Mapo Letrare

“E gjithë jeta jonë është pritja e kthimit të tyre”








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:06 - 20/09/20 |
Rudolf Marku

ARGONAUTËT


Askush nuk i kujton më Argonautët.


Por ne, një grusht njerëzish disi të fantaksur


Vazhdojmë të presim në breg kthimin e tyre;


Herë pas here një pulëbardhë e gjakosur


Na thotë se i ka parë në vorbullat e Bermudës,

Atje ku dallgët janë më të larta se Olimpi.

 

Dhe ne, me kokëfortësi vazhdojmë të presim.

Netëve shohim të njëjtit yje që shohin dhe ata,

Derisa ndjejmë etjen e tyre në buzët tona të thara.

Uria është kudo e njëjtë. Dhe vdekja po ashtu!

 

E gjithë jeta jonë është pritja e kthimit të tyre

Një grusht njerëzish që bëhemi përherë e më të pakët.

Sa herë që një pritës nga rradhët tona vdes,

E dimë se njëri nga marinarët e Jasonit ka vdekur,

Kufomën e hedhim në thellësitë e detit

Siç bëjnë në largësi dhe Argonautët.

 

E gjithë jeta jonë është pritja e kthimit të tyre!

Tani gjithnjë e më tepër tregojmë për bëmat e Argonautëve,

Skicojmë harta vendesh të largëta,

Flasim për ishuj misteriozë, për vorbullat e Bermudës,

Lëkurën e kemi të rreshkur nga dielli, nga ernat dhe kripa e detit

Dhe jemi fare të pakët.

Dhe fëmijët e fëmijëve tanë do ngulin këmbë një ditë

Se Argonautët ishim ne, që kemi pritë!

 

POETËT

Poetët mblidhen në Ferr,

Mes squfurit djegës. Bisedojnë të qetë

A thua se janë në shtëpinë e tyre.

 

Gjuha është një tunel i pafundm;

Bashktingllore basesh. Zanore prej flauti.

Por zhurmat në Ferr i mbysin bisedat e tyre.

Kush tha se do të donin t’i zhvendosnin yjet

Drejt Mëshires, drejt përdëllimit?

 

Poetët janë qytetarë të Ferrit,

I mbushin penat e tyre me squfur, me gjakun e vet,

Me ëndërrat e të panjohurëve, me rrëfime fantazmash,

Të dënuar për shkak të tingujve, të ritmit, të fjalëve

Dëgjojnë bisedat sekrete të sferave qiellore.

 

Poetët janë qytetarë të Ferrit.

Ecin nëpër hone malesh, kundër gravitetit të dashurisë

Për të arritë mëkatarët e braktisur nga gjuha.

 

KURRË NUK DO MBRIJ NË TIRANË

Shkapërcej male, lugina, hone të frikëshme,

I bie mespërmes Mesdheut, Adriatikut, Jonit,

Por nuk arrij në Tiranë,

Dhe jo e jo në Shqipëri.

Ne Heathrow, Gatwick, Stansted më qeshin,

Më thonë se nuk do shkosh asgjëkund,

As në Eldorado dhe as në Ferr,

E pastaj më thonë me takt, me kujdes,

Është më mirë të mos marr as avion e as tren

 

Sepse Trishtimi nuk qenka gjeografi,

Sepse Trishtimi nuk qenka Vend.

 

Zgjedh rruge të tjera. Me anije, tragete, nëndetëse,

Kaloj tunele sekrete të nëndheshme të mallit,

Përdor taktikat moderne të katapulteve të kujteses,

Teknologjinë më të fundit të shpejtësive të zemres;

Në Rinas më qeshin e pastaj më thonë

-E kupton dhe vetë, nuk ke mbërrit në Tiranë,

Dhe jo e jo në Shqipëri

 

Sepse Trishtimi nuk qënka Vend,

Sepse Trishtimi nuk qënka gjeografi.

 

VENDI IM

Emri yt ende nuk është shkruar ;

Vazhdon ngjitjen tënde në drejtimin e kundërt të gravitacionit të dashnise,

Në trajektoren e dhimbshme të Harreses.

E di se këtu kujtesa vret më tepër se Terrori

O Vendi im i braktisur nga gjuha.

Askush nuk na e thotë vendin ku jemi.

 

E prapë vazhdon të ngjitesh në malin mistik të teologjisë së dëshpërimit,

Me formula të frikëshme honesh. Derisa arrijmë në atë piken mes Qiellit dhe Tokës,

 

Në vendin më të bukur të Dheut. Jo shumë lart, por jo dhe aq poshtë,

Në qoshkun e preferuar të engjëjve.

Vetë Engjëlli i Historisë të ka zënë pritë,

Me plagët e përhershme- Masakrat e Fatit;

 

Engjëlli i Historisë që nuk na thotë as vendin se ku jemi

O Vendi im !

 

E PSE U DASHKA TË JEM NË KËTË QYTET

E pse u dashka të jem në këtë qytet

Ku zemra më dhëmb? Shiu bie si tridhjet’ vite më parë

Ngjesh me vitrinat njerëzit  të mos lagen rrinë,

Si manekinë.

 

Si tridhjetë vite më parë pres të më shfaqesh

Nga një qoshe rruge që nuk ka kuptim

E lagur,bërë qull, si nga dënesjet e dikurshme

Në këtë qytet pa asnjë premtim.

 

E di që je larg, Kontinente larg

E di se shiu është i rrallë në Kaliforni,

Por unë vij nga Londra, dhe njerëzit më thonë

Se në kët’qytet unë vetë  solla shi.

 

Pa e ditur se shiu ka filluar më parë

30 e ca vite bie, me rrebesh dhe furtunë,

30 vite që njerëzit nuk ngren sytë nga yjet

30 vite që njerëzit janë më të vetmuar se kurrë

 

E pse u dashka të jem në këtë qytet

Poshtë yjeve që s’i  prek asnjë histori?

Trobaturët kanë vdekur, të gjithë kanë vdekur

E askush nuk  kujtohet se lotët  quhen shi.

 

KUR ANIJA E POETIT

 

Kur anija e Poetit të thyhet prej dallgëve,

Me dhogat,hartat, velat,  që pluskojnë mbi det,

Ndërtoni varkat tuaja,

– 0 njerëz që qëndruat gjithë jetën në breg !

 

JEMI NE, JO STATUJAT…

Nuk janë statujat që thyhen në copëza,

Jemi ne, të gjallët, që jetojmë njëherësh në fragementet e jetës tonë,

Jemi pranë Oqeanit Paqësor po në atë çastin kur prekim ujërat e Adriatikut;

Jemi ne që thyhemi në thërmija të vogla,në fragmente gurësh mozaiku,

Hedhur shkujdesur një këtu, një atje, në kufinj kontinentesh,

Brenda trajektoreve të pa-parashikuara të fatit.

Statujat nuk thyhen-e njoh natyren e tyre kokëfortë,

Pagjumsinë e tyre të përjetshme, mbështjellë brenda lëkures së gurëve që nuk thyhet kurrë ;

 

Fragmentet tona mund t’i gjesh në Avenjunë e Pestë, në Times Square, në Athinë,

Në Ishullin e Korsikës, në Zaragozë, në një hotel pranë katedrales së Strasburgut,

A ngjitë me shtepinë e Albert Durer; në Prague, duke kërkuar gjurmët e Franc Kafkës,

Në malin oshënar të Shën Mishelit, a në një mal të thatë pa emër të Kroacisë,

Më lëkura gjarpërinjsh të lënë pranë gurvëve të hedhur të fatit, si ditët tona.

 

Nuk janë statujat që thyhen në copëza. Jemi ne

Në fragmente ëndërrash,dashurish,luftërash,urrejtjesh.,

Hedhur në cepe kontinentesh, duke pritur prapë kthimin e Argonautëve;

Me këmbët në Lumin Drin dhe me torson e zhytur në thellësit e Paqësorit,

Shohim sirenat e detit pa arritur kurrë të dëgjojmë kënëgën e tyre,

Shohim nekrologjitë në mure pa i parë kurrë të vdekurit.


Etiketa: ,

Pas