fbpx

Editorial

E premtja e zezë shënon fundin e mashtrimit





               Publikuar në : 22:30 - 18/10/19 |
Gentian Gaba

Nga Gentian Gaba


I turbullt, i lodhur, i cekët dhe i pasaktë me qëllim, në një konferencë të tejzagjatur në të cilën u përpoq të justifikojë qendrimin e Macron me problemet e brendshme të BE-së, në të cilën pati edhe guximin të quajë azilkërkuesit shqiptarë ‘bishta’, Rama pranoi kapitullimin e qeverisë së tij përballë dyerve të Brukselit.



Sigurisht jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, sigurisht nuk mori asnjë përgjegjësi, por në formë të tërthortë pranoi se vitin e shkuar kishte gënjyer, pasi negociatat nuk ishin hapur në qershor 2018 dhe nuk do të hapen as këtë vit. Një disfatë që nuk është vetëm e Ramës, por e gjithë aparckiëve të BE-së. Të mbyllur në katin e shtatëmbëdhjetë të ‘kullës së fildishtë’, pasqyronin një Shqipëri që ekzistonte vetëm në letra. Një mashtrim që pati kosto shumë të larta për vendin, sepse diagnostikim korrekt i sëmundjes së demokracisë sonë do të kishte thënën zgjidhje dhe shërim më të hershme.


Rama dhe notërët e dështimit të tij i lanë shqiptarët përballë dy zgjedhjesh, të gjallonin nën degradimin ekonomik, politik dhe juridik apo të iknin. Me qindra mijëra zgjodhën largimin. Atëherë problemi i brendshëm i demokracisë sonë u bë edhe problemi i brendshëm për Bashkimi Europian.

Këtë të premte mashtrimi i madh mori fund, por me kosto shumë të larta. Bashkë me negociatat u ra edhe propaganda që reklamonte sukseset e njëpasnjëshme të partisë-shtet, e cila qeveris e vetme çdo filiz të jetës publike të një vendi përherë e më të boshatisur; i ngjashëm me një anije në mëshirë të dallgëve, për orientimin e së cilës ‘kapiteni’, tashmë thinjosh dhe pa reflekset e dikurshme, nuk ka më asnjë përgjigje dhe vizon, veçse kryeneçësinë për të mos hequr vullnetarisht dorë nga timoni i saj.
Megjithatë, kjo e premte e zezë, që për shqiptarët nuk do të thotë vetëm më pak Europë, por edhe më pak garanci, më pak standarte dhe më pak investime të huaja, bashkë me fundin e mashtrimit shënon edhe mundësin e nisjes së një ndryshimi përmes rotacionit politik.

Konferencat për shtyp të njëpasnjëshme të kreut të mazhorancës dhe kreut të opozitës, mbartnin një simbolikë të fortë, gati si një stafete të pikturuar tragjikisht në portretin e Ramës, të mposhtur nga gënjeshtra e tij, dhe Bashës, të vendosur, të kthjellët dhe të përgjegjshme për rrugën e vështirë që do të duhet të ndjekin të gjithë qytetarët shqiptarë. Një rrugë që në këtë moment nuk kalon vetëm nga protesta, por nga alternativa. Një rrugë që kërkon pjesëmarrje dhe një ndërgjegjësim për rolin e pazëvendësueshëm të çdo individi ka në një demokraci; e cila, për të qenë e tillë, duhet të jetë kufizim pushtetesh përpara se të jetë pushteti i një lideri apo një tjetri. Një rrugë që të çon në luftimin e Ramës si model nëpërmjet alternativës politike të opozitës, ndryshimeve kushtetuese që synojnë përfshirejn e qytetarëve që prej shumë kohësh kanë humbur besimin te politika, dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që do ta kthejnë vendin në radarët e Europës.

Pra, ndërsa Rama lodron me forma organizimi të ndëshkuara nga historia dhe të paqarta për interesat e shqiptarëve, nuk dihet me kë do ta bëj ‘Shengenin Ballkanik’ në mungesë të Zaevit, i cili tregoi karakterin e një shtetari, shigjeta e busullës së Bashës shënon ende në drejtim të Bundestagut dhe nëntë kushteve. Udhërrëfyesi për të dalë nga kriza dhe për të përshpejtuar rrugëtimin europian, që partia simotër e PD-së i ka dorëzuar edhe Ramës, është po ai dhe pret të jetësohet. Kush e pengon mund të fitojë kohë, ndoshta edhe produktet që koha politike jep në një vend të zhytur në korrupsion, por nuk fiton as zgjedhje, as shpëtim.

/Gazeta Mapo


Etiketa: , , , ,

Pas