Dikur, Kryesore

E rrallë: Ndjesa e persekutorëve komunistë për pushkatimin e Dom Shtjefën Kurtit

Letra e ish-prokurorit Hajredin Fuga dhe gjyqtarit Jani Vasili drejtuar Nikolin Kurtit, nipit të Dom Shtjefën Kurtit i pushkatuar nga regjimi komunist, në vitin 1971


Duhet të ketë qenë shumë e vështirë për Hajredin Fugën mëngjesi i datës 2 qershor 2011, kur një person me emrin Nikolin Kurti i kërkonte një takim dhe arsyen përse e kërkonte këtë takim. Kishte të bënte me një ngjarje shumë të rëndë që lidhej me të shkuarën e Hajredin Fugës, prokuror në kohën e diktaturës komuniste. Të njëjtin takim, Nikolini i kërkoi dhe gjyqtarit Jani Vasili. Nikolin Kurti kishte 20 vjet që kërkonte eshtrat e xhaxhait të tij, Dom Shtjefën Kurti, i pushkatuar në vitin 1971. Gjurmët e kërkimit e kishin çuar prej kohësh te procesi i gjyqit ndaj Dom Shtjefën Kurtit, atje ku kishte qenë prokuror Hajredin Fuga e gjykatës Jani Vasili. Nikolini kishte vendosur t’i takonte për të mësuar detaje të gjyqit ku u dënua me pushkatim padrejtësisht, xhaxhai i tij, Dom Shtjefën Kurti.

Takimi me prokurorin

“E mora në telefon dhe iu prezantova. I thashë dua të të takoj për çështjen e pushkatimit të Dom Shtjefën Kurtit. Jam nipi i tij. M’u përgjigj menjëherë pozitivisht. Më tha po, mund të takohemi dhe lamë një vend takimi. Ishte data 2 Qershor. Shkova në vendin ku e kishim lënë të takoheshim dhe po e prisja. Erdhi 10 minuta pasi kisha mbërritur unë. U ngrita në këmbë. I thashë uluni… ai më tha: Para se të ulem dua të kërkoj të falur për Dom Shtjefnin. Dua të kërkoj një ndjesë që nuk munda ta bëj ndaj Dom Shtjefnit, prindërve të tij dhe gjithë ju familjarëve! I thashë se e pranoj ndjesën. Pastaj u ul. Kisha marrë me vete dokumentin ku paraqitej kërkesa e tij si prokuror i çështjes, drejtuar gjykatës për pushkatimin e Dom Shtjefën Kurtit. E pa dhe më tha menjëherë: “është e vërtetë, është shkresa që unë kam shkruar… Por ashtu ishin kohët… etj”.

Pastaj nisi të më flasë për detaje të gjyqit, falsifikimin e të gjitha akuzave përmes të cilave u dënua me pushkatim xhaxhai im Dom Shtjefën Kurti. I kërkova të më bënte një nder: të gjitha çfarë po më thoshte t’i shkruante në një letër me shkrim dore, jo me kompjuter. Më tha menjëherë Po! Por duhet të më japësh pak ditë kohë dhe unë do ta shkruaj dhe do e sjell.

Pas pesë a gjashtë ditësh më mori në telefon dhe më tha e kam gati. U takuam sërish.

E pashë që e kishte shkruar me detaje. Më kërkoi që të mos e bëja publike për sa kohë të ishte gjallë. “Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj dot debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë”. I dhashë fjalën që nuk do ta botoj në media për sa kohë ishte gjallë. Unë e mbajta fjalën dhe nuk e botova. Tani kam vendosur t’i publikoj letrën e tij dhe atë të Jani Vasilit, në një libër për jetën e xhaxhait tim, Dom Shtjefën Kurtit”.

Letra

“Në takimin e parë të datës 2 qershor 2011, unë të shpreha keqardhjen time të thellë, për gjithçka ndodhi në Shqipëri, në periudhën e regjimit komunist ndaj qindra e mijëra shqiptarëve, përfshirë dhe rastin konkret, të cilët u persekutuan dhe u martirizuan vetëm e vetëm pse u përpoqën dhe luftuan për lirinë e mendimit dhe të fjalës së lirë.

Unë e kam ndjerë dhe e ndiej si detyrim të vazhdueshëm që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur. Duke lexuar, brenda dy ditëve, njërin nga librat që më dhuruat, unë munda të njihem realisht me figurën e shquar të Dom Shtjefnit, si një patriot, atdhetar, personalitet dhe luftëtar i paepur për çështjen kombëtare, për arsimin dhe gjuhën e vendit tonë. U përgëzoj për atë punë të lavdërueshme që keni bërë për njohjen dhe përjetësimin e figurës së këtij martiri. Këtë e them me sinqeritet dhe të më besoni.

Kanë kaluar diçka më shumë se dyzet vjet në largësinë e viteve dhe do të përpiqem të jem i saktë në kujtesën time….”, është ky fillimi i një letre të gjatë të Hajredin Fugës për nipin e Dom Shtjefën Kurtit, për të cilin dikur kishte kërkuar dënimin me pushkatim.

Në letër ai sqaron detaje të rëndësishme ku vërtetohet falsiteti me të cilin diktatura vriste njerëz të pafajshëm. Në fund të letrës, ish-prokurori i çështjes së Dom Shtjefën Kurtit, i kërkon nipit të viktimës së tij të mbeten miq përjetë. Në atë kohë, Hajredin Fuga po mbyllte një karrierë të spikatur në sistemin e drejtësisë në Shqipërinë postkomuniste. Kishte qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese”.

Takimi me gjykatësin

Jani Vasili ishte caktuar nga regjimi për të drejtuar seancën gjyqësorë për Dom Shtjefën Kurtin, për të cilin prokuroria kishte kërkuar dënim me pushkatim. Gjyqi zhvillohej në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Gurrëz, godina e kthyer në vatër kulture pas prishjes vendimit të diktatorit për të ndalur besimin fetar. Jani Vasili dhe trupa gjykuese dha vendimin për pushkatimin e priftit të famshëm Dom Shtjefën Kurti, i cili në fakt nuk kishte kryer asnjë krim, përveçse kishte guxuar të pagëzonte ilegalisht një fëmijë.

Takimi i Nikolin Kurtit me Jani Vasilin është i ngjashëm me takimin e tij me prokurorin, Hajredin Fuga. “Jani Vasili kishte dijeni me sa duket nga Hajredini se unë do ta kërkoja dhe sapo e kontaktova me tha menjëherë po për takimin. Ishte pak javë pasi kisha takuar Hajredinin. U ulem në kafe. I tregova vendimin e tij për pushkatimin e Dom Shtjefën Kurtit, ku kishte qenë relator. Po më tha, është e vërtetë. I kërkova detaje se si ishte e vërteta e atij gjyqi. I kërkova që ta shkruante me dorë dhe ma solli. Më kërkoi gjithashtu të mos e botoj për sa kohë të ishte gjallë”-shprehet Kurti për Kujto.al.

Hajredin Fuga dhe Jani Vasili kanë ndërruar jetë pak vite më parë. Pas rënies së sistemit komunist, ata vazhduan karrierën e tyre në sistemin e drejtësisë, duke kapur majat deri në Gjykatën Kushtetuese. Për të respektuar marrëveshjen me ta, Nikolin Kurti nuk i botoi dy letrat e tyre për sa kohë ata ishin gjallë. Letra e Hajredin Fugës dhe Jani Vasilit, me ndjesën që i kërkojnë nipit të viktimës së tyre, botohet për herë të parë në Kujto.al, me lejen e Nikolin Kurtit, nipit të Dom Shtjefën Kurtit.

Dom Shtjefën Kurti, ishte një prift katolik, lindur në Ferizaj të Kosovës më 24.12.1898. Studioi në Seminarin e Shkodrës, më pas në Insbruk të Austrisë, në Kolegjin Canisianum dhe, në fund, në vitin 1919, në Romë pranë Kolegjit të Kongregatës Propaganda Fide. U shugurua meshtar në Romë më 13.05.1921. Në vitin 1930 u kthye në Shqipëri për Dioqezën e Durrësit. Në Kosovë kishte qenë famullitar në Ferizaj e Novoselë. Në Shqipëri qe famullitar i Zhejës, Gurrëzit e Tiranës. U arrestua dy herë: herën e parë në Tiranë më 27.10.1946 dhe u dënua me 20 vjet burg, prej të cilëve bëri 17, në burgun e tmerrshëm të Burrelit; herën e dytë u arrestua në Gurrëz më 11.06.1970. U dënua me vdekje. Ky vendim u shqyrtua nga një trupë gjyqësore e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, ku bënin pjesë: Llazi Stratobërdha, zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë, Ali Zenko anëtar dhe Jani Vasili anëtar, të cilët më datë 8.9.1971, morën në shqyrtim çështjen Nr.806, që i përket të gjykuarit Shtjefën Kurti: Për krimin e sabotimit dhe të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, d.m.th. për krime të parashikuara nga neni 72 dhe paragrafi i parë i nenit 73, në bazë të cilave gjykata e Krujës e ka dënuar me vdekje, me pushkatim dhe e konsideroi atë vendim të mbështetur në ligj. Në vendimin e Gjykatës së Lartë theksohet se “Për të gjykuarin Shtjefën Kurti vendimi nuk mund të ekzekutohet, pa pritur përgjigjen e lutjes që ai, sipas nenit 349 të Kodit të Procedurës Penale ka të drejtë t’i drejtojë Presidiumit të Kuvendit Popullor për faljen e jetës. I akuzuari Kurti nuk i kishte bërë kërkesë falje Presidiumit të Kuvendit Popullor, megjithatë ai organ ishte njoftuar me vendimin përmes Gjykatës së Lartë. Një ditë të ftohtë shkurti të vitit 1972, Dom Shtjefën Kurti merret dhunisht nga qelitë e burgut për t’u vënë para togës së pushkatimit. Kur e pyetën nëse i vinte keq për jetën, ai i qetë përgjigjet: “Nuk më vjen keq se po vdes, po më vjen keq se jetën po ma merrni ju”. U pushkatua në Gurrëz më 20.10.1971.

Kujto.al boton për herë të parë letrat e ndjesës së ish-prokurorit Hajredin Fuga dhe ish-gjyqtarit Jani Vasili të cilat vijojnë të plota më poshtë.

 

Letra e Gjykatësit

Jani Vasili, anëtar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

Me kërkesë të z.Nikolin Kurti, i deklaroj se vendimi i Gjykatës së rrethit të Krujës me Nr. 54 datë 31.7.1971, me të cilin, ndër të tjera është dënuar me vdekje për të ashtuquajturin krim sabotim, si dhe vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në të cilën kam marrë pjesë edhe unë, janë tërësisht të padrejtë. Në të dy vendimet e sipërme, është pranuar pa asnjë bazë ligjore, ndër të tjera, dënimi me vdekje i të gjykuarit Shtjefën Kurti për krimin e sabotimit.

Në të dy arsyetimet e vendimeve, është qartësisht e vërtetuar se veprimtaria e pranuar nga Gjykata në ngarkim të të sipërmvet rezulton qartë se nuk ka asgjë të përbashkët me sabotimin, por është interpretimi i qëllimshëm, tejet i zgjeruar i diktaturës komuniste, për të zhdukur veprimtarinë shoqërore e fetare, sikurse i dënuari Shtjefën Kurti. Është më se e qartë, se në këtë vendim çdo gjë ish e paragjykuar dhe e vendosur nga diktatura komuniste.

I kam shprehur dhe i shpreh keqardhjen time të thellë familjes për këtë rëndesë të madhe shpirtërore, edhe për pamundësinë time për të shprehur hapur bindjen time në atë kohë, bindjen time për të vërtetën në atë vendim. prill-maj 2012.

 

Letra e plotë e ish-prokurorit:

Hajredin Fuga, ish Prokuror i rrethit Krujë

Në takimin e parë të datës 2 qershor 2011, unë të shpreha keqardhjen time të thellë, për gjithçka ndodhi në Shqipëri, në periudhën e regjimit komunist ndaj qindra e mijëra shqiptarëve, përfshirë dhe rastin konkret, të cilët u persekutuan dhe u martirizuan vetëm e vetëm pse u përpoqën dhe luftuan për lirinë e mendimit dhe të fjalës së lirë. Unë e kam ndjerë dhe e ndjej si detyrim të vazhdueshëm që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur. Duke lexur, brenda dy ditëve, njërin nga librat që më dhuruat, unë munda të njihem realisht me figurën e shquar të Dom Shtjefnit, si një patriot, atdhetar, personalitet dhe luftëtar i paepur për çështjen kombëtare, për arsimin dhe gjuhën e vendit tonë. U përgëzoj për atë punë të lavdërueshme që keni bërë për njohjen dhe përjetësimin e figurës së këtij martiri. Këtë e them me sinqeritet dhe të më besoni.

Kanë kaluar diçka më shumë se dyzetë vjet në largësinë e viteve dhe do të përpiqem të jem i saktë në kujtesën time. Ngjarja ka filluar dhe është zhvilluar kështu: Organet e policisë së rrethit Krujë, rastësisht apo të njoftuar, kapën nja dy kooperativistë të fshatit Gurëz, duke tregtuar drithë në pazarin e Milotit. Pasi bën verifikimet, u rezultoi se drithi ishte i vjedhur në kooperativë, prandaj për kompetencë, materialet iu dorëzuan Prokurorisë së Krujës, bashkë me dy kooperativistët, emrat e të cilëve nuk i mbaj mend, që ishin të ndaluar nga policia. Nga Prokuroria e Krujës u zhvilluan hetime për krimin e përvetësimit të pasurisë kooperativiste, nga ku rezultoi se në këto vjedhje ishin implikuar edhe persona të tjerë. U kryen arrestime, gjithnjë për vjedhje të pronës në përpjestime të mëdha. Pas pak muajve, në Komitetin e Partisë Krujë, u organizua një takim, ku qenë të pranishëm përfaqësues nga Ministria e Brendshme dhe unë si Prokuror i rrethit Krujë. Përfaqësuesit e Ministrisë kërkuan që çështja të transferohej për hetime të mëtejshme në Ministrinë e Brendshme, duke nxjerrë dy arsye: Së pari, se Prokuroria e Krujës nuk kishte forca fizike të mjaftueshme (organika me pak njerëz) dhe së dyti, sepse Ministria kishte të dhëna që vjedhjet bëheshin me motive armiqësore. Unë nuk i pranova këto arsye dhe njëkohësisht kërkova ndihmë nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila më dërgoi për disa kohë një hetues nga Prokuroria Lezhë, që më kujtohet quhej Adnan Gërxhaliu. Ndërsa ne vazhdonim hetimet, gjithnjë për krimin e vjedhjes, më vjen urdhëri verbal nga Prokuroria e Përgjithshme, që çështja të transferohej për hetime të mëtejshme në Ministrinë e Brendshme. Zbatuam urdhrin dhe nga ai moment ne si Prokurori ndërpremë çdo lidhje me çështjen. Të arrestuarit dhe dokumentat e hetimit u kaluan në Tiranë. Me hetimet e mëtejshme u muar Drejtoria e Hetuesisë së Ministrisë së Brendshme, të cilat zgjatën mbi dhjetë muaj. Gjatë hetimeve të kryera nga Drejtoria e Hetuesisë së Ministrisë së Brendshme janë marrë si të pandehur, janë akuzuar dhe janë arrestuar (me miratim të Prokurorisë së Përgjithshme) edhe persona të tjerë, midis të cilëve Dom Shtjefën Kurti. Në përfundim të hetimeve, me aktakuzë të Drejtorisë së Hetuesisë së Ministrisë së Brendshme, çështja i dërgohet për kompetencë gjykimi, Gjykatës së rrethit Krujë. Gjykimi me porosi u zhvillua për disa ditë në fshatin Gurëz, në ish kishën e zonës, që ishte shëndruar si vatër kulture. Unë në këtë gjyq isha në rolin e Prokurorit të çështjes, ndërsa gjyqtari ishte Kryetari i Gjykatës zoti Qazim Mani dhe dy ndihmësgjyqtarë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen. Gjykimi ishte i hapur, me pjesëmarrjen e banorëve të fshatit, një pjesë e të cilëve edhe kanë diskutuar para dhënies së vendimit. Të pandehurit u janë përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga trupi gjykues, kanë dhënë shpjegime dhe qartësime rreth akuzave, janë mbrojtur vetë (sepse avokatia nuk funksiononte atë kohë) dhe, me sa më kujtohet, kanë pranuar fajësinë e tyre dhe të pjestarëve të grupit. Pas pretencës që unë mbajta, e cila ndodhet në dosje, dhe pas fjalës së fundit të të akuzuarve, Gjykata dha vendimin e saj, që gjithashtu gjendet në dosje. Sipas vendimit të Gjykatës, akuzat e ngritura u konsideruan të vërtetuara dhe të cilësuara juridikisht drejt, duke dhënë vendimet përkatëse. Mbi ankimet e të akuzuarve, çështja u shqyrtua nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i cili la në fuqi vendimin e Gjykatës së rrethit Krujë. Edhe ky vendim ndodhet në dosjen përkatëse.

Më kujtohet se gjatë gjykimit në fshatin Gurëz, që zgjati 5-6 ditë, ishte i pranishëm i dërguari i Prokurorisë së Përgjithëshme zoti Zaim Myftari, që kryente detyrën e Prokurorit pranë Gjykatës së Lartë. Po kështu, më kujtohet se gjyqin e ndoqën edhe zoti Vahid Lama me një shokun e tij, emrin nuk ia di, të cilët ato ditë ndodheshin duke kryer punën fizikë në atë zonë, që të dy punonjës të Aparatit të Komitetit Qendror. Pasi vendimi i dënimit mori formë të prerë nga Gjykata e Lartë, Presidiumi i Kuvendit Popullor ligjëroi dënimin me vdekje të të ndjerit Dom Shtjefën Kurtit.

Për ekzekutimin e këtij vendimi, kam ardhur në dijeni në këto rrethana: Një ditë ndihmësprokurori Piro Suli më vjen me vonesë në zyrë. Ky punonte në Krujë, por banonte familjarisht në Tiranë, dhe më tha se “mbrëmë në mesnatë më erdhën në shtëpi punonjësit e policisë dhe më thanë të isha prezent gjatë zbatimit të vendimit për të ndjerin Dom Shtjefën Kurti, kështu që thuajse gjithë natën e kaluam në këtë veprim”. E pyeta nëse ishin zbatuar rregullat dhe a u mbajtën dokumentet përkatëse dhe ai mu përgjigj pozitivisht. Unë vetë, as jam vënë në dijeni të faktit se do zbatohej vendimi i Gjykatës, as kam caktuar ndonjë person që të përfaqësonte Prokurorinë dhe as nuk e di se ku dhe si është bërë zbatimi i vendimit, rrjedhimisht nuk kam asnjë dijeni më tepër për të ndihmuar sado pak familjarët e të pushkatuarit, për gjetjen e eshtrave të tij, përveçse aq sa më informoi vartësi im. Tani më kujtohet se zoti Stavri Çiço nga viti 1995-1996 më ka thënë se kisha katolike kërkon të dijë për gjetjen e eshtrave dhe unë jam përgjigjur se nuk kam dijeni, pasi nuk kam qenë i pranishëm gjatë ekzekutimit. Po kështu, rreth 7-8 vjet më parë, miku im Zija Vuci më ka thënë se zoti Nikolin është interesuar dhe kërkon ndihmë për gjetjen e eshtrave dhe unë i kam thënë Ziajit që t’i transmetonte zotit Nikolin, se unë nuk kam dijeni tjetër, veç asaj që më ka thënë Piro Suli. Pra e them me përgjegjësi, se kaq është dijenia ime rreth këtij fakti, përndryshe do ta ndjeja si një detyrim që të bëja çmos për të ndihmuar familjarët, që të paktën të zvoglonin disi dhimbjen e tyre për këtë fatkeqësi.

Dënimi i dhënë në rastin e grupit të Gurëzit, nuk mund të ishte i pandikuar nga interesat dhe propaganda e Partisë. Më kujtohet se, edhe për këtë çështje, u përdorën forma dhe metoda të ndryshme, nga të cilat po përmend:

a) Përpunimi politik dhe ideologjik mbi trupin gjykyes e të tjerë.

Pasi Ministria e Brendshme përfundoi hetimet, për rezultatet e tyre ka informuar Komitetin Qendror të Partisë. Pak kohë para gjykimit, nga Komiteti Qendror është botuar një buletin, i cili u shpërnda në tërë vendin dhe me të u njohëm edhe ne. Në këtë buletin që përmbante konkluzionet e Partisë, bëhej analiza e veprimtarisë së grupit që nxitej dhe frymëzohej nga armiku për të sabotuar ekonominë dhe sistemin kooperativist në Shqipëri. Grupi, veçanërisht i ndjeri Dom Shtjefën Kurti, cilësohej mjaft i rrezikshëm, etj. Kjo metodë nuk dallonte aspak nga ato të përdorura më parë apo më pas, për të ashtëquajturat veprimtari armiqësore në ekonomi, në ushtri, në art e kulturë, në naftë, etj, ku analizat, konkluzionet, përgjegjësitë dhe deri tek epitetet juridike i bënte Partia, përpara hetuesisë dhe gjykimeve.

b) Komiteti i Partisë i rrethit, para gjyqit, e paraqiste gjendjen në këtë kooperativë mjaft shqetësuese nga pikëpamja politike, ekonomike dhe e mobilizimit për punë, duke bërë gjithnjë përgjegjës veprimarinë mjaft të rrezikshme të këtij grupi dhe posaçërisht të Dom Shtjefën Kurtit.

c) Organet e Partisë në rreth paraqiteshin të preokupuara për gjendjen ekonomike të kësaj kooperative, për shkak të të ardhurave të pakta, me zhvillim ekonomik të pakënaqur dhe me shpërblime për ditë pune nga më të voglat në vend. Gjithashtu, paraqisnin shqetësimin se kishte rënë shumë interesi i kooperativistëve për punët e kooperativës, sepse sipas tyre, këta i nxirrnin mjetet e jetesës nëpërmjet vjedhjeve, që për hir të së vërtetës duhet thënë se shumë persona ishin të implikuar. Në dosjet hetimore duhet të gjenden lista dhe mandat anketime, që mjaft persona u detyruan të dëmshpërblejnë kooperativën bujqësore, por për shkak të numrit të madh, jo të gjithë u ndoqën penalisht. Shpesh dëgjonim të na thuhej se fshati Gurëz dikur furnizonte me drithë gjithë Veriun e Shqipërisë dhe tani nuk ka bukë për fshatarë të tij.

ç) Një metodë tjetër e përdorur edhe në këtë gjykim, ishte zhvillimi i gjykimit para masës. Organet e Partisë merrnin masa që përfaqësues nga Partia, rinia, fronti, gruaja, etj, diskutonin në gjyq para dhënies së vendimit. Duke demaskuar të akuzuarit, të shoqëruar me thirrje për dënime të ashpra, ata synonin të ndikonin mbi trupin gjykues, të elektrizonin pjesmarrësit, por edhe të frikësonin të tjerët, po qe se bënin përpjekje të njëjta si të akuzuarit, pasi i priste i njëjti fat.

d) Në dënimin e Dom Shtjefën Kurtit, natyrisht ka ndikuar edhe fakti se edhe më parë kishte qenë i dënuar me 20-25 vjet burgim, duke u konsideruar si një kundërshtar i pakorigjueshëm dhe frymëzues shpirtëror i gjithë grupit.

Sikundër pranonin dhe vetë të akuzuarit, pas kontaktit me të, vjedhjet në këtë kooperativë u intensifikuan më shumë në raste, në sasi dhe në implikime të njerëzve, të shoqëruar edhe me propagandë antiparti.

Të gjithë personat, pjesëtarë të këtij grupi, akuzoheshin për të njëjtat vepra penale, sipas Kodit Penal në fuqi, po kështu edhe Gjykata e Rrethit dhe Gjykata e Lartë i pranuan të drejta juridikisht këto akuza, pavarësisht se jo të gjithë pjesëtarët kishin të njëjtin rol në këtë vepër. Pothuajse të gjithë ishin në rolin e e kzekutorit, sepse i kryenin vjedhjet në magazinë, në lëmenj, në koçekë, duke nxjerrë edhe përfitime materiale, kurse Dom Shtjefën Kurti, akuzohej si personi ndihmës, në rolin e nxitësit. Sipas nenit 26 të Kodit Penal, bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale quhen: Organizatorët, ekzekutorët, shtypësit dhe ndihmësit, të cilët kanë përgjegjësi, si dhe ekzekutorët për veprën penale të kryer. Në caktimin e dënimit për bashkëpuntorët merret parasysh shkalla e pjesmarrjes dhe roli i secilit për kryerjen e veprës penale. Edhe sikur vepra të cilësohej si vjedhje në përpjestime të mëdha, dënimi sipas Kodit Penal të kohës(neni 80 K. Penal) ishte jo më pak se 7 vjet heqje lirie deri në vdekje. Gjykata e Lartë, në praktikën e saj gjyqësor, kishte pranuar se shpërdorimi dhe përvetësimi i pronës në përpjestime të mëdha i shoqëruar me agjitacion dhe propagandë, konsiderohej si sabotim ekonomik. Që nga viti 1955, ka shembuj të vendimeve të Gjykatës së Lartë, të botuara në revistën “Drejtësia” dhe në buletinin e Gjykatës së Lartë, derisa aty nga viti 1973-1974 doli edhe Udhëzimi i Plenumit të Gjykatës së Lartë “Mbi krimet kundër shtetit”, i cili konfirmonte edhe njëherë këtë praktikë disa vjeçare të Gjykatës së Lartë. Edhe në literaturën juridike apo në leksionet dhe praktikat mësimore, mbahej i njëjti qëndrim. Këtë sqarim juridik nuk e bëj për justifikim, por dëshiroj ta them me sinqeritet, se kjo ka qenë bindja ime dhe se asnjëherë me vetëdije dhe me paramendim nuk kam pranuar, apo nuk do të pajtohesha me shtrembërime të qëllimshme të ligjit.

Kam punuar afro 50 vjet, gabime edhe mund të kem bërë, këtë kurrë nuk e përjashtoj, por në shpirt jam përpjekur të jem i pastër.

Të falenderoj që më premtove se do të mbetemi miq të vërtetë!

Tiranë, 07.06.2011.

Letra u botua nga kujto.al mbështetur nga Fondacioni “KUJTO”, që synon të ruajë memorien kolektive të Shqipërisë së periudhës komuniste 1945 – 1991

PasPara

1 koment

  1. Historia eshte e thjeshte,..ate qe nuk arriti te bente KOLERA turko~greko~sllave, per zhdukjen e botes katolike shqiptare, e mori persiper KOLERA e kuqe me ne krye te birin e kajmekanit te Gjirokastres…! Kjo eshte nje LUFTE epike mes se VERTETES dhe erresires, e cila vazhdon dhe sot ne menyrat me djallezore…! KOLERA e Bosforit e kishte shpallur boterisht qellimin e vet,…”me shpate dhe kuran, do vendos kalifatin ne bote,…” Dhe si per ironi kombetare, kesaj KOLERE po i ngrejme monumentin me te madh ne Europe, mes Tiranes….! Fatkeqesia kombetare vazhdon me futjen e vendit ne gropen e zeze islamike, …dhe KUMBARLLEKUN e politikaneve shqiptare me kete KOLERE…! Por e VERTETA do triumfoje dhe DRITA do ta munde erresiren…!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas