fbpx

Aktualitet

Dy vjet pas: Me Ramën ose pa të, opozita është fitimtare





               Publikuar në : 09:27 - 10/09/19 |
Nga Mapo.al

Nga Mapo.al


Nëse do kontrolloni se cili ishte lajmi që dominonte mediat fiks dy vjet më parë, me shumë gjasë do të shihni një foto ose një videolajm nga momenti kur kryeministri i sapobetuar Edi Rama i drejtohej vendit ku ulej opozita shqiptare. Pasi i zgjat dorën kreut demokrat, Lulzim Basha, ai i drejtohet me fjalët: Mirë kryetar? Ishte një përshëndetje e ftohtë, njësoj si fitorja që kishte shënuar Partia Socialiste.



Në të njëjtën ditë, dy vjet më pas, një nga lajmet më të përhapura nëpër portale është një diskutim i Edi Ramës me deputetët e Partisë Socialiste. “Po humbim pushtetin,” mësohet se është shprehur Rama përpara deputetëve, të cilët i ka fajësuar për faktin se qeveria e tij dhe vetë ai është në kuotat më të ulëta. Shqipëria është në mesin e një prej krizave politike më të rënda në historinë e saj postkomuniste dhe gjërat kanë rrjedhur shumë shpejt brenda këtyre dy viteve.


“Kështu siç po veproni ju, mos kini merak se humbjen e keni të sigurt, zgjedhjet nuk fitohen, zgjedhjet i humb njëri dhe i fiton tjetri. Pastaj unë nuk do ju pres as juve, as ndonjë tjetër. Këtë quajeni si kërkesë për dorëheqje, nëse nuk i ktheheni partisë dhe besimit të njerëzve. Duhet t’i ktheni partisë atë që i keni marrë”, mësohet të ketë thënë Rama.

Por pikërisht ka për qëllim të zhvendosë vëmendjen dhe përgjegjësinë nga faktori dhe aktori kryesor i kësaj situate të rëndë ky ndodhet vendi dhe Partia Socialiste. Ai është kryeministri Edi Rama. Kriminalizimi i vendit dhe qeverisjes, keqmenaxhimi, kriza ekonomike dhe sociale, skandalet e shumta, e kanë përsipër vulën e tij.

Disa mund të thonë atë shprehjen e zakonshme se ekziston mallkimi i mandatit të dytë. Kjo fjali qesharake sërish e shfajëson kryeministrin nga e gjithë katrahura që ka krijuar, pasi krijon idenë se gjërat po shkojnë keq për shkak të një fuqie jashtë kontrollit të Edi Ramës. E vërteta është se edhe mandati i parë i tij ka prodhuar mjaft skandale, keqmenaxhim dhe mungesë bilanci ekonomik.

Në fakt, i gjithë thelbi i krizës buron nga problemi i zgjedhjeve. Për herë të parë në vitin 2015, më pas më fort në vitin 2017, të huajt nisën të flasin për blerjen e zgjedhjeve. Votimet nën administrimin e Edi Ramës po bëheshin gjithmonë e më të këqija, derisa arritëm tek ’30 qershori’, që i vuri kapakun. Një media e njohur gjermane shkruante se që të zgjidhësh krizën, duhet të shkosh tek shkaku i saj. Por kjo duket se po lë në hije një fakt tjetër: që opozita shqiptare i ka të dhënat për të fituar zgjedhjet në çdo moment, me ose pa Edi Ramën. Partia Demokratike dhe aleatët e saj i bëjnë numrat për fitoren edhe sikur të merret për bazë analiza e shifrave të shumë kohëve më parë, pa llogaritur këtu sondazhet e fundit. Siç shprehej një analist i njohur para disa kohësh, Rama nis e shqetësohet kur i ka shumë keq shifrat. Shpërthimet para deputetëve janë tregues i qartë.

 


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas