Nga Sokol Shameti
Teksa në Kuvendin e Shqipërisë po ndodh çkamos, e vetmja gjë që ende nuk po shpërfaqet në skenën politike shqiptare është risia. Siç e cekte Veton Surroi në një shkrim të mëhershëm, ka risi në skenën politike të Maqedonisë me faktorizimin e shqiptarëve të parreshtuar (afro 100 mijë sosh).
Ka risi politike në Kosovë tashmë prej kohësh me artikulimin rrënjësor që lëvizja Vetëvendosje përdor për të ndërhyrë shpesh me brutalitet krijues në skenën e atjeshme politike dhe zhvillimet e mëpasshme.
Mirëpo, asgjë e re nga fronti “perëndimor” i Shqipërisë. Opozita ende s’po gjen kurajon për t’iu përgjigjur me një artikulim të ri gjendjes së re në të cilën ndodhet vendi pas 30 vjetësh neoliberalizëm ekstrem. Mazhoranca është e zënë me fabrikim kukullash që do të luajnë luftash në farsën e 30 qershorit si dhe me shtyrjen edhe më në ekstrem të retorikës dhe aksionit neoliberal. Aksion ky, i cili pasi e kastroi shtetin dhe interesin publik në dobi të privates, tani u është kthyer me tërsëllim edhe vetë më të dobtëve ndër privatët: tregtarëve të vegjël, ndërtuesve të vegjël të shtëpive private, etj, shkurt: “vegjëlisë” së ekonomisë së tregut.
Situata i ngjan asaj që në politikë njihet si interregnum i Gramshit. Bëhet fjalë për ideologun dhe politologun italo-shqiptar Antonio Gramshi i cili u përpoq të përshkruajë ngërçin që po evidentohej në shoqëritë perëndimore në periudhën e dekadencës së madhe të krizave mes viteve 20-30. “Kriza qëndron në faktin se e vjetra po vdes ndërsa e reja ende s’po lind dot”, përcaktoi Gramshi.
Kjo periudhë kalimtare, e ndërmjetme, e papërcaktuar përbën interregnumin për të cilin Gramshi mendon se është hapësira që shkakton daljen e përbindëshave në skenë. Në vitet 20-30 interregnumi solli lindjen e fashizmit dhe kasaphanën që pasoi.
“Historia përsërit vetveten”, thotë një tjetër mendje e ndriçuar: “në fillim si tragjedi, pastaj si farsë”.
Ka sidoqoftë disa elementë të cilët po t’i kishim lexuar me vëmendje ndërkohë që endej kjo katastrofë, mbase mund ta kishim shmangur atë. Këta elementë lidhen kryesisht me marrdhënien e pazgjidhshme mes mendimit dhe zbatimit, apo thënë ndryshe mes hulumtimit dhe inovacionit.
Mungesa e së resë sjell tejzgjatje të agonisë së të vjetrës. Që e reja të lindë, fillimisht duhet që ajo të kërkohet. Duhet të punohet për ta gjetur atë në një proces sistematik hulumtimi. E më pas, sigurisht kur e vjetra të shembet nën peshën e vet, e reja do të jetë aty për të filluar implementimin e vet.
Mirëpo, a kemi menduar ne në Shqipëri për të renë? A i kemi kushtuar kërkimit për risinë në politikë apo në ekonomi, apo kudoqoftë xhanëm, qoftë edhe vëmendjen më të vogël? Apo thjesht jemi mjaftuar me inovacionin e 1990-ës duke supozuar siç përralliste aventurieri Fukuyama, se ky është fundi i historisë?
Hulumtimi është një proces i cili i paraprin inovacionit. Inovacion pa hulumtim zor se ka, ndërsa hulumtim që nuk prodhon asnjë inovacion është mirë të ketë.
Nëse çdo hulumtim do të rezultonte me një inovacion atëherë ose do të duhej të gjenim një fjalë tjetër për të përkufizuar inovacionin ose do të jetonim, pa e ditur, në një planet gjenish. Kur flasim për hulumtimin flasim për një vendim të ndërgjegjshëm. Flasim për një fakultet të qënies njerëzore që lidhet me kërshërinë tonë tipike si qenie me inteligjencë.
Gjithashtu, tërheqja që ne ndjejmë drejt nevojës për të hulumtuar, shqyrtuar, kërkuar dhe eksploruar ka lidhje edhe me një thirrje të pandërgjegjshme drejt së mirës kolektive. Sigurisht çdo shkencëtar i angazhuar në hulumtim shkencor ka si motivim nxitës përfitimin që specia jonë njerëzore do të merrte nëse ky hulumtim do të rezultonte me një inovacion. Pra, hulumtimi është nevoja e kolektives për përparim, e cila thërret në ndërgjegjen tonë.
Inovacioni nga ana tjetër, është risia që mundëson përparimin. Dhe asgjë e re nuk del në sipërfaqe pa shkaktuar fillimisht perëndimin e së vjetrës. Në një farë mënyre, nga momenti kur ai del në dritë, inovacioni revolucionarizon një aspekt të caktuar të jetës sonë.
Ja ku kemi pra një ndërlidhje interesante, midis hulumtimit dhe inovacionit, hulumtimit si kërkesë që shtrohet nga interesi kolektiv brenda ndërgjegjjes sonë dhe inovacionit si rezultati revolucionar që sjell vazhdimisht të renë pas hulumtimit.
Filozofia sigurisht e ka ezauruar me kohë këtë aspekt, por mua më duket gjithmonë interesant t’i rikthehem kësaj marrdhënieje mes hulumtimit dhe inovacionit, e cila flet shumë mbi atë që do ta quhej anglisht “the purpose” apo “qëllimi” i pranisë së njeriut mbi tokë.
Ky qëllim e kjo arsye, e cila është edhe ajo që e ka sjellë njeriun këtu ku është sot, është pikërisht nevoja për progres të pandalshëm, avancimi i përhershëm, shkurt inovacioni i cili siç u cek, është vetëm rezultat hulumtimi dhe jo e kundërta.
Ndërsa era e inovacionit dhe hulumtimit duket se ka pushtuar globin, Shqipëria duket nga jashtë si e lënë përanash. A prodhohet hulumtim shkencor në këtë vend në mënyrë që pastaj të flasim edhe për inovacion? Në pamje të parë ngjan se në realitetin global, nuk ka rëndësi se kush e kryen hulumtimin, sepse frytin e tij, inovacionin e përfitojnë në mënyrë të rrufeshme të gjithë.
Të gjithë kemi në xhep telefona inteligjentë, për të cilët ne personalisht apo mbase edhe shoqëria jonë e ngushtë kombëtare, as që ka dhënë ndonjë kontribut në procesin e punës kërkimore apo hulumtuese. Jemi pra, konsumatorë të devotshëm të inovacionit të të tjerëve.
Mirëpo, inovacioni teknologjik është mbase më spektakolari dhe ai më i dukshmi midis larmisë së inovacioneve në të gjitha fushat. Ka inovacion në teknologji, por ka edhe në ekonomi, në letërsi, në muzikë, në sport madje ka edhe në shkencat politike apo filozofi. Kjo na lë të kuptojmë se në secilën nga këto fusha të dijes njerëzore zhvillohen procese të vazhdueshme kërkimi e hulumtimi përderisa shohim që avancimet innovative i prekin ato në mënyrë të vazhdueshme.
Nëse jo kontributorë domethënës në këto procese hulumtimi që i paraprijnë inovacioneve, a jemi së paku konsumatorë të inovacioneve që rrjedhin prej tyre? Kjo është një pyetje së cilës mund t’ia marrim me mend përgjigjen thjesht duke parë me vëmendje përreth.
Siç u konstatua, inovacioni është hyrje e së resë në skenë duke iu kundërvënë së vjetrës e duke i dhënë një hop cilësor jetës së shoqërisë.
Mirëpo, Shqipëria vazhdon të jetë 30 vjet pas rënie së totalitarizmit një vend ku inovacioni politik i vitit 1990 mbeti edhe i fundit. Prapambetja jonë në ekonomi, kulturë, shkencë, sport e kudo tjetër, përfshi madje edhe politikëbërjen, na sugjeron se inovacioni nuk është përqafuar prej nesh.
E thënë me pak fjalë, telefonat inteligjentë që mbajmë në xhepa, nuk korrespondojnë me realitetin shoqëror ku jetojnë njerëzit që i përdorin këto telefona.
Ja pra arsyeja e ngërçit ku ndodhemi. Arsyeja pse elita politike, ekonomike e ajo e çdo fushe në këtë vend pavarësisht sforcimit nuk po arrin të pjellë dot asnjë gjë të re. Asnjë mendim jashtë dogmës së kalçifikuar prej 1990-ës se do të jemi antikomunistë, se edhe bar do hamë dhe parimet e ekonomisë së tregut nuk i shkelim, se jemi e mbetemi një fortesë graniti e neoliberalizmit në brigjet e Adriatikut…etj etj. E vjetra pra, refuzon të shembet. Falë marrëzisë sonë.
Ka marrre fund. O te gjithe te vdekur e toke e djegur Shqiperia,o shqiptaret e lire e zot te fateve te veta duke varrosur njehere e pergjithmone keto falangra krimi pa dinjitet!
Le ta dije Amerika e Europa se Shqipetaret nuk bashkjetojne me me kete kancer .
Keto krimba krimi,cinike,prostituta politike,hamshore te vetkenaqur,plehra qe shesin e blejne lire fatet e kombit,pasurite kombetare? Jo me ! Fund kesaj mortaje qe na mbajti te semure tash 80 vjet ! Jo me!