fbpx

Aktualitet

Meta: Zëdhënësi im është shantazhuar nga një ambasadë e huaj





               Publikuar në : 16:07 - 21/11/19 |
mapo.al

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, denoncon sipas tij shantazhimin që një ambasadë e huaj i ka bërë zëdhënësit të tij, Tedi Blushi. Meta shkruan në rrjetet sociale se përfaqësues të ambasadës, emrin e të cilës ai nuk e bën të ditur, i kanë kërkuar Blushit që të fshijë postimin e bërë sot paradite, brenda 30 minutave.


Meta thotë se kjo është një ngjarje e rëndë, për të cilën ai ka kërkuar hetim të menjëhershëm, ndërsa shton se mund të jetë edhe lojë e qeverisë.



“Shpresoj të jetë lojë e Rilindjes por mjerë ata diplomatë që mund të kenë kërcënuar Zëdhënësin e Presidentit të Republikës”, thekson Meta.


Denoncimi i Metës
Po, zëdhënësi im, z.Tedi Blushi është shantazhuar në emër të një Ambasade të huaj në Tiranë, që të tërheqë një postim të bërë sot paradite për shkak të detyrës brenda 30 minutash. Kam kërkuar hetim të menjëhershëm. Shpresoj të jetë lojë e Rilindjes por mjerë ata diplomatë që mund të kenë kërcënuar Zëdhënësin e Presidentit të Republikës.

Çfarë shkroi Tedi Blushi në Facebook sot paradite

Postimi i parë
Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit. Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës. Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik. Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë! Rruga e Kavajës të çon në Kavajë! Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar!

Postimi i dytë
Të dashur kolegë gazetarë,
Interesimit tuaj për një lajm, që siç më vutë në dijeni, ja u ka konfirmuar z.Guri Lekloti dhe ju ka sugjeruar t’ja u konfirmoj edhe unë, ju sqaroj :
Po, është e vërtetë që mbrëmjen e djeshme ka patur një bisedë telefonike rreth 30 minuta mes Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta dhe Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer, me kërkesë të këtij të fundit.
Qëndrimet e Presidentit Meta të shprehura gjatë kësaj bisede telefonike kanë qenë mjaft të qarta, transparente dhe shteruese.
Megjithatë nëse z.Lekloti, bie dakord me ambasadën e SHBA në Tiranë, dhe na autorizon ta publikojmë të plotë transkriptin e kësaj bisede telefonike, ne jemi gati ta vëmë atë të plotë në dispozicion të opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar.
Presidenti Meta nuk ka asgjë për të fshehur!
Konfirmojmë se marrëdhëniet tona strategjike me SHBA janë të forta, të qëndrueshme dhe transparente, si asnjëherë!


Etiketa: , , ,

Pas