Përveç Premier League ku gara për titullin është e hapur, në kampionatet e tjera elitare tashmë kemi kampionët e rinj të sezonit 2018-2019. Beteja është ajo për një vend në Kupat e Europës, Champions League dhe Europa League. Gara për një vend në Champions në Serie A, është bërë edhe më interesante pas barazimit të Interit ndaj Udineses të shtunën, pasi as zikaltrit nuk e kanë siguruar vendin e 3-të dhe në lojë për dy biletat e fundit që të çojnë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube janë plot 6 skuadra.
Shpreson edhe Lazio e vendit të 8-të. Bardhekaltrit e Simone Inzaghit me një fitore sot në përballjen direkte ndaj Atalantës do të futeshin fuqishëm në garën për vendin e 4-t, pasi diferenca me zikaltrit nga Bergamo do të shkonte në vetëm 1 pikë. Atalanta në krahun tjetër ka për detyrë të ruajë pozicionin e saj por edhe të ushtrojë presion ndaj Interit të vendit të tretë.
Në orën 15:00 do të luhet sfida tjetër mes Parmës dhe Sampdorias. Në orën 18:00 do të jetë radha e Romës që sfidon Genoan në transfertë. Skuadra e Prandellit nuk e ka siguruar ende mbijetesën dhe do të bëj çmos për të ndalur verdhekuqtë e Ranierit që shpresojnë te një dhuratë e Lazios për t’u ngjitur të 4-it.
Në mbrëmje Napoli pret në San Paolo Cagliarin në një sfidë ku skuadra e Ancelottit në rast suksesi do të siguronte edhe matematikisht vendin e 2-të. Në Spanjë, vendi i katërt do luftohet mes Getafes me 58 pikë dhe Sevillas me tre pikë më pak e renditur e pesta.
Në Bundesliga gara është e hapur mes katër ekipeve për vendin e katërt. Eintracht Frankfurt me 54 pikë, Mönchengladbach 52, Wolfsburg 52 dhe Hoffenheim 51, do luajnë deri në javën e fundit për një vend në Champions. Frankfurt luan sot kundër Bayer Leverkusen në “Bay Arena”.
Në Angli, vendi i katërt do të diskutohet mes Chelsea 68 pikë, Arsenal 66 pikë dhe Manchester United 65 pikë. Blutë e Londrës luajnë kundër Watford, ndërsa “topçinjtë” do të kenë përballë Brighton.