Ish-deputetja e LSI, Nora Malaj foli për eksperiencën e saj me koronavirusin gjatë një lidhje direkte me News 24. Megjithatë nuk kishte shumë nevojë për fjalë, pasi pamja e ish-ligjvënëses fliste vetë.
Me shumë kilogramë më pak dhe e zbehtë në fytyrë, Malaj kishte pësuar një ndryshim drastik në pamje.
Ajo rrëfeu se kishte humbur 6 kg në 21 ditë dhe tha se Covid -19 e kishte lënë me probleme shëndetësore.
“Kam kaluar tre javë jo të lehta…S’e dija që ishte Covid, mendova që ishte ftohje. E ndjeva veten të dobët, kisha temperaturë dhe kollë. Bisedova pastaj me mjekun Pipero, u alarmua edhe ai për shkak të diabetit që e kam pak të agravuar. Bëra disa analiza, u konstatua që ishte korona. Skaneri e përcaktoi përfundimisht se kisha arritur kulminacionin në ditën e 5-të”,– tregoi Malaj.
Politikania tregoi gjithashtu se ia kishte transmetuar virusin edhe bashkëshortit.
“E mori edhe im shoq nga unë. Ai e pati në dozë më të lehtë, unë e kisha më të vështirë se më rritej edhe diabeti. Djersinim pafund të dy. Kam marrë hollues gjaku për ta përballuar, më ka lënë disa probleme edhe te sytë, por edhe në rrugët urinare”, -u shpreh ajo.