Aktivistja për mbrojtjen e natyrës, adoleshentja Greta Thunberg, është bërë subjekt debati në mbarë botën pas fjalimit që mbajti në OKB, ku akuzoi brezat e rritur se nuk kanë bërë asgjë për të rinjtë dhe të ardhmen e tyre, sepse kanë shkatërruar planetin. Por sa qëndron kjo? Boris Palmer, kryebashkiak i Tybingenit në Gjermani dhe një nga zërat e njohur nga të Gjelbrit publikoi një letër virale në gazetën BILD. Palmer është autor i librit: “Fillimisht faktet, pastaj morali: Pse politika duhet ta nisë nga realiteti”
Nga Boris Palmer
Ti i ke bërë botës një shërbim të paçmuar, duke ia dalë thuajse e vetme që t’i bësh ndryshimet klimatike në politikë dhe shoqëri, ashtu siç konsiderohet me maturi: problemin më të madh të njerëzimit në shekulli XXI.
Pikërisht sepse ke bërë diçka krejt të pabesueshme për moshën tënde, e meriton gjithashtu një kundërshtim serioz:
-Jo, ne nuk e kemi shkatërruar rininë tënde. Ne kemi krijuar një botë që ofron mundësi më të mira për të rinjtë se kurrë më parë në histori.
-Përqindja e personave të nënushqyer në të gjithë botën ka rënë nga 28 përqind në vitin 1970, në 11 përqind. Sëmundje të tilla si lija apo murtaja janë zhdukur.
-Ndërsa në shekullin e 20-të janë vrarë në luftëra pothuajse 100 milionë njerëz, gjatë 20 viteve të fundit janë vrarë më pak se dy milionë.
-Jetëgjatësia e një të porsalinduri ishte rreth 30 vjeç në vitin 1800. Sot është 72 vite.
-Vdekshmëria foshnjore në të gjithë botën është ulur në të njëjtën periudhë kohore nga 44 përqind, në 4 përqind.
Këto arritje thuajse të pabesueshme janë fryt i veprimit të planifikuar në sisteme komplekse dhe të ndërlidhura. Shtetet, institucionet dhe kompanitë punojnë paralelisht për kushte më të mira jetese për njerëzit.
Po, ne e kemi humbur shikimin kur bie fjala tek mirëqenia e natyrës së gjallë. Ekosistemet janë në rrezik. Ndryshimi i klimës na kërcënon të gjithëve. Ne duhet të të ndjekim ty, duke vepruar me vendosmëri dhe menjëherë, në vend që të flemë gjumë si qeveria jonë federale.
Por: Nuk na lejohet të biem në panik!
Përshëndetje të përzemërta, Boris Palmer