Kryesore

E vërteta e koalicioneve, Opozita do të fitonte edhe në 2017





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:34 - 20/06/20 |
Nga Armand Maho

Gazeta MAPO ka kryer një hulumtim dhe llogaritje të votave në çdo qark, në zgjedhjet e fundit parlamentare ku Edi Rama mori një pushtet dërrmues. Por nëse do të kishin qenë bashkë, PD-LSI dhe PDIU, opozita do të dilte fituese. Aq më të shumta janë sot shanset, kur PD ka njohur rritje, dhe PS ka kostot e rënda të qeverisjes. Ja përse Edi Rama po përdor çdo instrument për të ndaluar koalicionet parazgjedhore.


Prej kohësh nën dirigjimin e kryeministrit, po kërkohet të imponohet ideja që mazhoranca aktuale i ka të fituara zgjedhjet e ardhshme. Ideatorët e kësaj “thagme” e dinë fare mirë se pakënaqësia është e madhe, dhe gjasat që të marrë Rama një tjetër mandat janë anemike. Që nga ai militant i thjeshtë i PS-së që ngre supet e bën të paditurin kur thotë se: “qeveria ka punuar keq po s’kemi kë zgjedhim”, e deri te Rama që thotë: “ne nuk pretendojmë të jemi më të mirët, por më të mirë se ne s’ka”, qëllimi është vetëm një: Rama duhet të vizatohet me forcë si e vetmja mundësi për të qeverisur në këtë vend


****
Target i kësaj ideologjie është bërë mënyra evropiane se si e koncepton politikën lideri i Opozitës, Lulzim Basha. Në zgjedhjet e vitit 2017, ishte i vetmi garues që ofronte një program politik. Që nga ulja e taksave, subvencionimi i fermerëve, ulja e çmimit të energjisë, hapja e vendeve të reja të punës, futja e drekës në shkolla për fëmijët që prindërit të lehtësohen në punët e tyre, shumë të tjera. Rama nuk ofroi asgjë, ai kërkonte timon e tepsi, preferonte të bënte batuta me yamamoto veshur, dhe të shigjetonte kryesisht aleatin e tij, LSI, në nevojën për të shpallur një armik që e kishte penguar të qeveriste.


Megjithatë, e vërteta ishte ndryshe. Koncesionet, rritja e taksave, kanabizimi i vendit, ishin zgjedhje dhe bilanc i Ramës. PD, nga ana e saj u përball me një sërë vështirësish. Katër muaj në çadër, harxhimi i energjive në aksionin politik që ndërmori Basha, por edhe përçarja që solli dalja e listave, i lanë terren të majtës të ndërmerrte aksionin e saj në kapjen e votave.


Siç treguan dhe përgjimet e publikuara nga BILD, nën armë u rekrutua i gjithë elementi kriminal, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Dibër, Elbasan e kudo. Rama i kish bërë llogaritë e tij. Nga përçarja e të djathtës i fituar dilte vetëm ai, siç e dinte dhe tjetrën që; një koalicion si ai që ka formuar opozita sot, do e dërrmonte politikisht në zgjedhje. Siç, do të kishte ndodhur në fakt edhe në vitin 2017.

****
Zgjedhjet me gjasë do jenë në prill të këtij viti pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, dhe Rama ka ndezur sërish motorët për të treguar se qeveria e tij ka filluar punën. Një strategji e ngjashme me atë që ofroi dhe Berisha në vitin e fundit të mandatit të dytë, por që pak e ndihmoi. Nga ana tjetër, po hyjnë në lojë dhe deputetët e asaj që quhet “opozita e re”. Duke përfituar nga naiviteti i tyre politik, Rama po përpiqet të sanksionojë me ligj, ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Synimi është i qartë, të përdoret elektorati i tij i rreshtit, për të dalë forcë e parë e më pas t’i shkelë syrin kujt të mundet për të formuar qeverinë. Një projeksion i gazetës MAPO, duke iu referuar vitit më të keq zgjedhor për Partinë Demokratike, duke llogaritur si vota për PS-në dhe manipulimet e gjithçka tjetër, del në rezultatin se si pasojë e sistemit, koalicioni opozitar sërish del fitues të paktën me dy vende më shumë se e majta.

Sistemi proporcional Rajonal favorizon më shumë koalicionet. Sa më të forta të jenë partitë pjesëmarrëse, aq më i thellë është rezultati. Në krahun e djathtë sot janë rreshtuar të paktën gjashtë forca politike që kanë pasur rezultate të mira në dy zgjedhjet e fundit për kuvend, por dhe në zgjedhjet lokale.

Partia Demokratike, LSI, PDIU, PAA, PBDNJ dhe PR të cilët kanë votuesin e tyre tradicional. Nga ana tjetër, PS deri më tani formalisht ka PSD e Tom Doshit, i cili më shumë se 85 % të votave i mbledh në Shkodër, ndërsa është në dyshim bashkëpunimin i Paskal Milos, i cili ka shfaqur jo pak pakënaqësi ndaj kryetarit të PS-së.

Berat, Dibër dhe Durrës
Në një përllogaritje të ndarjes së votave referuar vitit 2017, partitë e rreshtuara në krahun e djathtë, nëse do të kishin të njëjtin koalicion dhe asokohe, do të dilnin fituese edhe duke pasur parasysh që për Partinë Demokratike ky ka qenë viti më i dobët elektoral. E gjitha, në bazë të projeksionit dhe sjelljes qark për qark, bazuar në sistemin de hondt, që favorizon koalicionet. Kjo sepse, votat të cilat shkojnë dëm, i kalojnë partisë më të madhe e cila mund të plotësojë votat për një mandat tjetër, por kjo sjell automatikisht uljen e një mandati për kundërshtarin. Kështu në Berat, PS rezulton se do të arrinte të ruante pozitat, duke nxjerrë një rezultat 4-3, siç është dhe sot.

Sepse PS ka arritur të marrë 45 mijë vota, dhe shumatorja e partive të së djathtës shkon diku te 36 mijë. Por kjo gjë nuk do ndodhte në Dibër, ku rezultati do të dilte 4-2 për koalicionin e djathtë. Në Durrës, koalicioni i opozitës do arrinte që në bazë të votave të prodhonte një mandat për PDIU-në, duke nxjerrë një barazim shtatë me shtatë, nga tetë mandate që ka sot PS, 4 PD dhe dy LSI. Në këtë qark, duket se më i favorizuari ka qenë PS, pasi megjithëse ka marrë 73 mijë vota ka prodhuar 8 mandate.

Ndërsa partitë e opozitës kanë arritur të grumbullojnë 71 mijë vota dhe kanë prodhuar vetëm 6, dy mandate më pak se mazhoranca aktuale megjithëse ka një koeficient prej diçka më shumë se 10 mijë votash për mandat dhe duket se kësaj shume i afrohet më shumë e djathta. Por, duke qenë se kanë garuar më vete, rreth 6 mijë vota të LSI e PDIU i kanë shkuar të majtës.

Elbasan, Gjirokastër, Fier, Korçë
Në Elbasan situata është akoma më ndryshe. Në total koalicioni i djathtë, megjithëse ka marrë 86 mijë vota ka arritur të prodhojë 7 mandate, aq sa ka arritur të prodhojë PS me 73 mijë vota në të gjithë qarkun duke qenë më vete. Pra, me 13 mijë vota më pak, rezultati ka dalë i barabartë. Në rast se do ishin në koalicion, do prodhoheshin tetë mandate duke nxjerrë një rezultat të përgjithshëm 8-6 në favor të Opozitës.

Në Fier, e majta arriti të merrte 10 deputetë, ndërsa forcat që janë sot në koalicion, vetëm 6, megjithëse morën 74 mijë vota që duhet të prodhonin së paku shtatë vende në parlament. PDIU megjithëse mori 6348 vota nuk arriti të prodhonte mandat, dhe sot, votat e saj do i shkonin PD-së, të cilës i duheshin rreth 4 mijë vota për të prodhuar mandatin e pestë, që do i zbriste një mandat PS-së duke e çuar rezultatin final në 9-7 nga 10 -6 që është aktualisht.

Në Gjirokastër, duket se s’ka ndryshim shifrash. Aktualisht PS ka 3 deputetë, PD, 1 dhe LSI, 1. PS e vetme ka marrë më shumë se 27 mijë vota ndërsa ato të gjithë koalicionit nuk i kalojnë 25 mijë.

Qarku i Korçës nxjerr 11 mandate, dhe aktualisht e majta ka 6 deputetë, ndërsa partitë e koalicionit megjithëse rezultojnë me gati 2 mijë vota më shumë, kanë arritur të marrin 5 deputetë në zgjedhjet e 2017. Në një situatë tjetër, pra në rast se do ishin në koalicion, afër mandatit të 6 do të ishte Opozita dhe do kishte përmbysje rezultati.

Kukës, Lezhë, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë
Kukësi mbetet i palëvizur në shifrat që është, pra 2 – PD dhe 1 – PS, pasi partitë e tjera janë shumë larg numrit të nevojshëm për mandate, ashtu si edhe Lezha që është ndarë në 3 – PS, 3 – PD dhe 1 – LSI. Partia Socialiste në këtë qark ka marrë 30 mijë vota, ndërsa koalicioni gjithsej ka marrë 41 mijë, dhe ndarja është 4-3 në favor të koalicionit të djathtë.

E palëvizur do ishte dhe Shkodra që aktualisht është ndarë 6 me 5 për koalicionin opozitar. Në këtë qytet, megjithëse PD e konsideron bastionin e saj, nuk ka arritur së bashku me partitë e tjera të marrë më shumë se 56 mijë vota në total, nga 53 mijë që kanë marrë PS-PSD. Ku 13 mijë vota i ka marrë vetëm Tom Doshi si kandidat jashtë listave të PS-së.

Tirana, aktualisht e majta është vetëm një deputet përpara koalicionit. PDIU megjithëse mori 12 434 vota nuk arriti të prodhonte mandat, dhe rezultati i përgjithshëm shkon në 18 deputetë PS, 5 LSI dhe 11 PD.

Në total, PS ka mbledhur diçka më shumë se 200 mijë vota, ndërsa PD dhe aleatët 197 mijë vota duke qenë shumë më afër mandatit të 17, çka do të bënte që t’i ulej një numër Partisë Socialiste duke sjellë një rezultat të barabartë 17 me 17.

Në Vlorë, koalicioni i djathtë do kishte fituar një mandat në rast se do hynte i bashkuar do arrinte të rikuperonte vetëm një mandat. E majta, me 65 mijë vota arriti të merrte 8 mandate, ndërkohë që sipas koeficientit të atjeshëm, janë të mjaftueshme për shtatë mandate. E djathta me më shumë se 40 mijë vota do ishte më afër mandatit të 5-të.

Rezultati
Në total, në kushtet që janë sot partitë e opozitës, do arrinin të grumbullonin 72 deputetë, nga 65 që arritën të grumbullonin të ndara në zgjedhjet e vitit 2017. Siç e thamë dhe më parë, ky është një projeksion i bërë në zgjedhjet ku kuotat e Partisë Demokratike ishin më të ulëta se në çdo zgjedhje paraardhëse.

Pra, po e vëmë në kushtet sikur mazhoranca përgjatë këtyre katër viteve mos ketë asnjë firo nga elektorati i saj dhe të marrë të njëjtin rezultat që mori në qershorin e para katër viteve çka përgjithësisht nuk shkon me asnjë logjikë elektorale. Në këtë projeksion nuk futen zgjedhjet lokale të vitit 2019, pasi PS në to konkurroi e vetme, por në rast se i referohemi zgjedhjeve paraardhëse, koalicioni i djathtë rrezikonte fitoren në bashki të tilla si Elbasani, Durrësi apo Korça, ndërkohë që merrte shumicën e bashkive në veri të vendit.

Por si do ishte projeksioni në rast se Ilir Meta dhe LSI nuk do bënin marrëveshjen me Edi Ramën në vitin 2013. Rezultati thellohet akoma më tej, pasi koalicioni i djathtë në atë kohë mund të arrinte deri në 76 mandate deputetësh, çka do bënte të pamundur ardhjen e tij në pushtet. Natyrisht, bashkimi i votave me Ramën solli një shumicë absolute prej 83 mandatesh, por të mos harrojmë, se e djathta, vinte pas tetë vitesh në pushtet, ashtu siç vjen edhe në zgjedhjet e ardhshme Edi Rama dhe mazhoranca e tij.

Garimi më vete në zgjedhjet e vitit 2017
Berat
PS PD LSI PDIU
4     1       2    –

Dibër

PS PD LSI PDIU
2 2 1 1

Durrës
PS PD LSI PDIU
8     4     2      –

Elbasan
PS PD LSI PDIU
7     3    2       2

Fier
PS PD LSI PDIU
10   4     2      –

Gjirokastër
PS PD LSI PDIU
3    1     1       –

Korçë
PS PD LSI PDIU
6     4     1

Kukës
PS PD LSI PDIU
1     2     –      –

Lezhë
PS PD LSI PDIU
3     3     1       –

Shkodër
PS PSD PD LSI PDIU
4      1     5      1       –

Tiranë
PS PD LSI PDIU
18    11   5      –

Vlorë
PS PD LSI PDIU
8     3     1       –
Gjithsej PS-PSD 75 mandate PD-LSI-PDIU 65 mandate

Hyrja në zgjedhje të bashkuar në vitin 2017
Berat
PS PD LSI PDIU
4     1     2      –

Dibër
PS PD LSI PDIU
2     2    1       1

Durrës
PS PD LSI PDIU
7     4     2      1

Elbasan
PS PD LSI PDIU
6     3     2     3

Fier
PS PD LSI PDIU
9     4     2      1

Gjirokastër
PS PD LSI PDIU
3     1      1      –

Korçë
PS PD LSI PDIU
5     4     2      –

Kukës
PS PD LSI PDIU
1      2     –       –

Lezhë
PS PD LSI PDIU
3      3     1       –

Shkodër
PS PSD PD LSI PDIU
4      1      5    1       –

Tiranë
PS PD LSI PDIU
17   11    5      1

Vlorë
PS PD LSI PDIU
7     4      1      –
PS-PSD 68 mandate PD-LSI-PDIU 72 mandate 

LEXO EDHE: 

Kastriot Islami: Nëse opozita qëndron e bashkuar, Rama s’ka shans për mandat të tretë


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas