Një zjarr masiv ka shkrumbuar tre lokale në qendër të qytetit të Shkodrës.
Ngjarja ka ndodhur ne afërsi të Teatrit “Migjeni” dhe sipas informacioneve të para zjarri ka rënë rreth orës 3:25 të mëngjesit.
Mësohet se tre lokalet janë djegur totalisht, ndërsa për fat të mirë nuk ka asnjë person të lënduar. Ngjitur me lokalet ndodhet një pallat, ashensori i të cilit ka marrë flakë duke e përhapur më pas me shpejtësi tek tre lokalet që u dogjën plotësisht.
Sipas hetimeve paraprake është vaji i ashensorit shkaku i këtij zjarri. Ky ashensor shërbente vetëm për një lokal që ndodhet në katin e fundit të pallatit dhe jo për banorët, gjë e cila ka bërë që banesat e pallatit të shpëtojnë pa u djegur.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, duke bërë shuarjen e flakëve dhe duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.