Një makinë me targa të Kosovës është përplasur në Rrugën e Kombit me një kamion. 4 persona kanë humbur jetën.
Mësohet se viktimat janë anëtarë të së njëjtës familje që po udhëtonin nga Kosova. Në makinë udhëtonin 5 persona. Paraprakisht raportohet se kanë ndërruar jetë dy prindërit dhe dy fëmijët e së njëjtës familje, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë një fëmijë tjetër i mitur.
Gazeta Mapo ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes, ku duket automjeti është shkatërruar tërësisht. Në këtë aksident janë përfshirë një makinë tip “Citroën” dhe një kamion.
Sipas të dhënave paraprake dyshohet se makinat janë përplasur kokë më kokë. Në këtë pjesë të Rrugës së Kombit mungon ndriçimi dhe dyshohet se ka ndikuar në shkaqet e aksidentit, si dhe lagështia në rrugë.
“Në aksin rrugor Rrëshen-Rubik, Rruga e Kombit, ka ndodhur një aksident rrugor midis mjeteve Citroen dhe mjeti kamion ku si pasojë e aksidentit dyshohet për 4 viktima. Grupi hetimor dhe Shërbimi Zjarrfikës ndodhen në vendngjarje”, thuhet në një njoftim paraprak të policisë.
Etiketa: 4 viktima, aksident, Rruga e Kombit