fbpx

Aktualitet

E kërkonte gjithë Europa, kush është kryemafiozi që u kap në Shkodër





               Publikuar në : 17:07 - 26/06/19 |
mapo.al

Një superoperacion ndërkombëtar, i koordinuar nga EUROPOL ka arritur të vërë në pranga plot 42 anëtarë të një bande narko-trafiku. Kapoja qendronte në Shkodër dhe është arrestuar gjatë ditës së sotme. Bëhet fjalë për 51 vjeçarin Astrit Beqiri. Policia tha se këtij personi i janë sekuestruar në Shqipëri rreth 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.


Operacion ndërkombëtar antidrogë është koduar “Goldfinger” dhe hetimi ka nisur fillimisht në Danimarkë. Po kështu nën kordinimin e Europol, operacioni eshte shtrirë në Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni dhe Shqipëri. Eshtë dokumentuar me prova, se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1650 kg kokainë dhe heroinë në disa shtete të Bashkimit Europian.



Njoftimi i policisë së shtetit shqiptar:


Autoritetet daneze të hetimit si vend lider i këtij hetimi, bashkëpunuan me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, që në fazën e hetimit proaktiv, i cili kishte në fokus goditjen e një grupi kriminal që vepronte në shtetet e mësipërme, në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë, etj.

Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, konkretisht Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet daneze, regjistruan procedimin penal në vitin 2019.
Është dokumentuar se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së. Si rezultat i operacionit u arrestuan mbi 42 persona në të gjitha vendet ku ishte shtrirë ky hetim. U sekuestruan 40 kg kokainë, u kontrolluan me dhjetëra ambiente, u sekuestruan mbi 600 mijë euro, arme zjarri, granata, disa automjete dhe objekte te ndryshme, etj.

Në Shqipëri gjatë fazës operacionale u përfshinë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Tiranë dhe Korçë, ku në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, mëngjesin e sotëm në Shkodër, u bë arrestimi i shtetasit Astrit Beqiri, 51 vjeç, banues në Shkodër, me rol aktiv (kryetar i grupit kriminal), për veprat penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

U shpall në kërkim një shtetas tjetër, por për arsye hetimi, nuk bëhen të ditura gjeneralitetet.

U sekuestruan në Shqipëri rreth 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.

EUROPOL dhe autoritetet daneze, kanë falënderuar Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për profesionalizmin e treguar, rolin aktiv dhe shumë të domosdoshëm në goditjen e këtij grupi të rrezikshëm kriminal.


Etiketa: , , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas