Auto

Edhe ‘gjigantët’ kanë mashtruar… ja sa gjobë ka paguar ‘Audi’ për ndotje






               Publikuar në : 16:03 - 16/10/18 |
mapo.al

“Audi” ka pranuar të paguajë gjobën 800-milionë euroshe të vendosur nga prokurorët gjermanë në vazhdën e një hetimi mbi mashtrimin me emetimet, edhe pse kjo do t’i prekë direkt fitimet e tij për vitin 2018.


Kompania e pranoi përgjegjësinë për problemet në disa motorë V6 dhe V8 e nuk ka në plan ta apelojë vendimin.



Nga sa pohuan drejtues të tij, makinat e prekura u reklamuan e iu shitën blerësve në mbarë botën në periudhën e viteve 2004-2018. Gjoba do të prekë gjithashtu edhe fitimet vjetore të kompanisë mëmë, “Volkswagen”-it.

“Mea culpa” e gjigandit gjerman të prodhimit të automjeteve mbi mashtrimin me rregullat e cilësisë së ajrit, ka mbërritur tashmë. Ai i ka pranuar manipulimet me software-t që i bënin emetimet të dukeshin më pak toksike nga sa ishin në të vërtetë.

800 milionë eurot që duhen paguar përfshijnë edhe një gjobë prej 5 milionë eurosh për shkelje administrative, më e larta e dhënë sipas ligjit gjerman.

Prokurorët sqaruan se ndëshkimi financiar përfshin edhe përfitimet nga shitjet e makinave problematike.

Skandali i mashtrimit me emetimet mendohet të ketë prekur gati 5 milionë makina të shitura nga grupi “Volkswagen” në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara dhe lidhet më së shumti me automjetet e pajisura me motorë V6 dhe V8, të prodhuar nga “Audi” e të vendosur makinave të tij, atyre të “Volkswagen”-it dhe “Porsche”-it.


Etiketa: , , ,

Pas