Magnetofoni i ngritur në qiell, zhurma e takave mbi tabanin e ngjeshur zaptonin çdo tingull, e pamundur të merrje vesh çfarë thuhej. Pas pushimit të shkurtër mes dy ritmeve të vallëzimit kreha me sy grupin. Reli mungonte. Edhe Majlinda. Hyra mes turmës, pyeta me zë ulët shokun tonë të përbashkët. Mërmëriti diçka të paqartë në vend të përgjigjes, më mori për krahu, propozoi të vallëzonim.
Ia shtyva dorën me mirësjellje.
– Sa të shkoj pak në tualet.
– Po të pres, – tha me zë të pakët.
Ditë më pas kërkoi të falur.
– Bëra më të mirën e mundshme, – u justifikua…
Ndaloi, ngriti cullufen e majtë mbi sy, kafshoi cepin e buzës së poshtme nga sikleti.
– Lëre fare, – i tha Dori.
– Jo, do të tregoj gjithçka siç premtova.
I zuri dorën si të merrte kurajë.
– Kapërceva shkallët e jashtme që zbrisnin në oborr, hyra brenda. Dyshemeja prej dërrasash të vjetra rënkonte nën peshën e takave. Edhe pse nuk ktheva asnjë pikë alkool, më dukej vetja e dehur, në çdo hap më shtoheshin të rrahurat e zemrës, duart mezi i komandoja. Mbaj mend korridorin e gjatë, tavolinën në mes, shumë dyer përballë njëra-tjetrës. Hodha dy-tri hapa, trokita tek e para, s’u përgjigjën. E shtyva paksa, s’kishte njeri. As tek e dyta. Nga krahu tjetër dera me xham të trashë linte të kuptohej se duhet të qe banja. Nuk më bëhej të trokisja, isha pothuaj e sigurt se prapa saj fshihej diçka e frikshme. Nganjëherë kur e lodh shumë kokën me pandehma gjithfarëlloj, trupëzohen vërtet. E mblodha veten, e shtyva nxitimthi, siç shkulim një dhëmb të prishur. Pamja e turpshme mu valëzua si mirazh. Ulur mbi gjunjët e tij, Majlinda ia kishte qarkuar pëllëmbët rreth qafës, e puthte ku mundte, buzë, qafë, ballë, flokë. Me njërën dorë ai i ledhatonte shpatullat, tjetrën e kishte shtrirë poshtë vitheve.
E njihja mirë atë prekje.
Asnjë nga mijëra fjalë që më erdhën në mendje, s’arriti të dilte nga buzët. E urreva.
I urreva të dy…
Ndaloi, ngriti sytë, e vështroi gjithë droje. Pika lotësh ranë si padashur mbi tavolinë. Dori kërkoi sërish ta ndërpriste rrëfimin, ajo nuk pranoi.
– U bëra tjetër njeri, ia mbatha nga sytë këmbët e shfytyruar. Ledin e dashuruar e lashë aty. Rrëzova karrige, theva vazon antike mbi tavolinë, i shtyva me këmbë copat shpërndarë dyshemesë. Dëgjova të më thërriste. As e ktheva kokën ta shihja, vetëm i tregova me këmbë ciflat e vazos së thyer mbi çimento. Hipa në minibusin që priste të mbaronim, i kërkova shoferit të nisej.
– Më doli problem në shtëpi, – i thashë, – do të paguaj dyfishin.
– Po ata?
– Bëj rrugë tjetër, – e mbajta veten të mos ulërija, – përndryshe do ik në këmbë.
Sytë i kisha të buhavitur.
Reli mbërriti sakaq, i bëri shenjë të ndalonte, më kapi duart, u përpoq të më qetësojë.
– Ishte kundër dëshirës sime, – u justifikua, – më lër të shpjegohem.
U shkëputa me forcë, hipa, tërhoqa derën.
– Nisu! – i bërtita shoferit, – ç’dreqin pret akoma?
Reli tentoi të hapte derën e bllokuar me reze hekuri.
– Mu lut t’ia bëja qejfin për hir të ditëlindjes, besomë shpirt, ajo e di, jam i dashuruar me ty, – erdhi nga larg zëri i tij.
Dy ditë nuk shkova ne shkollë, sajova dhimbje koke.
Që në fakt po më hapej.
Mëngjesin e ditës së tretë, më priste te hyrja e shkollës.
– Të përgjërohem zemër, ishte rastësi, gjysmë i pirë as e dija ç’po ndodhte. Ta dish sa të dua, mund të më shkatërrosh.
Nuk kishte Zot të më ndërronte mendjen. Skena më rrinte sa në tru, aq përpara syve ditën zgjuar dhe natën në gjumë.
Madje edhe sot pas njëzet e gjashtë vjetësh.
Lotët i mblidheshin nën mjekër, por as merrte mundimin t’i fshinte. Mbase nuk e dinte që qante.
– Boll, – i tha Dori, – mjafton.
– Prit ore, s’kam mbaruar.
I hodhi sytë orës në aparatin celular, thirri kamerierin, i kërkoi një gotë ujë, piu fare pak sa njomi grykën.
– Dikur iu luta mamasë të më jepte përkohësisht unazën e artë të martesës të mburresha para shoqeve, sidomos të largoja pretenduesit. Ç’është e vërteta qëllova në shenjë, shumë syresh më pandehnin të fejuar, largoheshin zemërthyer. Pasdite në palestër e hoqa, ia dhashë Relit ta mbante sa të kapërceja kaluçin. Ai e futi në gishtin e vogël, ku edhe mua më shtrëngonte, sado u përpoq ta hiqte, nuk mundi.
– Nxire me ujë e sapun, – e këshillova, – ma sill nesër.
Nuk e hoqi dot as në shtëpi, thua rrethi i floririt u çimentua me mishin.
– Ç’mu desh që e vura, – u ankua.
Daja më pati treguar se rrethi i martesës ia holloi gishtin aq shumë gjyshit në moshë të thyer, sa me kohë iu paralizua nga qarkullimi i ngadaltë i gjakut. Megjithëse ia la trashëgim të birit, u detyruan ta varrosin bashkë me unazën. Me sa duket rrethi ngushtohet gradualisht si pasojë e bashkëveprimit me ligamentet, apo kushedi çfarë reaksioni të errët kimik. As më pak, as më shumë i ndodhi Relit. Kur i thashë mamasë më humbi, u mërzit, pastaj e harroi si shumë të tjera në përditshmërinë e vet të ngarkuar. Pata vendosur ta harroja dhe unë, po tani as bëhej fjalë.
E vështroi Dorin, si t’i kërkonte leje për të vazhduar.
– Druaj se të mos e shtjelloj hollësisht nuk do ta besosh, – i tha.
Ai tundi kokën në shenjë miratimi.
Do të vazhdonte gjithsesi.
– Gjithë natën ra shi, mëngjesi gdhiu me diell, shkreptima të purpurta nga veriu dëshmonin se stuhia qe transferuar diku tjetër. Lulesat e pemëve shndrinin, nga dritarja e palestrës depërtonte aroma e athët e tokës së lagur, pellgjet e ujit në oborr reflektonin dritë të luhatshme për shkak të flladit verior. Nuk mu hoqën nga mendja as grahma e dheut, as pasqyrimet e ujit mbi muret dhe tavanin e palestrës, dëshmitare të heshtura të dramës që u luajt pesë minuta më vonë.
Reli ndaloi përballë, i zverdhur dyllë. Gjurmonte kudo shkoja, priste ta falja e të kthehesha, nuk i besohej se më kishte humbur. Shprehja e dikurshme pak arrogante më kujtoi kohët e arta, po tani kjo nuk kishte pikë rëndësie.
– Ma jep unazën, – i thashë majë dhëmbëve.
As i ngrita sytë ta shihja, isha shumë e nxehur.
E kuptoi dhe u step.
– Ma lër kujtim, është si të më marrësh shpirtin, – pëshpëriti kokulur, rob i gënjeshtrës së vet.
– E humbe të drejtën ta mbash, – i thashë sa më qetë munda, – shpirtin ruaje për tjetrën.
Në memorien time ditët e lumtura kishin firuar, mbetej lamtumira, epilog i dashurisë së vdekur.
Më pa përmes kaçurrelave rrëzuar mbi ballë. Në sy kishte diçka misterioze, dofarë drite të luhatshme kristiane përzier me angështi e keqardhje.
– Të lutem mendoje mirë, pse ta helmojmë për hiçmosgjë jetën e sapo nisur?
– Nuk e kupton, ose nuk do ta kuptosh, – i hoqa zvarrë fjalët.
– Çfarë? – pyeti me një fije shprese.
– Mori fund, s’ka kthim pas.
E kapi mesazhin, se u vrenjt përnjëherë.
– Ti e di, nuk mund ta nxjerr, përse ngul këmbë, – mërmëriti me zë të vakur.
– Shkolite me forcë, gjakose, preje, bëj ç’të duash, ma jep tani, menjëherë.
Përkuli kokën si të miratonte deklaratën e pamëshirshme, i dha kokës pas të ngrinte flokët, u lëshua më mbërtheu supet me të dy krahët, m’i puthi lehtas flokët, u tërhoq, pa lënë kohë të reagoja në një farë mënyre.
– U bëftë vullneti yt, – kryqëzoi duart si në kishë, nxori thikën e fshehur për vetëmbrojtje qysh nga incidenti, shkeli sustën e dorezës, e hapi, preu gishtin me lëvizje të sakta e të befta, si të priste fije kashte. Llogariti gjakftohtë çdo veprim, vendosjen e dorës mbi tavolinë me gishtin e vogël zgjatur përpara, përcaktimin e vendit ngjitur rrethit të unazës, ushtrimin e forcës së nevojshme. Nuk nxori zë, as u mblodh, vetëm kaçurreli mbi vetull iu përkund, lotët ia turbulluan shikimin. Cungu i prerë kërciti mbi dysheme si ashkël e shkëputur nga dhisku i punës me dru, u ngrit pak, pastaj ngriu në shtratin e vet prej gjaku.
Gjithë ai gjak, shatërvan!
– Budalla, çfarë bëre! – ulëriva sa kisha në kokë, rashë nën këmbët e tij.
U përmenda në klasë…
Nga ajo ditë braktisa shkollën. Më vonë dëgjova se e la edhe ai. Më kujtohet se fill pas prerjes, teksa s’bënte kurrfarë përpjekje ta ndalonte gjakun që rridhte lumë, u pamë sy më sy afro një sekondë. Pamja e fundit dhe e vetmja që mu ngulit në kujtesë. Nuk më vjen ndërmend asnjë hollësi tjetër. Me kohë ai dhe bashkë me të dashuria e tij u kthyen ëndërr e së shkuarës. Nuk e pashë kurrë. Rasti e solli të zhvarros edhe një herë.
Me siguri e fundit.
Në fytyrë iu stampua shprehje e pavetëdijshme vuajtjeje. Shkundi kokën si të përzinte kujtimet dhe vazhdoi.
– Nga lartësia e viteve të sotme më duket e pabesueshme, thua i ndodhi një vajze të gjorë në fillesën e jetës që nuk e kuptonte si rrotullohej bota, jo mua. Nuk e mohoj, ishte çast i lumtur nga ato që stampohen në kujtesë tërë jetën. Më ngushëllonte shpresa se dashuria do të vinte përsëri, jeta ishte shumë e gjatë për ta mbyllur aq shpejt më një burrë të pabesë. Nuk e di sa të drejtë pata, veçse u desh të kalonin njëzet e gjashtë vjet të kapja sërish të njëjtin çast të lumtur dhe ta dish nuk kam ndërmend të heq dorë për herë të dytë. Nganjëherë më duket sikur do të shoh me ndonjë grua në prehër dhe tmerrohem. Ja pse kërkoj orë e çast të thuash se më do shumë, – në zërin disi paditës spikatën nota dëshpërimi dhe kërcënimi.
Dori i fshiu sytë me mollëzën e dorës.
– Nuk ka më qesharake se një grua qaramane për historitë e vjetra zhytur humbellës së moteve, – i tha me të qeshur.
Sido që ende e lotuar, ajo e mblodhi veten.
– E vetmja kërkesë është të mos më tradhtosh, se ta këput kokën si të zogut.
Për herë të parë Dori e mori seriozisht kërcënimin. Teksa i ledhatonte lëkurën e qafës, nishanin e kafenjtë anës së majtë, shtatin e përkryer me bukuri marramendëse, përfytyroi ç’mund t’i punonte në se ia dridhte.
Një grua s’e ka për gjë të vrasë nëse vendos.