Kreu i PD, Lulzim Basha foli i prerë nga Kombinati, gjatë vizitës së përbashkët me Kryemadhin ku takuan banorët e dëmtuar nga tërmeti, dhe deklaruan se koalicioni në qeveri i PD do të jetë me LSI. Basha thotë se Rama po përpiqet të hapë një deriçkë për t’u bërë pjesë e qeverisë, por e ka kuptuar se do të humbë më 25 prill. Kjo është e disata herë që Basha refuzon ofertën e Ramës për bashkëpunim pas 25 prillit
“Pra, për ne rindërtimi do të kalojë në 3 faza. Vlerësimi i çdo ankese me transparencë, vlerësim real i dëmit, kompensim dhe rindërtim pa asnjë pengesë dhe duke eleminuar të gjitha proçedurat burokratike dhe korruptive të këtyre kohëve, të cilat i mbajtën dy dimëra mijëra familje në çadra. Por njësoj kudo ku kemi qenë nëpër Shqipëri etja për ndryshim ndihet anembanë dhe shikohet në fytyrat e të gjithëve, të nënave, të rinisë që është mbledhur këtu.
Të mrekullueshëm. Shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë për ndryshim dhe ne jemi të vendosur që votën më 25 prill për ndryshimin ta kthejmë në një qeverisje të shpresës, në një qeverisje të njerëzve, në një qeverisje të zgjidhjeve. Me siguri ju ka rënë në sy edhe ju që edhe Edi Rama e ka kuptuar, e ka mësuar tani që me 25 prill ai humb dhe Shqipëria fiton dhe tani po përpiqet të hapë një deriçkë dhe kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes që do të formojmë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Koalicioni për ndryshim do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim me qëllim për t’i dhënë vendit një qeverisje të ndryshimit, një qeverisje të shpresës, një qeverisje e cila do të hapë rrugën për Shqipërinë në Europë, duke hapur brenda 100 ditëve të para negociatat.”-tha Basha.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi krah Bashës në Kombinat ka deklaruar se PD dhe LSI kanë 2 vjet që nuk ndahen për asnjë moment dhe janë një, me gjithë Shqipërinë. Sipas saj, nuk ka më tashmë një front opozitar, por fronti i shqiptarëve.
“Jo pa qëllim, jemi sot këtu në këtë orë të vonë në Kombinat sepse këtu ku Edi Rama kërkoi të grabisi pronat tuaja, ku Edi Rama kërkon të grabisi shtëpitë tuaja.
Jemi të dy bashkë edhe pse kemi 2 vjet që nuk ndahemi asnjë moment, erdhëm këtu sepse këtu fillon shtëpia e shqiptarëve, këtu fillon shtëpia juaj, sepse fronti opozitar, që nuk është më front opozitar, po është fronti shqiptar, mendon për shqiptarët, mendon për shtëpitë tuaja, mendon për familjet tuaja dhe ne jemi në shtëpitë tuaja, sepse ai po rindërton vetëm xhepat e vet 3 dimensionalë dhe nuk po rindërton asnjë shtëpi të hallexhiut.
Prandaj me 25 prill, sot ne jemi bashkë këtu edhe unë edhe zoti Basha, për tju thënë të gjithë shqiptarëve, që ne jemi një dhe jemi një me të gjithë Shqipërinë.’’– tha Kryemadhi.