Koronavirusi po detyron familjet të mos u qëndrojnë pranë të dashurve të tyre në momentet e fundit të jetës dhe në disa raste të dhimbshme, të mos kenë mundësi as t’i përcjellin në varreza.
Familja e viktimës më të re të koronavirusit në Britani nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në funeralin e tij, sepse ata janë në izolim pasi vëllai dhe motra e tij shfaqën simptoma. Ismail Mohamed Abdulwahab, nga Brixton, në jug të Londrës, vdiq i vetëm në Spitalin “King’s College” në orët e para të së hënës. Nëna e tij dhe gjashtë fëmijët e tjerë tani do të detyrohen të vëzhgojnë funeralin e tij në një transmetim të drejtpërdrejtë, kur të ndodhë këtë pasdite.
Një mik i familjes, Mark Stephenson, i cili ngriti një apel në “GoFundMe” për familjen, tha se vëllai dhe motra më e vogël e Ismailit kanë zhvilluar simptoma të lehta, përfshirë temperaturë dhe humbje të shijes.
Vetëm dhjetë persona do të lejohen të marrin pjesë në funeral për shkak të kufizimeve të qeverisë. Sipas zakonit islam, trupi tradicionalisht dërgohet në xhami së pari për lutje të veçanta, por për shkak se të gjitha vendet e adhurimit janë mbyllur aktualisht, Ismaili do të dërgohet direkt në varreza në jug të Londrës. Vetëm dy makina do të ketë kortezhi i funeralit.
Një i afërm i djalit tha për “MailOnline” se dhjetë veta do të marrin pjesë në varrosjen e tij, kryesisht nga të afërm meshkuj, disa nga xhaxhallarët dhe kushërinjtë e Ismailit.
“Unë kam folur me nënën e tij Sadiya dhe pjesën tjetër të familjes dhe duke mos qenë në gjendje të marr pjesë në funeralin e Ismailit, vetëm më ka shtuar dhimbjen. Ka pasur disa biseda për transmetimin live të procesit, por unë nuk mendoj se do të lehtësojnë vuajtjet e tyre.
Miqtë dhe të afërmit kanë shkuar në shtëpi për të respekt, por nuk kanë hyrë brenda. Ne thjesht kemi shprehur dhimbjen tonë duke qëndruar jashtë dhe duke folur me ta ndërsa ata shikojnë nga dritarja.
Kjo është një tragjedi për familjen. Ata kanë emër të mirë në komunitetin somalez në Brixton dhe është shumë e trishtueshme për të gjithë ne që Ismaili nuk do të varroset si mysliman me të gjitha ritualet tradicionale”.
Ismaili, i cili nuk kishte probleme të tjera shëndetësore, u përshkrua nga familja e tij si një djalë i qetë dhe i sjellshëm.
Ai u testua pozitiv për Covid-19 të premten e kaluar, një ditë pasi u shtrua në Spitalin “King’s College”. Ismail vdiq të hënën në 3 të mëngjesit pasi mushkëritë e tij dolën jashte funksionit dhe ai pati një atak kardiak.
NHS konfirmoi që një 13-vjeçar pa asnjë gjendje të komplikuar shëndetësore ishte mes pacientëve që kishin vdekur pas testimit pozitiv me Covid-19.