Premier Liga rezervon një ndeshje të fortë sot mes Manchester City dhe Arsenal. Ekipi i Guardiolës do të përpiqet maksimalisht të fitojë, për të zvogëluar diferencën me Liverpool-in kryesues.
Ekipi i Klopp, aktualisht kryeson me 5 pikë, por nesër do të ketë mundësinë të ruajë lidershipin nëse do të arrijë të fitojë me londinezët e West Ham. Po ashtu, me interes shihet ndeshja mes Leicester dhe Manchester United, ku do të duket qëndrueshmëria e djemve të Solskjaer që kanë pasur rezultate të mrekullueshme me fitoret e fundit radhazi. Gjithsesi, pretendimet e Man Utd në këtë fazë të kampionatiti nuk mund të shkojnë më shumë se sa të sigurojë një vend në zonën e ‘Champions League’.
Në Itali derbi i darkës është mes Romës dhe Milanit. Të dy skuadrat gjenden shumë pranë njëra-tjetrës në renditje. Lufta është për një biletë në ‘Champions’, pasi tre vendet e para ngjan se janë konsoliduar me Juventusin që prin, Napolin pasues dhe Interin në vend të tretë.
Në Francë pritet po ashtu të ketë spektakël sonte në përballjen mes Lionit dhe PSG. Sigurisht nuk diskutohet më për titullin, pasi PSG është 16 pikë para Lionit, por vendasit parashikohet të bëjnë një ndeshje të fortë dhe kërkojnë të sigurojnë vendin e dytë në kampionat, vend që aktualisht është zënë nga Lila.