Një 54-vjeçar është arrestuar sot në Shkodër pasi mbante një pistoletë dhe një automatik pa leje në banesë. Policia thotë se kemi marrë informacion nga qytetarët se një shtetas dispononte armë zjarri në banesë.
“Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit V. K., 54 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku” u gjet një armë zjarri automatike dhe një pistoletë, me krehër dhe fishekë. Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i 54 – vjeçarit, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, thuhet në njoftim.
Policia e Shkodrës falenderon qytetarët për mbështetjen dhe rritjen e besimit, për të denoncuar çdo rast të paligjshmërisë, duke u garantuar anonimat të plotë.