Policia ka arritur të vërë në pranga Arjan Shahajn, 35-vjeçarin që goditi me sëpatë të atin, duke e lënë të vdekur në vend. Krimi i rëndë ndodhi në fshatin e largët të Shalës, në Memaliaj, ku babë e bir kishin dalë për dushk në pyll. Pas krimit që ndodhi sot rreth orës 11:00, autori tentoi të arratisej por u kap brenda 3 orësh nga forcat e policisë.
Sakaq, policia tha se autori është një person me probleme të shëndetit mendor. Po kështu është një person me precedentë të theksuar kriminalë.
Arjan Shahaj ka qenë i dënuar me 12 vjet burg, pasi kishte tentuar të vrasë bashkëfshatarin e tij në vitin 1998. Ai ka bërë disa vite burg, por jo 12 vite, sa ishte dënuar asokohe. Po kështu mësohet pasi ka dalë nga burgu ai ka tentuar të vrasë edhe nënën e tij.
Njoftimi i policisë i orës 13:50
Si rezultat i veprimeve të shpejta, marrjes së informacionit dhe bashkëpunimit me DVP Fier, në Levan të Fierit, u bë e mundur kapja e autorit të vrasjes së shtetasit I. Sh., 77 vjeç, banues në fshatin Shalës, Memaliaj.
Policia e Fierit pas marrjes së informacionit se autori i vrasjes, shtetasi Arjan Shaha, 35 vjeç, djali i viktimës, po lëvizte me një fugon në drejtim të Tiranës, ka ndërhyrë menjëhërë duke ndaluar mjetin dhe duke arrestuar autorin e vrasjes, i cili do të transportohet në Gjirokastër për veprime të mëtejshme.