Llogaritë bankarë në të cilat policia ka sekuestruar rreth 1 milion euro janë në emër të Roland Shëmbitrasit dhe të familjareve të tij. Roland Shëmbitrasi është ekzekutuar në Greqi vitin e shkuar.
“Në total u sekuestrua shuma 111.402.609 lekë, të cilat dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale të shtetasit R.Sh. në fushën e ‘Trafikimit të lëndëve narkotike’, në Greqi. Hetimet vazhdojnë për të verifikuar pasuri të luajtshme apo të paluajtshme si dhe llogari bankare të dyshuara me prejardhje kriminale”, njoftoi zyrtarisht Policia këtë të mërkurë.
Roland Shëmbitrasi, baba i dy vajzave, është me origjinë nga Korça dhe ka jetuar në Librazhd. Më pas, së bashku me familjen ka emigruar në Greqi ku dhe jetoi për disa vite me radhë në Athinë.
Mediat greke kanë raportuar se ai ishte bashkëpronar në lokalin e natës “Joy Bar”, ku dhe u ekzekutua, në 10 tetor 2017.
Si ju bë atentati
Sipas raportimit të mediave greke lidhur me vrasjen e 39-vjeçarit: atentatorët u afruan pranë tavolinës ku po qëndronte Shëmbitrasi në verandën e lokalit dhe e qëlluan tre herë me armë.
I plagosur mbeti edhe një shqiptar tjetër i quajtur Gjergji Kapaj.
Hetuesit grekë ngritën dyshime se vrasja e tipit mafioz në qendër të Athinës mund të ketë lidhje me trafikun e drogës.
Roland Shëmbitrasi njihej edhe me nofkën Roni. / Panorama