Detaje të reja janë zbuluar për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço në Kolanec të Maliqit. Ai u gjet i mbytur në rezervuarin e fshatit, ndërsa policia vuri në pranga 3 persona. Dyshohet se për motive të dobëta, ata e kanë mbytur dhe më pas trupin e tij e kanë hedhur në rezervuar.
Ndërkohë, motra e 26-vjeçarit ka treguar bisedën e fundit me të, i cili i kishte thënë se disa persona po e kërcënonin.
“Unë jetoj në Greqi. Vëllai më ka marrë në telefon 3 ditë para se të zhdukej. Qante dhe me thoshte që jam i mërzitur sepse më kërcënojnë disa persona. Por nuk më tregonte se më kë kishte konflikt dhe cilët ishin personat që e kërcënonin. Ishim në dijeni të lidhjes me një vajzë, por nuk e njihnim. Edhe babait i kishte treguar që e kërcënonin disa persona, por arsyet dhe emrat e tyre nuk na i tregonte”, ka thënë ajo.
Çeço jetonte vetëm me babanë. Ky i fundit është në gjendje të rëndë psikologjike në spitalin e Korçës. Ndërkohë një prej fqinjëve, Ditke Dokolli tregon se viktima dhe i ati punonin së bashku dhe nuk kishin konflikte.
“Jetonin me djersë dhe mezi nxirrnin bukën nga toka dhe shitja e druve. Martini ishte tip i mbyllur dhe nuk i binte në qafë njeriu, jemi të tronditur nga kjo që ka ndodhur”, tha ajo.