Konfirmohet se kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku ka qenë i dënuar në Greqi me emrin Jorgo Toto. Faktet i bëri sot publike, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, referuar informacionit të mbërritur nga prokuroria. Organi i akuzës bën të ditur se përgjigjja e gjurmëve të gishtave të ardhura nga Greqia për Kajmakun, përputhen me ato të Jorgo Totos, duke theksuar se kryebashkiaku i Vorës ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me ushtrimin e mandatit në funksione publike. Në këtë drejtim, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i kërkon kryeministrit Edi Rama të shkarkojë menjëherë Agim Kajmakun.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi citoi shkresën e prokurorisë: “Nga informacioni i zyrës së Interpol Greqi rezulton se nga krahasimi daktiloskopik i gjurmëve të gishtave të shtetasit Agim Kajmaku me gjurmet daktiloskopike që ndodhen në bazën e të dhenave kriminale të Greqise, rezulton se këto gjurme perputhen me gjurmet e gishtave të shtetasit Jorgo Toto. Nga verifikimet e kryera konfirmohet se Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin se ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor në zhvillim.
Kjo sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke, ku i është berë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër, rezulton se Agim Kajmaku ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datën 30 Mars 2004 emër/mbiemër nga “Jorgo Toto” në Agim Kajmaku, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit”.
Pasi bëri të ditura të dhënat më të fundit, të prokurorisë, Gazment Bardhi pati një mesazh për kryeministrin.
“Çdo alibi e krijuar nga Edi Rama dhe përfaqësuesi i tij në Bashkinë e Vorës, është rrëzuar. PD e ka te qarte se Edi Rama nuk ka vullnet për ta luftuar krimin dhe se pushtetin e tij e ka te lidhur me krimin. Mirëpo shkarkimi i menjëhershëm nga detyra i Agim Kajmakut, nuk është me një çështje e vullnetit në dorë të Edi Ramës. Edi Rama ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të shkarkojë menjëherë nga detyra kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili është arrestuar dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar deri në shtator 2019”, u shpreh ai.
Deklarata e plotë e Gazment Bardhit
Në datë 20 gusht 2019 Partia Demokratike solli fakte se Agim Kajmaku, kandidati i Edi Ramës për Bashkinë e Vorës ishte një person që ishte i arrestuar në flagrancë, në kërkim ndërkombëtar në shtetin fqinj, në Greqi. Me ndihmën e Edi Ramës, Agim Kajmaku u përpoq të vijonte mashtrimin e opinionit publik se në fakt Jordo Toto ishte një person i ndryshëm dhe nuk ishte Agim Kajmaku, kandidati i Edi Ramës në bashkinë e Vorës.
Partia Demokratike asokohe solli fakte të pakundërshtueshme se në fakt Jordo Toto i arrestuar në flagrancë në Greqi ishte pikërisht Agim Kajmaku, kandidati i Edi Ramës për bashkinë e Vorës. Sot denoncimi i Partisë Demokratike është provuar zyrtarisht nga Prokuroria e cila me shkresën e datës 28 tetor 2019 ka provuar si tërësisht të vërtetë denoncimin e kryer nga Partia Demokratike. Në vendimin e Prokurorisë i mbërritur vetëm pak minuta më parë zyrtarisht në Partinë Demokratike, rezulton se zyra Qendrore e Kombëtare e INTERPOL Tiranës, me shkresën Nr. 10709/6, datë 24/09/2019; ka sqaruar se nga informacioni i marrë nga zyra homologe INTERPOL Athinë rezulton se nga krahasimi i gjurmëve të gishtërinjve të shtetasit Agim Kajmaku, me gjurmët e gishtërinjve që ndodhen në databazen e të dhënave kriminale në Greqi ka përputhshmëri të plotë me ato të shtetasit Jorgo Toto.
Më tej, Prokuroria ka sqaruar se shtetasi Agim Kajmaku kandidati i Edi Ramës në bashkinë e Vorës, nga verifikimet e kryera është provuar se Agim Kajmaku dhe shtetasi Jorgo Toto, është i njëjti person. Ky fakt konfirmohet nga të dhënat e sistemit TIMS, konfirmohet nga fakti që gjurmët e shtetasit Agim Kajmaku dhe shtetasit Jorgo Toto janë i njëjti person. Nga verifikimet e kryera, – citoj, shprehet prokuroria, konfirmohet se subjekti Agim Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qEnë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Kjo, sepse ai është arrestuar, – shprehet prokuroria, në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke ku është bërë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqej ndaj tij.
Nga ana tjetër, shprehet prokuroria, rezulton se subjekti ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti përpara autoriteteve shqiptare, jo vetëm duke ndryshuar emrin dhe mbiemrin, por dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit. Në konkluzion, organi i prokurorisë ka konfirmuar se shtetasi Agim Ymer Kajmaku, kandidati i Edi Ramës për bashkinë Vorë, përfshihet në përcaktimin e pikës 3, germa ç, kreu 3, të vendimit 17-2016-të të Kuvendit të Shqipërisë.
Citojmë: Pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të pa plota dhe të pa sakta në këtë formular, pas sjell skualifikimin e menjëhershëm nga ushtrimi i mëtejshëm i funksionit publik. Pas këtij vendimi të organit të prokurorisë, tashmë çdo alibi e krijuar nga Edi Rama dhe përfaqësuesi i tij në bashkinë e Vorës, është rrëzuar. Ne e kemi të qartë se Edi Rama nuk ka vullnet për ta luftuar krimin dhe se pushtetin e tij e ka të lidhur me krimin. Mirëpo, shkarkimi i menjëhershëm nga detyra i Agim Kajmakut, tashmë nuk është më një çështje vullneti në dorë të Edi Ramës.
Edi Rama ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të shkarkojë menjëherë nga detyra kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili është arrestuar dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar deri në shtator të vitit 2019-të, për një vepër penale të rëndë të kryer në shtetin grek, për të cilën do të duhej të ishte dënuar deri në 10 vjet burg. Ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është dhe një nga kushtet e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Kjo është një tjetër provë nëse Edi Rama do të vijojë të mbajë peng Shqipërinë, duke bashkëqeverisur me krimin, apo do të duhet të hapë krahun për ti hapur rrugë Shqipërisë si gjithë Europa.
****
Agim Kajmaku nuk ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit ndalimin dhe hetimin nga autoritetet greke për falsifikim kartëmonedhash. Në këto kushte, ligji për dekriminalizimin parashikon qartë ndalimin e kandidimit dhe si dhe skualifikimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo ushtrimi i mëtejshëm i funksionit publik.
Kryebashkiaku i Vorës, i dalë nga votimet e 30 qershorit, u detyrua të depozitojë në prokurori gjurmët e gishtërinjve, pasi PD denoncoi të shkuarën e tij kriminale.
Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë.Të dhënat tregojnë se ai është dënuar nga Gjykata e Janinës në vitin 2003 për veprën penale “për përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsfikuara”.
Por në muajin shtator, Agim Kajmaku pati deklaruar për mediat se nuk është dënuar dhe as është dëbuar ndonjëherë nga shteti grek dhe sipas tij, këto akuza kanë sfond politik. Kajmaku është shprehur se emrin e ka ndryshuar si “një pjesë e mirë e shqiptarëve”, për t’iu dhënë mundësia e qendrimit në shtetin fqinj.
Në muajin shtator Gjykata e Janinës në Greqi e shpalli të pafajshëm Jorgo Toton (alias Agim Kajmaku) për akuzën e falsifikimit të parave, por kjo nuk e shpëton dot kryebashkiakun e Vorës, pasi ai nuk e ka deklaruar arrestimin e tij nga autoritetet greke.