Nga Wouter Zweers
Javën e kaluar shpresat e shumë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri u shkatërruan kur Këshilli Europian nuk arriti të vendoste për hapjen e negociatave të pranimit në BE. I dënuar nga shumica dërrmuese e liderëve europianë si një “gabim historik”, në dy shtete anëtare të BE-së rezultati u prit pothuajse në heshtje të qetë: Francë dhe Holandë.
Qëndrimet e tyre kritike në debat – Franca i bllokoi të dyja vendet, ndërsa Holanda bllokoi vetëm Shqipërinë – duket se nuk mund të shpjegohen, nëse dikush shikon letrën e përbashkët të botuar para mbledhjes së Këshillit Europian nga Presidenti i Këshillit DonaldTusk, Presidenti i Parlamentit DavidSassoli, Presidenti i Komisionit Jean-ClaudeJuncker dhe Presidentja e zgjedhur UrsulavonderLeyen. A nuk bënë, siç thonë ata, edhe Maqedonia e Veriut edhe Shqipëria “atë që ne u kërkuam të bënin”? Jo, është përgjigjja, sipas Holandës, të paktën kur është fjala për Shqipërinë. Ndërsa shumica e fajit iu hodh presidentit francez EmmanuelMacron, lind pyetja pse qëndrimi i Holandës ndryshon nga shumica dërrmuese e vendeve të tjera anëtare.
Qasja zyrtare e qeverisë holandeze drejt zgjerimit të BE-së shënohet nga motoja gjithnjë e më e famshme: “E rreptë, por e drejtë”. “E rreptë” do të thotë që kushtet për anëtarësim nuk janë për kompromis, kështu që gjithçka duhet të jetë në rregull përpara se vendet të mund të hyjnë në BE. “E drejtë” do të thotë që pasi të përmbushen kushtet, anëtarësimi është në tryezë dhe se Holanda mbështet në mënyrë aktive proceset e vështira të reformës në rajon.
Deri më tani, kjo është qasja zyrtare, po praktika? Holanda ka përfaqësi diplomatike në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me përjashtim të Malit të Zi. Të gjitha ambasadat kanë një koordinator të sundimit të ligjit plotësisht të përkushtuar për këtë çështje. Nëpërmjet Fondit të saj Matra, Holanda mbështet “vendet kandidate aktuale dhe të mundshme për në BE që forcojnë demokracinë dhe shtetin e ligjit, duke rritur kështu stabilitetin”. Midis vitit 2017 dhe 2024, fondi arrin një total prej 19 milionë eurosh. Prandaj, Holanda nuk mund të etiketohet si një vëzhguese e pa interesuar në Ballkan, një kualifikim që i atribuohet Francës në rajon.
Në të njëjtën kohë, Holanda ka prirje ta shohë gotën gjysmë bosh sesa gjysmë plotë kur bëhet fjalë për vlerësimin e reformave. Një pjesë e kësaj qasje mund të shpjegohet nga pyetja kryesore me të cilën vendi e shikon zgjerimin: Në çfarë lloj BE-je dëshirojmë të jemi pjesë?
Qendërsia e kësaj pyetjeje në qasjen holandeze nuk është e habitshme duke pasur parasysh zhvillimet në dekadat e kaluara. Pas “goditjes së madhe” të raundit të zgjerimit në vitet 2004-2007, dinamika në BE-së ndryshoi ndjeshëm. Rumania nuk ka treguar shumë progres nën Mekanizmin e Bashkëpunimit dhe Verifikimit, CVM, ndërsa sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe liria e mediave janë përkeqësuar në disa shtete anëtare.
Kombinuar me faktin se një nga aleatët kryesorë holandezë, Mbretëria e Bashkuar, po largohet, lloji i BE-së në të cilën Holanda dëshiron të jetë pjesë duket më larg se një dekadë më parë.
Kjo shpjegon tendencën në Holandë për të qenë e vakët kur bëhet fjalë për një raund të ri të mundshëm zgjerimi. Por qasja tregon gjithashtu një lloj vetë-përqendrimi, pasi nuk është e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por ajo e BE-së që formon fokusin kryesor të qasjes holandeze ndaj zgjerimit. A nuk duhet të fokusohet procesi i zgjerimit në zhvillimin e demokracive të qëndrueshme në vetë vendet e Ballkanit Perëndimor? Është shumë e thjeshtë të thuash që Holanda bllokon hapjen e negociatave vetëm sepse thjesht nuk ka dëshirë, siç është argumentuar në debatin publik. Por është e vërtetë që parlamenti holandez është kryesisht kundër integrimit të mëtejshëm të BE-së, një qëndrim që pasqyron ndjenjat në shoqërinë holandeze. Palët në të djathtën dhe të majtën e spektrit kanë shqetësime të mëdha për delegimin e më shumë pushteti në Bruksel, sepse ata druhen se BE-ja bëhet e pakontrollueshme. Zgjerimi i BE-së shihet në të njëjtën mënyrë. Kjo ka një efekt në qëndrimin e qeverisë holandeze, e cila është e detyruar nga rezolutat parlamentare, siç është ajo që u miratua në qershor, që nuk duhet të lejohet që të hapen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Sidoqoftë, debatet në parlamentin holandez në prag të mbledhjes së Këshillit Europian javën e kaluar u përqendruan në përmbajtje dhe ishin rreth kritereve të pranimit në vend të faktorëve të jashtëm, siç ishte rasti në Francë.
Fakti që një rezolutë e ngjashme që i kërkon qeverisë të mos lejojë hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut u refuzua tregon se të dy vendet u gjykuan sipas meritave të tyre. Për shumë komentues, një pyetje vazhdon të mbetet e vështirë për ta kuptuar: Si ka mundësi që Holanda arrin një përfundim ndryshe nga Komisioni Europian në lidhje me Shqipërinë? Një shpjegim është se shumica e politikanëve holandezë nuk e konsiderojnë Komisionin Europian një aktor neutral dhe ndoshta me të drejtë. Progres raportet e Komisionit Europian lënë hapësirë për interpretim, duke thënë se një vend është thjesht “i përgatitur në mënyrë të moderuar” në një sërë fushash, por njëkohësisht japin një rekomandim pozitiv kur bëhet fjalë për hapjen e negociatave.
Si i tillë, ndërsa analiza e progresit në raporte është neutrale, përfundimet – gjasme të shkruara në Bruksel – reflektojnë një pikëpamje politike. Kjo ilustrohet me faktin se kur Maqedonia ishte nën qeverinë e NikolaGruevskit, Komisioni Europian vazhdoi të këshillonte hapjen e negociatave të pranimit pavarësisht probleme të saj të mëdha në procesin e demokratizimit. Ndoshta, vendimi për të hapur negociatat e pranimit në fund të ditës është gjithmonë i një natyre politike dhe asnjëherë plotësisht objektiv. Por kjo do të thotë që konkluzionet e Komisionit Europian nuk mund të merren siç duken nga vendet anëtare të cilët marrin një qëndrim më kritik mbi faktin nëse janë përmbushur apo jo kriteret.
Siç argumentoi edhe Jasmin Mujanoviç në një opinion, “Refuzimi i pandershëm i Francës për të shprehur politikën e saj të vërtetë – që nuk dëshiron ndonjë zgjerim të BE-së – po dëmton besueshmërinë e BE-së, si dhe perspektivat demokratike të Ballkanit”. Për Holandën, pamja është disi më ndryshe. Nuk mund të thuhet se Holanda nuk mbështet një politikë të mirëfilltë zgjerimi. Qëndrimi i saj kritik madje është mirëpritur në rajon, për shembull, nga ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, NikolaDimitrov, i cili në fillim të këtij viti theksoi se ai dëshironte që vendi i tij “të vlerësonte se çfarë mund të bëjmë dhe që ai vlerësim të jetë i rreptë”.
Fokusi i Holandës në kushtet formale në vend që të bëjë kompromis për faktorët e jashtëm është pikërisht ai. Në të vërtetë, BE-ja dhe vendet anëtare të saj duhet të zbatojnë kushtëzimin në mënyrë të vazhdueshme dhe të gjykojnë vendet aspiruese për progresin e tyre aktual, jo mbi emocionet. Nga ana tjetër, qeveria dhe parlamenti holandez duhet t’i shoqërojnë qëndrimet e tyre kritike me një kuptim më të mirë se sa thelbësor është procesi për vendet aspiruese.
Fokusimi vetëm te lloji i BE-së në të cilën Holanda dëshiron të jetë pjesë dhe mos interesimi për të ardhmen e vetë Ballkanit Perëndimor, dëmton strukturisht perspektivat në rajon, të cilat janë të lidhura ngushtë me aspiratat e tyre europiane.
Rruga drejt pranimit në BE nuk është ndonjë agjendë dytësore për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ajo është tepër e rëndësishme për të ardhmen e këtyre vendeve.
Qeveria dhe parlamentarët holandezë mund të marrin me të drejtë një qëndrim kritik nëse ata formojnë një këndvështrim më integral dhe më të informuar mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe zgjerimin. Vetëm atëherë Holanda mund të mbrojë me të drejtë qasjen e saj “të rreptë, por të drejtë”.
Burimi: The Economist