MALIQ – Janë gjendur trupat e pajetë të dy vëllezërve në fshatin Zvirinë, në afërsi të vendit të quajtur “Kisha e vogël”. Nuk dihen ende detaje për vrasjen e tyre, por raportohet se janë qëlluar me armë zjarri.
Bëhet fjalë për Andrea Olldashi (33 vjeç) dhe Martin Olldashi (31 vjeç), banues në Pogradec. Sipas njoftimit policor, vëllezërit ishin larguar nga banesa që prej datës 7 dhjetor.
Disa persona janë shoqëruar në Polici për t’u marrë në pyetje, nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje. Dhe një grup i posaçëm hetimor ndodhet në vendngjarje, duke punuar për zbardhjen e rrethanave.
Njoftimi i Policisë:
Maliq/Informacion paraprak
Më datë 10.12.2020, rreth orës 11:50, në fshatin Zvirinë, në afërsi të vendit të quajtur “Kisha e vogël”, janë gjetur të pajetë, trupat e vëllezërve A. O., 33 vjeç dhe M. O., 31 vjeç, banues në Pogradec, të cilët dyshohet të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Këta shtetas, ishin larguar nga banesa e tyre që prej mbrëmjes së datës 07.12.2020.
Në lidhje me këtë ngjarje menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të strukturave hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.
Forcat Operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, janë duke krehur zonën, gjithashtu janë shoqëruar në Polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje.
Po ndiqet itinerari i lëvizjeve dhe po kryhen një sërë veprimesh hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje si edhe kapjen e vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.