ata kanë parë për 7 vite që janë mbajtur larg pushtetit, ku rilindja ka qenë një shartim që shkoi në drejtim tjetër, duke u majisur për vete, edhe pse me ushqimin e marrë nga rrënjët socialiste.
Përfytyroni një kryetar të një organizate të PS, që nuk ia hap telefonin asnjë udhëheqës, dhe që çdo ditë rrethohet nga socialistë ose qytetarë të cilëve u është premtuar punësim ose ndonjë mundësi, dhe ende asgjë nuk ka ndodhur. Si do të mundet ai të dalë në lagje apo në komunitet për të kërkuar sërish mbështetje për rilindjen.
Kurse demokratët nuk kanë tashmë asnjë kosto në kurriz dhe e kanë të thjeshtë të trokasin nëpër dyer.
Një diferencë tjetër që bie në sy sot mes Kryeministrit dhe kryetarit të Opozitës, është qasja elektorale. Bie në sy se kryeministri do të vijojë politikën e tij, e cila nuk i ka rezultuar keq deri tani, me faktorët dhe me shefat e zonave.
Ndryshe ngjan se po ecën Basha. Ai është çdo ditë me njerëz të zakonshëm dhe me sa duket po kërkon një rrotacion që të vijë me votë dhe vullnet popullor. Kjo duke shfrytëzuar terrenin e pakënaqësisë deri në revoltë që kanë njerëzit sot ndaj qeverisë, gërshetuar edhe me alternativë, program e ofrim zgjidhjesh për daljen nga kriza.
Këto lëvizje të pangjashme po ndodhin çdo ditë dhe sa vjen e konturohen e marrin përmasa më të qarta. Sfida është e fortë, dhe Rama aktualisht është ndoshta kryeministri me më shumë pushtet në këto 30 vite që duhet rrëzuar, duke patur parasysh institucionet që ka nën kontroll dhe 60 bashkitë.
Por ama, herët do të kuptohet, shumë përpara datës që do të dekretojë Ilir Meta, se kush po shkon i pari drejt finishit dhe cila strategji do të jetë triumfuese.
Mapo.al