Kryesore

Dy tregtarë përleshen me hajdutin e bojërave, e vrasin me thikë në zemër





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:51 - 01/02/12 |
mapo.al



Habjon Hasani



Tiranë Vritet me thikë, teksa po tentonte të vidhte bojëra brenda një furgoni, një 31-vjeçar i skeduar për një sërë grabitjesh në Tiranë. Klajdi Sejfullari ka humbur jetën dje pas një goditje me thikë në zemër, ndërsa ishte duke u transportuar për në spitalin ushtarak të Tiranës. Policia e kryeqytetit ka zbardhur brenda disa minutash ngjarjen dhe ka ndaluar  dy tregtarë, të cilët dyshohet se kanë vrarë 31- vjeçarin pasi e kanë kapur në flagrancë duke vjedhur furgonin e tyre të punës. Viktor Laku dhe Anesti Uruçi janë dy tregtarët e shoqëruar mbrëmë në polici, ndërsa nga dëshmitë paraprake të dhëna prej tyre kanë ndihmuar policinë në sqarimin e rrethanave të krimit. Sipas dëshmisë së tregtarëve, mësohet se ata kanë parkuar dje, rreth orës 17:30 furgonin e tyre në një rrugicë në Rrugën e Kavajës dhe kanë shkuar rreth 15 metra më larg, për të pirë një kafe. Pasi janë ngritur nga lokali, rreth orës 18:15 minuta, dy tregtarët kanë gjetur Klajdi Sejfullarin brenda në furgonin e tyre. “Pasi e pyetëm se çfarë bënte në furgon, ai na tha se ishte furgoni i tij. Ne ia kthyem se gënjente dhe se ishte furgoni ynë, por ai menjëherë na nxori një thikë për të na goditur”,- kanë rrëfyer dy tregtarët. Pas tensioneve në debat, tregtarët e akuzuar për krimin janë munduar ta neutralizojnë 31-vjeçarin, duke i rrëmbyer thikën nga duart, ndërsa ky i fundit ka vazhdar përleshjen me ta. “I kërcënuar vazhdimisht prej tij i kam kthyer thikën nga vetja dhe e kam goditur. Nuk kisha për qëllim ta vrisja”, – ka pohuar para policisë njëri prej tregtarëve të ndaluar. Viktima është plagosur brenda furgonit ku ishte duke tentuar vjedhjen e disa bojërave që dy tregtarët i kishin marrë për t’i shitur në treg. Vetë tregtarët kanë qenë ata që kanë njoftuar policinë dhe janë dorëzuar me vullnetin e tyre të lirë, nga ku janë marrë në pyetje për më shumë se tre orë. Por zyrtarë të policisë pohojnë se deklarimet e tyre do të krahasohen edhe me analizat e bëra në vendngjarje. Mësohet se, pasi është goditur në zemër me thikë, viktima ka humbur jetën pak minuta më vonë, ndërsa ishte duke u transportuar për në spital, ndërsa dy tregtarët kanë deklaruar në polici se nuk kanë patur si qëllim që ta vrisnin apo t’i bënin keq, por, sipas tyre, ata tentuan që ta mbanin për t’ia dorëzuar policisë hajdutin e kapur në flagrancë. Burime policore thanë dje për MAPO-n se tre javë më parë, viktima i njohur me nofkën “Klajdi i Mrikës” ishte shpallur në kërkim për një seri grabitjesh të ndodhura në kryeqytet, ndërsa skeda e tij penale përmban disa arrestime dhe dënime për vjedhje. Policia dje ka ndaluar dy tregtarët, ndërsa pritet që t’i komunikohet arresti me burg Viktor Lakut, i cili është edhe personi që ka goditur me thikë Klajdi Sejfullarin.



Etiketa: , , , , , ,

Pas