Qytetarët e Kubës janë ngritur në protesta të rralla antiqeveritare për të denoncuar krizën ekonomike dhe menaxhimin e pandemisë.
Mijëra kubanë të revoltuar marshuan rrugëve të kryeqytetit Havana duke thirrur “Poshtë diktatura!” dhe duke apeluar për të drejta e liri në shtetin komunist të Karaibeve.
Protestuesit u përplasën me policinë dhe u lëshuan gurë forcave të rendit, të cilat reaguan dhunshëm ndaj turmave më problematike.
Protestat kundër qeverisë u shtrinë edhe në qytetin Majami të SHBA-së.
“Ky është momenti, s’ka tjetër. Komunizmi duhet të bjerë dhe rrëzimi i tij ka mbështetjen tonë. Të rinjtë e sotëm më në fund po thonë ‘mjaft më’ dhe do të bëjnë atë që nuk mundën të bëjnë të vjetrit”.
Përballë protestuesve antiqeveritarë u vunë, ndërkohë, përkrahësit e qeverisë.
Ata u thirrën nga presidenti i Kubës Migel Diaz-Kanel, i cili mori vetë pjesë në kundërdemonstrata me ata që i quajti revolucionarët e Partisë Komuniste.
“Ka njerëz të hutuar. Ka edhe kundërrevolucionarë apo mercenarë të paguar nga qeveria amerikane, nga agjencitë e saj për të organizuar këto lloje demonstratash. Me revolucionarët këtu tregojmë se rrugët na takojnë neve dhe çfarëdo krimbi apo mercenari që do tentojë të na provokojë, do ndeshet me ne”.
Situata ekonomike në Kubë vlerësohet më e rënduara në tri dekada, me mungesa ushqimesh, energjie elektrike dhe medikamentesh e vaksinash anti-Covid, në kohën kur pandemia e koronavirusit vazhdon të marrë jetë njerëzish dhe të infektojë përditë mijëra të tjerë.