Nga Oerd Bylykbashi
Në vitet ‘20, Musolini, një ish-majtist që u kthye në fashist e që sapo kishte ardhur në pushtet me zgjedhje të dhunuara nga bandat e këmishëzinjve, mblidhte në Piazza Venezia dhjetëra, mijëra italiane dhe u drejtohej me gishtin që ngrihej lart kërcenueshëm ndaj kundërshtarëve politike që i demonizonte.
Nga ballkoni mbi shesh ai i fliste turmës për një Itali të mrekullueshme që do t’i kthehej shkëlqimit të Romës perandorake të antikitetit. Për të mbushur sheshet me punonjës të administratës dhe të tjerë, kishin menduar strukturat e këmishëzinjve.
Në vitin 2017 rapori i ODIHR tha: “Një përfaqësues partie në qarkun Fier i tha MVZ-së së OSBE/ODIHR-it se një kryetar bashkie u kishte bërë thirrje kompanive publike dhe private të largonin nga puna punonjësit që mbështesnin PD-në.” – Pra këta që qeverisin sot të kërcënojnë bukën e gojës edhe kur punon në privat, lëre pastaj në shtet.
Në cirkun e sotëm në shesh, administrata u mblodh me presion, atë presionin që ODIHR e ktheu në rekomandimin prioritar kundër presionit mbi administratën, por që BE ende duhet ta bëjë kërkesë kryesore për Shqipërinë. Sepse e lexuar ndryshe, do të thotë që shtetin e ka kapur partia-shtet, dhe kjo shkel Angazhimin e OSBE (Dokumenti i Kopenhagen 1990) per ndarjen e shtetit nga partia.
Punonjës të administratës ishin të detyruar sot të dilnin në mitingun e Duces së Tiranës, të dëgjonin logorenë përdhunuese të agresivitetit politik që ai nxirrte nga goja, i pa flokë e kërcënues, pompoz po ashtu si Ducja i Romës dekada të shkuara.
Bashkë me atë Gebelsin plot sperdredhje të Tiranes, sot dëgjuam se si shpalosën planin e ri: Parlamenti i Parë i historisë së Shqipërisë është një ndërtesë karakatine, porsi Teatri Kombëtar dhe duhet prishur që të ndërtohen kulla të reja njesoj si tek Teatri. Po po, Parlamenti i Parë i Shqipërisë është vënë në shënjester për t’u shembur.
Trushplarja nisi që në kohën e komunizmit, u përpoq ta degradonte atë duke e kthyer në Teatrin e Kukullave, ashtu siç ktheu kishat dhe xhamitë në pallate kulture apo palestra sporti. Enver Hoxha denigroi Parlamentin Shqiptar duke e quajtur teatër kukullash. Burrat e Kombit që themeluan parlamentarizmin shqiptar u demonizuan dhe denigruan si marioneta. Qëllimi i Diktatorit ishte të krijonte Kuvendin Popullor me delet tij komuniste që i bindeshin pa diskutim.
Sot Edi Rama dhe Erion Veliaj, pas retorikës dhe demagogjisë agresive, kanë një qëllim të pastër ekonomik. Prishet Parlamenti i Parë i shqiptarëve të cilin ata ende e mbajnë si teater kukullash dhe aty jepet me PPP një kullë tjetër.
Po ashtu, Muzeu Historik i fillimit të viteve ’80, ai për të cilin Enver Hoxha denigroi dhe shkatërroi ndërtesën e bukur të Bashkisë së kohës së Zogut, është viktimë e të njëjtit plan ogurzi për kulla si simbole të pushtetit mbytes.
Ndryshe nga Enver Hoxha që përdori armët dhe burgun për të shtetëzuar pasuritë, këta të dy po përdorin propagandën denigruese, paratë e krimit dhe korrupsionit dhe Kodin Civil për të grabitur dhe privatizuar pronat, në mënyrë që askush të mos ua marrë më kurrë pasuritë.
Llogarinë e fitimit ekonomik bëjeni vete. Sa më shumë paratë fitohen, aq më shumë denigrohet si e rrënuar ndërtesa e Parlamentit historik përpara trushpëlarëve dhe të detyruarve me përdhunë. Ashtu do ta duartrokasin vizionin e tyre modern turmat në shesh dhe Rama dhe Veliaj me pas do të thone që moren miratimin për planin e tyre të kullave nëpermjet atij “plebishiti” në sheshin e madh të Tiranës.
Që Edi Rama do që të zhdukë historinë e parlamentarizmit, nuk ka asnjë çudi sot që ai ka kthyer në një teater kukullash Kuvendin e Shqiperise, një salle me buratinë që ngrenë dorën kur ai ngre kërcenueshem gishtin. Madje sot parlamenti, plot 27 vite pas rrëzimit të komunizmit me zgjedhjet e 22 marsit 1992, u zëvendësua nga plebishiti i Sheshit Skenderbej, ku militantët e pushtetit dhe adminstrata e dhunuar shërbejnë si aprovim i planeve ogurzeza të Ramës dhe Veliajt.
Por sot ka rënë Republika dhe është ngritur Edi Rama, Dux apo Udhëheqesi i Shqiperisë. Sot nuk ka më asnjë dyshim, kur Rama fillon sulmin ndaj diçkaje dhe Veliaj sperdridhet duke shitur vizionin e tij modern, qëllimi është i pastër për kapje pushteti dhe fitime marramendëse.
Parlamenti i parë i Shqipërisë duhet transformuar nga Teater Kukullash në Muzeun e Parlamentarizmit. Duhet ta shpëtojmë ndërtesën e tij nga grykësia e Edi Rames dhe marionetës së tij në Bashkinë e Tiranës. Duhet kthyer në simbol të luftës për shpetimin e demokracisë parlamentare.
Historia na kujton se mitingjet plebishitare të Piazza Venezia dhe Nurembergut ku turmat brohorisnin, erdhën pasi Musolini dhe Hitleri erdhën në pushtet me zgjedhje ku zgjedhesit “bindeshin” nga bandat e këmishëzinjve në Itali apo këmishëmurrmve në Gjermani. Po po, erdhen ne pushtet me zgjedhje në një demokraci të dobët. Vetëm më pas erdhen dhunimet masive të të drejtave të njeriut dhe krimet.
Nëse presim për këtë të fundit si prove të rivendosjes së shtetit autoritar ku zgjedhjet sistemohen nga bandat, do të jetë shumë vonë sepse ai lloj shteti do të jetë bërë realitet. Kullat që do zëvendesojne Parlamentin, Teatrin Kombetar dhe Muzeun Historik do jenë monumentet e autoritarizmit të Edi Ramës.